1 Prandaj, duke lënë mënjanë njohuritë fillestare për Krishtin, le të shkojmë drejt përsosjes. Le të mos merremi më me gjërat fillestare: me pendimin për veprat e vdekura, me besimin në Perëndinë, 2 mësimin për pagëzimin, vënien e duarve, ngjalljen e të vdekurve dhe gjykimin e përjetshëm. 3 Edhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.
4 Është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë, që shijuan dhuratën qiellore, që morën Shpirtin e shenjtë, 5 që shijuan bukurinë e fjalës së Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme 6 dhe që pastaj ranë, të rilindin me anë të pendimit, kur ata vetë e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë botërisht.
7 Kur toka pi shiun që bie shpesh mbi të dhe prodhon bimë të dobishme për ata që e punojnë, ajo merr bekim nga Perëndia. 8 Ndërsa, kur prodhon ferra e murriza, është e padobishme dhe po i afrohet mallkimi. Fundi i saj do të jetë djegia në zjarr.
9 Por, ndonëse flasim kështu, o fort të dashur, jemi të bindur se ju keni gjëra më të mira, që mbartin shpëtim. 10 Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar në emër të tij me shërbimin që u keni bërë e vazhdoni t'u bëni të shenjtëve. 11 Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund, që të përmbushet shpresa juaj. 12 Mos u bëni përtacë, por bëhuni shkërbim i atyre që, nëpërmjet besimit e durimit, trashëguan premtimin e Perëndisë.
Premtimi i sigurt
13 Kur Perëndia i bëri premtimin Abrahamit, ngaqë nuk kishte ndonjë më të madh për t'u betuar, u betua për veten e tij 14 e tha: të premtoj se do të të bekoj e do të të jap shumë pasardhës. 15 Kështu, Abrahami priti me durim dhe fitoi premtimin. 16 Njerëzit betohen për dikë që është më i madh se ata dhe betimi është siguria që japin për të mbyllur çdo mosmarrëveshje. 17 Kështu edhe Perëndia përdori betimin, duke dashur t'i sigurojë edhe më shumë trashëgimtarët e premtimit për palëkundshmërinë e vendimit të tij.
18 Pra, ka dy gjëra të pandryshueshme, për të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë. Nëpërmjet tyre, ne që kemi kërkuar strehë tek ai, marrim guxim të madh për t'u mbështetur në shpresën që kemi përpara. 19 Kjo shpresë është për ne spiranca e jetës. Ajo është e sigurt dhe e patundur dhe na çon deri në pjesën e brendshme të altarit, pas velit. 20 Atje ka hyrë përpara nesh dhe për ne Jezui që u bë kryeprift në amshim sipas urdhrit të Melkisedekut.
Krie e gjashtëtë
1 Pra andaj si të lëmë të kuvënduaritë për nisëjë të Krishtit, le të vemi bara mb’atë që është më i sosurë, pa shtirë për së ditit themeli të kthierit nga punët’ e mortit e të besësë mbë Perndinë.
2 Të dhidhaskalisë pagëzimevet, edhe nga të vënët’ e duaret, edhe nga të ngjallët’ e së vdekuret, e gjuqëesë pasosurë.
3 E këtë do ta bëjmë ndë na e ndëjeftë Perndia.
4 Sepse ësht’ e zahmeçime, që ata që panë qënë njëherë ndriturë, e që kanë dhoqimasurë dhurëtin’ e Qiellit, e patnë qënë bërë pjesëtarë mbë Shpirtinë Shënjt.
5 E që kanë dhoqimasurë fjalën’ e mirë të Perndisë, e fuqit’ e jetësë që vjen.
6 E janë (pa) gremisurë, të përtërihenë edhe një herë mbë metani, tuke kriqasurë për së ditit mbë vetëhe të ture të bir’ e Perndisë, e ta nxjerënë mbë të ksenderturë.
7 Sepse dheu që pi shinë që [bjen ] mbë të shumë herë, e pjell barëra të mira mb’ata që e punojënë, merr bekim nga Perndia.
8 Ma ndë nxjertë gjëmba e trivole, është e shtirë poshtë, e afër për të mallëkuarë, më e pastajmea e saj është për të djegurë.
9 U taksjëmë më të tepëra punëra për juvet, o të dashurë, e më të vëjiera për sotiri tuaj, ndonëse kuvëndojmë kështu.
10 Sepse nuk’ ësht’ adhiko Perndia, që të harojë punëratë tuaj, e mundimn’ e dashurisë që kini dëftuarë për ëmër të tij, me atë që shërbietë Shënjtorëtë, e më atë që i shërbeni.
11 Ma dëshërojmë që cilido nga jush të tillëtë të shpejtë të dëftoni, që të bënetë e sosurë shpëresa ngjera mbë të pastajmenë.
12 Që të mos bëni të përtuarë, po të gjani ature që klironomisjënë të taksuratë me besë e me durim.
13 Sepse Perndia kur taksi Avraamit, përse nuk kish tjetër gjë më të madh që të përgjëronej, u përgjërua mbë vetëhe të saj.
14 Tuke thënë: Vërtet, që unë do të të bekoj fort shumë, e do të të shtoj fort shumë.
15 E ashtu ai tuke duruarë me zëmërë të gjerë, e mori të taksuritë.
16 Sepse njerëzitë përgjëronenë për atë që është m’i madh se ata, e për çdofarë antillogjie ësht’ e sosurë mbë ta beja për të veveosurë.
17 Për atë punë si deshi Perndia më tepërë të dëfton ndë klironomë të pandërruarënë e kshillit së tij, vuri ndë mes benë.
18 Që me anë të di punëravet të paluajturavet, mb’ato që nukë mund të gënjejë Perndia, kemi një parigori të madhe nevet që kemi marrë udhënë të mbamë shpëresënë që kemi përpara.
19 Atë shpëresë e mbamë posi angure të paluajturë e siguro të Shpirtit, e ajo hin ngjera mbë të brëndëshmë të velesë.
20 Tek hiri Iisui prodhromo për nevet, e u bë Arhieref, sikundr’ është taksi i Melhisedhekut, për jetë të jetësë.