Përshëndetja
1 Unë, Pali, që nuk u bëra apostull prej njerëzve, as prej ndonjë njeriu, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli prej të vdekurve, 2 së bashku me të gjithë vëllezërit që janë me mua, po u shkruaj kishave të Galatisë: 3 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krisht! 4 Ai u flijua për mëkatet tona, që të na çlironte nga kjo botë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë. 5 Atij i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!
Nuk ka ungjill tjetër
6 Çuditem sa shpejt po largoheni nga Perëndia, që ju thirri në hirin e Krishtit, e po shkoni drejt një ungjilli tjetër. 7 Ungjill tjetër nuk ka, por ka vetëm disa njerëz që ju turbullojnë e duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit. 8 Por, edhe sikur dikush nga ne apo një engjëll nga qielli t'ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar ne, qoftë mallkuar. 9 Çfarë ju kemi thënë më parë, po jua them edhe tani: kush t'ju predikojë një ungjill të ndryshëm nga ai që keni pranuar, qoftë mallkuar.
10 A mos po kërkoj të marr pëlqimin e njerëzve a të Perëndisë? Apo po kërkoj t'u pëlqej njerëzve? Po të kërkoja t'u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.
Thirrja e Palit
11 Po ju vë në dijeni, o vëllezër, se ungjilli që ju shpalla nuk vjen nga njerëzit. 12 As e mora e as e mësova nga ndonjë njeri, por përmes zbulesës së Jezu Krishtit.
13 Ju keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme në judaizëm, me sa zell e përndiqja kishën e Perëndisë e përpiqesha ta shkatërroja. 14 Në judaizëm unë ua kalova shumë prej bashkëmoshatarëve të kombit tim dhe isha tepër i zellshëm ndaj traditave të etërve të mi. 15 Por, kur Perëndisë, që më ndau veç që në barkun e nënës e më thirri përmes hirit të tij, i pëlqeu 16 të më zbulojë Birin e vet për ta kumtuar ndër kombet, unë menjëherë, pa u këshilluar me njeri 17 e pa shkuar në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.
18 Vetëm tre vjet më vonë shkova në Jerusalem për të takuar Kefën dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë, 19 por nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë përveç Jakobit, vëllait të Zotit. 20 Këto gjëra po i shkruaj para Perëndisë e nuk gënjej.
21 Pastaj shkova në krahinat e Sirisë e të Kilikisë, 22 por kishat e Judesë, që besojnë në Krishtin, nuk më njihnin nga afër. 23 E vetmja gjë që kishin dëgjuar është kjo: «Ai që më parë na përndiqte, tani shpall besimin që dikur përpiqej ta shkatërronte». 24 Ata përlëvdonin Perëndinë për mua.
Krie e parë
1 Pavllua i bërë Apostoll (jo prej njerëzet, as prej anet ndonjë njeriut, po prej Iisu Hristoit, e prej Perndisë babait që ngjalli atë nga të vdekuritë).
2 Edhe gjithë vëllazëritë që janë bashkë me mua, mbë Qishëra të Gallatiësë.
3 Dhurëti mbë juvet e paq nga Perndia babai, edhe nga Zoti inë Iisu Hristoi.
4 Nga ai që dha vetëvetëhenë për faje tona, të na nxjerë nevet nga këjo jetë e sorme e ligë, sikundr’ është thelim’ e Perndisë, e Babait sonë.
5 Atij lëvdim ndë jetë të jetëvet. Kështu qoftë.
6 Çuditem qish kaqë shpejt shkoni nga ai që u thirri juvet ndë dhurëti të Krishtit mbë tjetërë Ungjill.
7 Ndonëse s’është gjë jetërë, përveçe që janë dica që u trubullojnë juvet e duanë ta kthejnë përmbis Ungjill’ e Krishtit.
8 Ma (si)kur edhe nevet a Ëngjëll nga Qielli t’u vangjelisjë juvet, përveçe asaj që u kemi vangjelisurë na juvet, qoftë anathema.
9 Sikundrë tham më përpara, edhe ndashti pa thom, ndë do ndonjë t’u vangjelisjë përveçe ature që kini mpsuarë, qoftë anathema.
10 Sepse ditën’ e sorme njerëz dhidhaks unë (të besoni) a Perndinë? Kërkoj unë mbase të pëlqej njerëzet? Të keshë pëlqierë njerëzet, nukë jeshë ropi i Krishtit.
11 Ndashti u bëj të njihni, o vëllazër, se Ungjilli që është vangjelisurë nga meje, s’është pun’ e njerëzet.
12 Sepse as unë e mora atë nga njeri, as e kam mpsuarë nga ndonjë njeri, po nga të zbuluaritë e Iisu Hristoit.
13 Sepse juvet kini digjuarë të thonë qish bireshë një njeri ndë Iudhaismo, që jashtë nga udha ndjekë unë qishënë e Perndisë e e prishjë atë.
14 E vejë mbarë ndë Iudhaismo mbi shumë të tjerë që qenë ndë një vërsë me mua ndë shkallë time, sepse jeshë shumë ziliar ndë të paradhosura të baballarëvet së mi.
15 Ma atëherë kur i pëlqeu Perndisë, që më pat zgjedhurë që nga barku i mëmësë sime, e që më thirri për dhurëti të tij.
16 Të zbulon tek unë të bir’ e tij, që ta dhidhaksjë un’ atë ndë filira të tjera, atë çast me të shpejta nukë mora kshill nga mishtë e nga gjaku.
17 As vajta nd’Ierusalim mb’ata që qenë apostoj përpara meje, po vajta mb’Arapi, e përsëri u kthieçë ndë Dhamasko.
18 Pasandaj pas tri vjeç u kthieçë nd’Ierusalim të shohë Petronë, e qëndrova mbanë tij pesëmbëdhjetë dit.
19 E tjatër nga apostojtë nukë paçë, përvetëmë Iakovonë vëllan’ e Zotit.
20 E ato që u shkruaj juvet, ja që bie Perndinë martir, që nukë thom gënjeshtra.
21 E pastaje arçë ndë vënde të Siriësë e të Qiliqiësë.
22 E unë nukë jeshë njohurë me të parë ndë qishëra të Krishtit që janë ndë Iudheë.
23 Po vetëmë kishnë digjuarë, që ai që na ndiq nevet njëherë, ndashti vangjelis atë besënë që e prishte njëherë.
24 E për sebep tim, lëvdoijnë Perndinë.