Njëshmëria i trupit
1 Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju lutem të bëni një jetë të denjë për Perëndinë që ju thirri, 2 një jetë me shumë përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e pranuar njëri-tjetrin me dashuri, 3 duke u përpjekur të ruani njëshmërinë që vjen nga Shpirti, përmes paqes që ju lidh me njëri-tjetrin. 4 Ka vetëm një trup e vetëm një Shpirt, sikurse dhe ka vetëm një shpresë në të cilën ju thirri Perëndia. 5 Ka vetëm një Zot, një besim, një pagëzim, 6 një Perëndi dhe Atë të të gjithëve, që është mbi të gjithë, që vepron përmes të gjithëve e që banon në të gjithë.
7 Kështu, secilit nga ne iu dha hiri në atë masë që Krishti deshi të na dhurojë. 8 Prandaj thuhet:
kur u ngrit në lartësi,
të robëruarit i bëri robër të tij
e njerëzve u dha dhunti.
9 Fjalët «u ngrit», a nuk do të thonë se ai kishte zbritur më parë në pjesët më të ulëta të tokës? 10 Ai që zbriti është po ai që edhe u ngrit përmbi gjithë qiejt, që të përmbushë gjithçka.
11 Disa ai i bëri apostuj, disa i bëri profetë, disa i bëri ungjilltarë, disa i bëri barinj e mësues, 12 që të përgatisë të shenjtët për të kryer veprën e shërbimit ndaj të tjerëve, për rritjen në besim të trupit të Krishtit, 13 derisa të arrijmë të gjithë në njëshmërinë e besimit dhe në njohjen e Birit të Perëndisë. Kështu do të bëhemi njerëz të përsosur, sipas masës së përsosmërisë së Krishtit, 14 që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këtej, që i vërtit era e çdo mësimi njerëzor dhe që e lënë veten të mashtrohen nga dinakëria e dredhia e njerëzve. 15 Por, duke dëshmuar të vërtetën me dashuri, le të rritemi plotësisht drejt atij që është kreu, Krishtit. 16 Ai bashkon e lidh gjithë trupin nëpërmjet nyjeve dhe çdo gjymtyrë, sipas detyrës së vet, ndihmon në rritjen e trupit dhe në forcimin e tij në dashuri.
Jeta e vjetër dhe e re
17 Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet që mendojnë kotësira. 18 Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre. 19 Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra.
20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. 21 Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. 22 Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. 23 Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj 24 dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij.
Rregulla për jetën e re
25 Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t'i thotë të vërtetën të afërtit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. 26 Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar. 27 Mos i bëni vend djallit.
28 Kush vidhte, le të mos vjedhë më, por, përkundrazi, të punojë ndershmërisht me duart e veta, që të ketë për t'i dhënë atij që ka nevojë.
29 Le të mos dalë asnjë fjalë e ndyrë nga goja juaj, por vetëm fjalë të dobishme që ndihmojnë rritjen në besim, sipas nevojës, e që të jenë të dobishme për ata që i dëgjojnë.
30 Mos e brengosni Shpirtin e shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai ju vulosi për ditën e shpengimit.
31 Hiqni nga vetja çdo lloj hidhëtie, zemërimi, tërbimi, bërtitjeje e fyerjeje, si dhe çdo ligësi.
32 Përkundrazi, jini të mirë e të dhembshur me njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse ju ka falur edhe Perëndia përmes Krishtit.
Krie e katërtë
1 Unë adha i lidhuri për Zotnë u lutem juvet, që të ecëni me udhë që ka hie mb’atë të thirrë që jini thirrturë.
2 Me çdofarë të ungjurë e të butë e me durim, të duroni njeri-jatërinë me dashuri.
3 Tuke shtrënguarë të ruani të bashkuarit e Shpirtit, me anë të lidhëjësë besësë.
4 Një kurm vetëmë, e një Shpirt vetëmë, sikundrë jeni edhe thirrë ndë një shpëresë të vetëmë të thirturitë suaj.
5 Një Zot vetëmë, një besë e vetëmë, një pagëzim i vetëmë.
6 Një Perndi e vetëmë e Babai gjithëvet, që është mbë gjithë, e për gjithë punëra, e mbë gjithë nevet.
7 Ma mbë cilinëdo nga nesh na është dhënë dhurëtia sikundr’ është masa e të dhënit së Krishtit.
8 Andaj thotë: Si hipi lart, skllavosi skllavi, e dha dhuratëra ndë njerëz.
9 Ma ç’është të hipuritë, përveçe që edhe cbriti përpara mbë më të poshtëra anë të dheut.
10 Ai që cbriti, ai i tilli vetë është që edhe hipi mbi gjithë Qielltë, që të mbushjë gjithë punëratë.
11 E ai ca i bëri Apostoj, e ca Profitë, e ca Evangjelisti, e ca Çobenj, e Dhaskalë.
12 Për armogji të Shënjtorëvet, për punë të dhiakonisë, për të dërtuarë kurmi i Krishtit.
13 Ngjera sa të arrijëmë gjithë ndë të njëjtënë të besësë e të njohurësë të birit së Perndisë, ndë një burrë të tamamtë, ndë masë të versësë të sosurë të Krishtit.
14 Të mos jemi më foshnjë, e të furtunjasemi e të biremi këtu e këtje me çdofarë erë dhidhaskaliet, për të kthieratë e njerëzet, për dinakërira tek bie gënjeshtra.
15 Ma tuke vaturë pas të vërtetësë ndë dashuri, të rritemi mbë çdo anë mbë të që është kreu, domethënë Krishti.
16 Nga ai gjithë kurmi puthisurë e bashkuarë me anë të gjithë quçevet që është dhënë si shërbesë e maturë mbë çdo anë, bën të rriturit’ e kurmit mbë të dërtuarë të tij me dashuri.
17 Këtë adha u thom, edhe u vë mbë be mbë Zotnë, që të mos ecëni më juvet, sikundrë ecëjnë filit’ e tjera, ndë marrëzi të kshillit së ture.
18 Ato kanë mëntë skotisurë, janë mërguarë nga të rruaritë si do Perndia, për të padijturë që është mbë to, për aformi të së verbuarit që është ndë zëmërë të ture.
19 Ato pa shpëresë janë dhënë lënurë ndë vromëcira, për të bërë çdofarë të papastruara pa frijturë.
20 Ma juvet nuk’ e kini mpsuarë kështu Krishtinë.
21 Ndë e kini vërtet atë digjuarë, e mb’atë jini dhidhaksurë, sikundr’ ësht’ e vërteta mbë Iisunë.
22 Që juvet sa për jetën’ e shkuarë, cvishni njerin’ e vëjetërë që prishetë ndë dëshërime të gënjeshtrësë.
23 E përtërihi ndë Shpirt të mëndiesë suaj.
24 E vishni njerin’ e ri që është bërë si do Perndia me të drejtë e me Shënjtëri të së vërtetësë.
25 Andaje si të liri të rremënë, le ta flasë sicilido me gjiton’ e tij sikundr’ ësht’ e vërteta, sepse jemi krahët’ e njeri-jatërit.
26 Ndë zëmëroni, ruhi nga fai, mos perëndojë Dielli mbi zëmërim tuaj.
27 Mos i epni vënd të paudhit.
28 Ai që vidh, më mos vëjedhë, po më tepërë le të mundonetë, tuke bërë të mirëtë me duar të tij, që të ketë t’apë gjëkafshë atij që ka shtrëngim.
29 Le të mos dalë nga goja juaj ndonjë fjalë e kalbëtë, po e tila që të jet’ e mirë për dërtesë që duhetë, që t’apë dhurëti mb’ata që e digjojënë.
30 E mos helmoni Shpirtinë Shënjt të Perndisë, që me anë t’atij jini vulosurë për ditë të shpëtimit.
31 Çdofarë pëlqimit, e zëmërimit, e urgjisë, e të thirrit, e mallëkimit, le të ngrihetë nga jush bashkë me çdofarë të ligë.
32 E bënuni të butë njeri mbë jatërinë, paraponiarë, e të ndëjeneni kollaj njeri me jatërinë, sikundrë ka ndëjierë edhe Perndia juvet mbë Krishtinë.