1 Dua t'ju bëj të njohur luftën e madhe që bëj për ju, për ata të Laodicesë dhe për të gjithë ata që nuk më kanë njohur personalisht. 2 Unë luftoj që zemrat e tyre të gjejnë ngushëllim, që ata të jetojnë të bashkuar me dashuri e të pasuruar me sigurinë që jep dija e plotë. Kështu ata mund të njohin të fshehtën e Perëndisë , Krishtin. 3 Në të gjenden të fshehura të gjitha thesaret e urtisë e të dijes. 4 Këtë jua them që të mos ju gënjejë askush me fjalë joshëse. 5 Edhe pse me trup nuk jam aty, shpirtërisht jam me ju dhe gëzohem kur shikoj rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
Plotësia e jetës
6 Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të. 7 Tek ai t'i keni rrënjët e mbi të ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje.
8 Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti.
9 Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin 10 dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. 11 Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. 12 Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. 13 Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë.
14 Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. 15 Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.
16 Mos lejoni t'ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja a të shtunash. 17 Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.
18 Mos lejoni t'ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë apo që këmbëngul në përulësi të jashtme e në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij njerëzore. 19 Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë.
Jeta e re me Krishtin
20 Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin e u çliruat nga fuqitë shpirtërore që sundojnë këtë botë, përse jetoni si t'i përkisnit botës? Përse u nënshtroheni rregullave, si: 21 «Mos e merr këtë!», «Mos e shijo atë!», apo «Mos e prek këtë!»? 22 Këto janë gjëra që janë caktuar për t'u kalbur pasi të përdoren, janë rregulla e mësime njerëzish. 23 Sigurisht, ato duken sikur kanë urti, se vishen me fetari sipas dëshirës së njerëzve, me përulësi e me një trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, përveçse kënaqin dobësinë njerëzore.
Krie e ditë
1 Sepse u dua që të diji juvet, sa shtrëngim kam unë për juvet, edhe për ata të Llaodhiqisë, edhe për gjith’ ata që nukë kanë parë faqenë time të kurmit.
2 Që të jenë parigorisurë zëmërat’ e ature, mbëjedhurë bashkë ndë dashuri, e ndë gjithë zotëri të së mbushurit së mëndiesë, për të njohurë të mistirioit të Perndisë babait, edhe të Krishtit.
3 Mb’atë janë fshehurë gjithë hazinet’ e sofisë edhe të mëndiesë.
4 E këtë u thom që të mos u gënjejë njeri juvet me fjalë të holla e gënjeshtra.
5 Sepse edhe ndë jam larg me trup, ma me Shpirt jam me juvet bashkë, tuke gëzuarë me të parë taksn’ e mirë tuajnë, e të storsosurit’ e besësë suaj mbë Krishtinë.
6 Sikundrë e kini marrë adha Krishtinë Iisunë Zotnë, kështu ecëni mbë të.
7 Rrënjosurë e ktisurë mbë të, e forcuarë mbë besë, sikundrë jini dhidhaksurë, tuke shtuarë mbë të me efharisti.
8 Vështroni se mos u gënjejë juvet njeri me anë të fillosofisë e pavëjierë, e gënjeshtjaresë, sikundr’ është të paradhosurit’ e njerëzet, sikundrë janë stihit’ e botësë, e jo sikundr’ është Krishti.
9 Sepse tek ai rri të mbushurit’ e Perndisë kurmërisht.
10 Mb’atë jini mbushurë, që ai është kreu i çdo zotëriet e urdhërit.
11 Mb’atë jini edhe prerë, jo me të prerë të dorësë, sepse jini të veshurë kurmn’ e fajevet të mishit, po ndë të prerë të Krishtit.
12 U kalltë ndë varr bashkë me të ndë pagëzim, mb’atë jini edhe ngjallturë me anë të besësë të punësë Perndisë, që ajo e ngrijti nga të vdekuritë.
13 E kur jeshëtë juvet të vdekurë ndë faje, e nd’akrovisti të kurmit suaj, u ngjalli bashkë me atë, tuke dhëruarë juvet gjithë fajetë.
14 Tuke shuarë të ligënë hirografonë për nevet ndë dhogmëra, që qe kondrë nevet, e ai e hoqi atë nga mesi tuke mbërthierë atë ndë Kruq.
15 Tuke rjepurë Arhitë edhe Eksusitë, i pombepsi faqeza, e i thriamvevsi ato mbë vetëhe të tij.
16 Ndonjë adha le të mos dëmëtojë për të ngrënë, a për të pirë, a për ditë të së Krëmptesë, a për Hënë të re, a për të Shëtuna.
17 Këto punëra janë hiera t’ature që do të vijënë, ma kurmi është i Krishtit.
18 Mos u gucitjë juvet njeri me kshill të tij me anë të së tapinosurit, me të falë të pavëjierë t’Ëngjëjet, tuke kallëzuarë juvet mb’ato që nuk’ i pa, tuke frijturë nga mëndia e kurmit së tij mbë të mbrazëtë.
19 E nukë mbahetë nga krei (Krishti) që nga ai gjithë kurmi, tuke bashkuarë me quçe e me të lidhura, e tuke marrë t’ushqieritë rritetë të rriturë të Perndisë.
20 Ndë jini adha vdekurë bashkë me Krishtinë, ndë stihi të kësaj jetet, pse ndashti sikur rroni ndë jetë qëndroni për rito?
21 Të mos zëç me dorë, të mos haç, të mos ngaç.
22 Gjithë këto punëra për të tillë hri humbasënë, sikundrë janë porsitë e dhidhaskalitë e njerëzet.
23 Ato punëra kanë me të vërtetë llogori të sofisë, ndë ethellothrisqi e ndë të tapinosurë, e të pakurcierë të kurmit, me të papasurë silloi për të frijturë kurminë.