Shërimi i një të sëmuri
1 Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite. 2 Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë të çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit që quhet «e Bukura», për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull.
3 Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë. 4 Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë e i thanë: «Na shiko!». 5 Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre, 6 por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!». 7 Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet. 8 Ai brofi më këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë. 9 I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë. 10 Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te «Dera e Bukur» e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit.
Fjala e Pjetrit në tempull
11 Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit». 12 Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu: «Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit? 13 Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. 14 Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi. 15 Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë. 16 Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.
17 E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj. 18 Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante. 19 Prandaj pendohuni e kthehuni që t'ju shlyhen mëkatet, 20 që të vijë koha kur Zoti do t'ju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë. 21 Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e përtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh.
22 Moisiu ka thënë : Zoti, Perëndia juaj, do të nxjerrë prej jush, mes vëllezërve tuaj, një profet si unë. Dëgjojeni për gjithçka që do t'ju thotë! 23 Kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej popullit. 24 Dhe të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur, që nga Samueli e deri te të tjerët pas tij, i kanë paralajmëruar këto ditë. 25 Ju jeni bijtë e profetëve e të besëlidhjes që Perëndia u ka dhënë etërve tuaj kur i tha Abrahamit: nëpërmjet pasardhësit tënd do të bekohen të gjithë popujt e tokës.
26 Kur Perëndia e ngjalli Birin e vet, e dërgoi së pari te ju, që t'ju bekonte, duke larguar secilin prej jush nga ligësitë e veta».
Krie e tretë
1 E Petrua edhe Ioanni hipëijnë bashkë ndë Iero mbë të nëntënë sahat të së falit.
2 E një njeri qe i çalë nga barku i mëmësë tij, e mbarej mbë krahë. Këtë e vijnë ngaditë afër derësë Ieroit, që thuhej e bukurë, për të kërkuarë eleimosin nga ata që hijnë ndë Iero.
3 Kij si pa Petronë edhe Ioannë që duajnë të hipëjnë ndë Iero, kërkoi të mirr eleimosin.
4 E si shtiu sitë Petrua mbë të, bashkë me Ioannë, i tha: Vështrona nevet.
5 Edhe ai shtiu sitë mbë ta, e shpëren të mirr gjëkafshë prej suresh.
6 E i tha Petrua: Ërgjënd edhe ar tek meje nukë gjëndetë; po atë që kam, atë të ap ti: Mb’ëmër të Iisu Hristoit Nazoreut, ngreu, e ecë.
7 E si e zuri atë nga dor’ e djathëtë e ngrijti. E atë çast ju forcuanë quçetë, edhe patomat’ e këmbëvet së tij.
8 E u ngre mbë këmbë tuke këcierë, e ecën, e hiri bashkë me ta ndë Iero, tuke lëvduarë Perndinë.
9 E e pa atë gjithë llaoi që ecën, e që lëvdon Perndinë.
10 E e njohnë atë, që ish ai që rrij e kërkon eleimosin ndë derë të bukurë të Ieroit. E u çuditnë shumë, e duallë nga mëntë për atë që gjau atij.
11 E si nukë shqitej i çali që u shërua nga Petrua edhe nga Ioanni, rodhi mb’ata gjithë llaoi tuke çuditurë ndë kamare që thuhetë e Sollomoit.
12 E si pa këtë Petrua, ju përgjegj llaoit: O njerëz Israilit, pse çuditeni për këtë, a pse na vështroni nevet, sikur e bëm me fuqi a me besë tonë atë të ecëjë?
13 Perndia e Avraamit, edhe Isaakut, edhe Iakovit, Perndia e baballaret sonë nderoi të bir’ e tij Iisunë, atë që juvet e kini paradhosurë e arnisurë përpara Pillatosë, kur deshi ai ta lëshon me gjukim.
14 Ma juvet arnistë shënjtnë e të drejtinë, e kërkuatë të u dhëronej juvet një njeri gjakëcuar.
15 E atë që ep jetënë e vratë. Atë Perndia e ngjalli nga të vdekuritë, e jemi nevet martirë t’asaj punet.
16 E me besë të ëmërit saj, këtë njeri që shihni e e njihni, e forcoi ëmër’ i tij. E besa që vjen nga ai i dha atij këtë shëndet të gjithë kurmit përpara sivet gjithë juvet.
17 E ndashti, o vëllazër, e di që ju e bëtë nga të padijturitë, si edhe arhondëtë tuaj.
18 Ma Perndia, kështu pagoi ato që pat thënë me gojë të gjithë profitëvet së tij, që do të pëson Krishti.
19 Metanoisni adha e ktheuni, që t’u shuhenë fajetë tuaj; që të vijënë kohërë të parigorisë nga faqea e Zotit.
20 E të dërgojë ndë ju atë Iisunë Hrishtonë që pat qënë dhidhaksurë.
21 Atë duhetë që ta mbajë Qielli ngjera mbë kohë që të vijënë ndë vënd gjithë punëtë që tha Perndia me gojë të gjithë Shënjtorëvet profitet së tij që herën’ e parë.
22 Sepse Moisiu tha mbë baballarë tuaj, që Zoti Perndia juaj, do të bëjë t’u ngrihetë ndë mes të vëllazëret suaj një profit si u, atit t’i mbaji vesh mbë gjith’ ato që do t’u thotë juvet.
23 E cilido që të mos i digjojë atij profitit, do të shuhetë nga llaoi.
24 Edhe gjithë profitëtë që kanë folë që nga Samuili e pastaje, profitepsnë këto dit.
25 Juvet jini djelmt’ e profitet e të dhjatësë që bëri Perndia me baballarë tuaj kur i tha Avraamit: E ndë farë tënde do të jenë bekuarë gjithë fëmijët’ e dheut.
26 Për ju protoparë, ngjalli Perndia të bir’ e tij e ua dërgoi t’u bekojë juvet, që të kthenetë cilido prej jush nga të këqiatë tuaj.