Pali kërkon të gjykohet prej Cezarit
1 Tri ditë pasi kishte arritur në provincë, Festi shkoi nga Cezareja në Jerusalem. 2 Aty kryepriftërinjtë dhe krerët e judenjve i paraqitën padinë kundër Palit. Ata iu lutën 3 dhe i kërkuan si nder që ta dërgonte Palin në Jerusalem. Ndërkohë kishin përgatitur një pritë për ta vrarë rrugës. 4 Festi u përgjigj se Pali ruhej në Cezare dhe se ai vetë do të shkonte së shpejti atje. 5 Ai u tha: «Atëherë, krerët tuaj le të vijnë me mua dhe, nëse ai njeri ka bërë ndonjë faj, le të ngrenë padi kundër tij».
6 Pasi ndenji mes tyre jo më shumë se tetë apo dhjetë ditë, Festi shkoi në Cezare. Të nesërmen u ul në fronin e gjykatësit dhe urdhëroi të sillnin Palin. 7 Kur arriti Pali, atë e rrethuan judenjtë që kishin ardhur nga Jerusalemi dhe bënë shumë padi të rënda kundër tij, por që nuk mund t'i vërtetonin.
8 Pali u mbrojt kështu: «Unë nuk kam bërë mëkat as kundër ligjit të judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit». 9 Por Festi, meqë donte t'u bënte nder judenjve, e pyeti Palin: «A dëshiron të shkosh në Jerusalem dhe të gjykohesh atje para meje për këto padi?». 10 Pali i tha: «Unë jam para gjykatës së Cezarit dhe këtu duhet të gjykohem. Judenjve nuk u kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti e di shumë mirë këtë. 11 Nëse jam në faj e nëse kam bërë diçka që meriton vdekjen, jam gati të vdes. Por, nëse nuk qëndron asnjë nga gjërat për të cilat më kanë paditur, askush nuk mund të më dorëzojë tek ata. Unë kërkoj të gjykohem prej Cezarit».
12 Atëherë Festi, pasi foli me këshillin e vet, iu përgjigj: «Kërkove të gjykohesh prej Cezarit, te Cezari do të shkosh».
Pali para Agripës
13 Pasi kaluan disa ditë, mbreti Agripa e Bernika arritën në Cezare për të përshëndetur Festin. 14 Meqë ata po rrinin aty disa ditë, Festi i paraqiti mbretit rastin e Palit e i tha: «Këtu është një njeri që e ka lënë Feliksi në burg. 15 Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve më paraqitën paditë kundër tij e më kërkuan ta dënoj. 16 Unë u thashë se nuk është zakon i romakëve ta dënojnë dikë, nëse i padituri nuk takohet me paditësit ballë për ballë dhe nëse nuk i jepet mundësia të mbrohet kundër padisë. 17 Ata që kishin ngritur padinë erdhën këtu bashkë me mua dhe unë, pa humbur kohë, u ula të nesërmen në fronin e gjykatësit dhe urdhërova të ma sillnin atë njeri. 18 Paditësit dolën para meje, por nuk ngritën kundër tij asnjë padi nga ato që prisja unë. 19 Të dyja palët kundërshtonin njëra-tjetrën në lidhje me disa çështje të fesë së tyre dhe me njëfarë Jezui që ka vdekur, por që Pali thotë se është gjallë. 20 Meqë nuk dija si ta hetoja këtë çështje, e pyeta nëse dëshironte të shkonte në Jerusalem e të gjykohej atje për këto gjëra, 21 por Pali kërkoi të mbahej i burgosur, derisa çështja t'i kalonte për gjykim lartmadhërisë së tij. Prandaj urdhërova ta ruanin derisa të mund ta dërgoj te Cezari».
22 Agripa i tha Festit: «Dëshiroj ta dëgjoj edhe unë vetë këtë njeri». Festi i tha: «Nesër do ta dëgjosh». 23 Të nesërmen Agripa e Bernika erdhën me shumë madhështi. Ata hynë në sallë me kryemijësit e me burrat e rëndësishëm të qytetit. Atëherë Festi dha urdhër të sillnin Palin.
24 Festi tha: «O mbret Agripë dhe të gjithë ju që jeni këtu me ne, ky është njeriu për të cilin mbarë populli i Judesë më është drejtuar mua, edhe në Jerusalem, edhe këtu, me kërkesën që ky të mos jetojë më. 25 Por unë nuk gjeta tek ai asnjë faj që të meritonte vdekjen dhe meqenëse ai kërkoi të gjykohej para lartmadhërisë së tij, vendosa ta dërgoj atje.
26 Nuk kam asgjë të saktë që t'i shkruaj tim zoti për të. Prandaj e solla para të gjithëve jush, veçanërisht para teje, o mbret Agripë, që, pasi ta kemi marrë në pyetje, të kem ç't'i shkruaj. 27 Sepse më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur pa shënuar edhe paditë që ngrihen kundër tij».
Krie e njëzetepesëtë
1 E Fistua si hiri nd’Eparhi, pas tri ditet vate nga Qesaria nd’Ierusalim.
2 E u duknë përpara tij i pari i priftëret edhe të parët’ e çifutet kondrë Pavllosë, e i lutishnë atij.
3 E i kërkoijnë hir kondr’ atij, që të dërgojë ta bjerë atë nd’Ierusalim, e i bëjnë atij pusi ta vrisnë atë mb’udhë.
4 Ma Fistua u përgjegj që të ruhetë Pavllua ndë Qesari, se edhe ai do të vejë shpejt.
5 Ata dha nga jush, u tha, që mundëjënë të vijënë, le të zbresënë bashkë me mua, e ndë kanë gjë me këtë njeri, le ta kallëzojënë.
6 E si qëndroi mb’ata më tepër se dhjetë dit, zbriti ndë Qesari, e të nesërmenë si ndënji mbë fron porsiti të bijnë Pavllonë.
7 E si e prunë atë, e pështuallë ata çifut që patnë ardhurë nga Ierusalimi, e thoshnë shumë e të mëdha katigorira kondrë Pavllosë, po s’mundnë t’i dëftoijnë të vërteta.
8 Se ai përgjegjej e thosh, që as mbë nom të çifutet, as nd’Iero, as mbë Qesarinë bëri ndonjë faj.
9 Ma Fistua, si duaj të ju bën çifutet hatërë, ju përgjegj Pavllosë, e i tha: Do ti të viç nd’Ierusalim, e atje të gjukoneç për këto përpara meje?
10 Ma Pavllua tha: Unë rri përpara gjuqit së Qesarit, atje duhetë të gjukonem unë, çifutet s’u fëjeva gjë, sikundr’ e di ti fort mirë.
11 Sepse ndë bëra të shtrëmbërë, a ndë bëra punë për vdekëjë, nuk’ i trëmbem vdekëjësë. Ma ndë mos është ndonjë nga këto që më kallëzojënë këta mua, s’ka ndonjë urdhër të m’apë dhuratë mbë ta. Thërres Qesarinë.
12 Ahiere Fistua si kuvëndoi me kshill, u përgjegj: Qesarinë thirre? Te Qesari do të veç.
13 E si shkuanë ca ditet, mbreti Agripa edhe Verniqea erdhë ndë Qesari të hjeretisnë Fistonë.
14 E si u suallë shumë dit atje, Fistua i kuvëndoi mbretit për Pavllonë, e i tha: Është një njeri lënë ndë hekura nga Filiksi.
15 Për këtë kur vajta unë nd’Ierusalim, më duallë përpara të parët’ e priftëret edhe pleqt’ e çifutet, e kërkoijnë që të dëmëtonej ai.
16 E u përgjegjçë mb’ata, se s’ësht’ adet ndë Romanë që të dëmëtonetë me vdekëjë ndonjë njeri, pa dhe pasurë i kallëzuari përpara tij ata që e kallëzojënë, e pa dhënë kohë të përgjegjetë për faj të tij.
17 E si erdhë ata këtu, pa bënë ndonjë të mënuarë, ditën’ e nesërme si ndënja ndë Gjuq, porsita të bijnë njerinë.
18 Për këtë duallë përpara ata që e kallëzoijnë, e nukë prunë ndonjë faj nga to që mendoneshë unë.
19 Po kishnë ca marazara kondr’ atij për besë të ture, edhe për një Iisu që pat vdekurë, e që Pavllua thosh për të se ësht’ i gjallë.
20 E si nukë dijë se ç’të bëjë për një të tillë qartë, thoshë unë, ndë duaj të vej nd’Ierusalim e atje të gjukonej për këto punëra.
21 Ma kur thirri Pavllua të ruhetë për të gjukuarë ndë gjuq t’Avgustoit, porsita ta ruaijnë atë, ngjera sa ta dërgoj atë ndë Qesari.
22 E Agripa i tha Fistosë: Dojë ta digjojë edhe unë këtë njeri. Edhe ai: Nesër, i thotë, do ta digjoç atë.
23 E ditën’ e nesërme erdhi Agripa edhe Verniqia me shumë të fandaksurë, e hinë tek bënetë gjuqia, bashkë me Hiliarhëtë, e me ata njerëz që qenë të parë ndë qutet, e si porsiti Fistua, e prunë Pavllonë.
24 E Fistua thotë: O mbret Agripë, edhe gjithë njerëzitë që jini këtu me ne bashkë, ju e shihni këtë njeri që kondr’ atij gjithë turm’ e çifutet bënë vaj mbë mua edhe nd’Ierusalim edhe këtu tuke thirrturë që s’ësht’ e udhësë të rrojë ai më.
25 Po unë si kupëtova që s’pat bërë ai ndonjë faj për vdekëjë, e si thirri edhe ai Qesarinë, m’u duk e udhësë ta dërgoj atë.
26 E për punë të këtij nukë kam ç’të vërtetë t’i shkruaj Zotit, e andaj e pruva atë përpara juvet, edhe më tepër përpara teje, o mbret Agripë, që si ta pietjëjëmë, të kem ç’t’i shkruaj.
27 Sepse më duketë pun’ e pamënd të dërgoj një njeri lidhurë e të mos shkruaj edhe fajetë që janë kondr’ atij.