Pali te Feliksi në Cezare
1 Pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Hananiah bashkë me disa pleq dhe me një gojëtar që quhej Tertul. Ata i shpjeguan qeveritarit çfarë kishin kundër Palit. 2 Kur thirrën Palin, Tertuli filloi të parashtronte padinë kundër tij e tha: «I nderuar shkëlqesi Feliks, falë teje kemi gëzuar paqe për shumë kohë e falë përkujdesjes sate janë bërë ndryshime të mëdha për këtë popull. 3 Ne ndiejmë mirënjohje të thellë për këtë gjë, gjithmonë e kudo. 4 Por, pa dashur të të mërzit më shumë, të lutem të kesh mirësinë të na dëgjosh shkurtimisht.
5 Ne kemi parë se ky njeri nxit trazira dhe i shtyn të gjithë judenjtë nëpër botë për kryengritje. Ai është kryetari i sektit të nazaretasve. 6 Madje, ai u mundua të përdhoste edhe tempullin, por ne e kapëm . 7-8 Ti do ta gjykosh vetë dhe do të mund të mësosh prej tij gjithçka për të cilën po e padisim».
9 Me këtë padi u bashkuan edhe judenjtë e tjerë dhe thanë se gjërat qëndronin ashtu.
Mbrojtja e Palit para Feliksit
10 Kur qeveritari i bëri me shenjë të fliste, Pali u përgjigj: «Meqenëse e di se ke vite që je gjykatës i këtij populli, kam besim te ti për të bërë mbrojtjen time.
11 Ti mund ta vërtetosh se nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që kam shkuar në Jerusalem për të adhuruar në tempull. 12 Këta nuk më kanë gjetur duke biseduar me ndokënd në tempull apo duke nxitur ndonjë turmë as nëpër sinagoga, as në qytet. 13 Ata nuk mund ta vërtetojnë padinë ndaj meje.
14 Por, po të dëshmoj se sipas Udhës së Zotit Jezu, të cilën ata e quajnë sekt, unë adhuroj Perëndinë e etërve tanë, duke besuar gjithçka që është shkruar në ligjin dhe në librat e profetëve. 15 Unë kam shpresë në Perëndinë, atë shpresë që edhe ata vetë e pranojnë, se të drejtët dhe të padrejtët do të ngjallen. 16 Prandaj përpiqem ta kem ndërgjegjen të panjollosur para Perëndisë e para të gjithë njerëzve.
17 Tani, pas shumë vitesh, u ktheva në Jerusalem për t'i sjellë ndihma popullit tim e për t'i kushtuar flijime Perëndisë. 18 Kur po kryeja ritin e pastrimit, judenjtë më gjetën në tempull dhe aty nuk kishte as turma e as trazirë. 19 Aty gjendeshin disa judenj nga Azia dhe po të kishin ndonjë gjë kundër meje duhej të vinin ata te ti për të ngritur padi. 20 Megjithatë, le ta thonë këta vetë çfarë faji kanë gjetur tek unë kur dola për t'u gjykuar para sinedrit, 21 me përjashtim ndoshta të atyre fjalëve që thashë me zë të lartë para tyre: “Unë po gjykohem sot nga ju, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve”».
22 Por Feliksi, që e njihte mirë Udhën e Zotit Jezu, u tha: «Do të vendos për çështjen tuaj kur të vijë Lisia, kryemijësi» dhe kështu e shtyu gjyqin. 23 Pastaj e urdhëroi kryeqindësin ta ruante Palin, por t'i lejonte edhe njëfarë lirie e të mos pengonte asnjë nga miqtë e tij të kujdesej për nevojat që kishte .
Pali nën mbikëqyrje
24 Pas disa ditësh, kur erdhi Feliksi me gruan e vet Drusilën, që ishte judease, thirri Palin dhe dëgjoi prej tij për besimin në Krishtin Jezu. 25 Kur Pali foli për drejtësinë, vetëpërmbajtjen dhe gjykimin e ardhshëm, Feliksi u tremb e i tha: «Tani për tani mund të shkosh. Do të të thërras kur të kem kohë». 26 Ndërkohë shpresonte se Pali do t'i jepte para , prandaj e thërriste shpesh e fliste me të.
27 Si kaluan dy vjet, pas Feliksit erdhi Porc Festi dhe Feliksi, meqë donte t'u bënte një nder judenjve, e la Palin në burg.
Krie e njëzetekatërtë
1 E pas pesë ditet zbriti Anania, i pari i priftëret, bashkë me pleq, edhe me një ritor Tertillo, e këta duallë te Igjemoni kondrë Pavllosë.
2 E si u thirr edhe ai, nisi Tertillua të kallëzon, e të thosh:
3 O i larti Filik, shumë paq kemi me anë tënde, e me punëra që bëre tij ndë këtë fili, me urtëci tënde, tekdo, e ndë çdo vënd, e e njohmë me efharisti.
4 Ma të mos të të mënoj tij shumë, të lutem të digjoç pak fjalëtë me të butë tat.
5 Gjem këtë njeri të molepsurë, që anangas gjithë çifutë të ngrenë krie ndëpër gjith’ anë; e është i pari i eresit së Nazarinovet.
6 Kij deshi të pëgën edhe Ieronë, e e zum këtë e deshm ta gjukojëm sikundr’ është nomi inë.
7 Ma shkoi Lisia Hiliarhu, e na e rrëmbeu nga duartë me pahir.
8 E urdhëroi të vijnë tek teje ata që e kallëzojënë. E nga ai mund tij me të pieturë të mpsoç gjith’ ato që e kallëzojëmë atë nevet.
9 E bashkë me atë kishnë një kshill edhe çifutë, e thoshnë: Këto ashtu janë.
10 E Pavllua, si i bëri noimë Igjemoni të flit, u përgjegj, e tha: Si e di që urdhëron ti këtë fili që shumë motet, përgjegjem për vetëhe time me zëmërë të gëzuarë.
11 Sepse mund ta mpsoç tij se s’janë më shumë se dimbëdhjetë ditët që kur arçë nd’Ierusalim për të falë.
12 E as nd’Iero më gjenë të kuvëndojë me njeri, as të mbëjedh turmë njerëz, as ndë sinaguaj, as ndë qutet.
13 As mundjënë të m’i bëjënë sipër ato që më kallëzojënë ndashti.
14 Unë të mollojis tij këtë që sikundr’ është këjo udhë (e besësë) që thonë këta eres, kështu lëvdoj Perndin’ e baballarëvet, me të besuarë mbë gjith’ ato që janë shkruarë ndë nom edhe ndë profitë.
15 E kam shpëresë te Perndia, atë që edhe këta presënë, të gjallturit’ e së vdekuret, të së drejtëvet edhe të së shtrëmbëret.
16 E mbë këtë nxitoj edhe unë të kem kurdo Shpirtinë të qëruarë përpara Perndisë, edhe përpara njerëzet.
17 E pas shumë vitet pastaje, arçë nd’Ierusalim të bëjë eleimosinetë e mblatatë ndë fili time.
18 E ndë mes të këture punëravet më gjenë të qëruarë nd’Iero, jo me botë, as me nakatosi, ca çifut nga Anatolia.
19 E ata duhej të qenë këtu përpara teje, e të më kallëzoijnë ndë kanë gjë kondrë mua.
20 A vetë këta le të thonë ndë gjenë tek unë ndonjë adhiqi, kur qëndrova unë ndë mes të mbëjedhëjësë.
21 Përveçme kësaj fjalet vetëmë që qëndrova ndë mes të ture, e thirra, se: unë sot gjukonem prej jush për të ngjallturit’ e së vdekuret.
22 E si digjoi këto Filiksi, i reshti ata, sepse e dij më hollë këtë punë, e u tha: Kur të zbresë Hiliarhu Lisiu, do t’i digjoj punëtë tuaj.
23 E porsiti Ekatondarhnë ta ruan Pavllonë, ma ta vështron më mirë e të mos mbodhis ndonjë nga të tijtë ta shërben atë, a të vin tek ai.
24 E si shkuanë ca dit, erdhi Filiksi bashkë me gruan’ e tij Dhrusilënë, që qe Çifute, e dërgoi e thirri Pavllonë, e digjoi prej si për besë të Krishtit.
25 E tek kuvëndon ai për të drejtë e për vergjëri, e për gjuq që do të vijë, i hiri frikë Filiksit, e tha: Hajde ndashti, e kur të kem kohë do të dërgoj të të thërres tij.
26 Edhe kish tharos se Pavllua do t’i ip ati asprë, që ta lëshon atë, e andaj po e thërrit më nëndurë, e kuvëndon me të.
27 E si u sosnë di vjet, la Filiksi mbë këmbë të tij Porqio Fistonë. E si duaj Filiksi t’u bën hatërë çifutet, la Pavllonë lidhurë.