1 «Vëllezër dhe etër, dëgjoni mbrojtjen time!». 2 Kur dëgjuan se po u fliste hebraisht, u bë qetësi edhe më e madhe. Atëherë ai tha: 3 «Unë jam jude. Kam lindur në Tars të Kilikisë dhe jam rritur këtu në Jerusalem. Kam pasur si mësues Gamalielin dhe jam edukuar pikë për pikë sipas ligjit të etërve tanë, me zell për Perëndinë, sikurse jeni të gjithë ju sot. 4 Unë i kam përndjekur deri për vdekje ata që i përkasin Udhës së Zotit Jezu. Kam lidhur burra e gra dhe i kam futur në burg. 5 Për mua mund të dëshmojnë kryeprifti e tërë pleqësia. Ata më dhanë edhe letra për vëllezërit judenj në Damask, që më ngarkonin për t'i lidhur ata që ishin atje e për t'i sjellë në Jerusalem që të ndëshkoheshin».
Pali tregon sesi u bë i krishterë
(Vp 9.1-19Vp 26.12-18)6 «Kur isha rrugës për në Damask, teksa po i afrohesha qytetit, rreth mesditës, shndriti nga qielli një dritë e fortë rreth meje. 7 Unë rashë përtokë dhe dëgjova një zë që më tha: “Saul, Saul, përse më përndjek?”. 8 Unë u përgjigja: “Kush je ti, o Zot?”. Ai më tha: “Unë jam Jezui i Nazaretit që ti po e përndjek”. 9 Ata që ishin me mua e panë dritën , por nuk e dëgjuan zërin e atij që po më fliste. 10 Unë pyeta: “Zot, ç'duhet të bëj?”. Zoti më tha: “Ngrihu e shko në Damask. Atje do të të thonë gjithçka që të është caktuar të bësh”. 11 Meqë nuk mund të shihja për shkak të shkëlqimit të asaj drite, ata që ishin me mua më morën për dore e më çuan në Damask. 12 Një burrë me emrin Hananiah, njeri i përkushtuar ndaj ligjit e për të cilin judenjtë që jetonin aty flisnin mirë, 13 erdhi tek unë, qëndroi përbri meje e tha: “Vëlla Saul, shih përsëri”. Në atë çast m'u hapën sytë dhe e pashë. 14 Atëherë ai tha: “Perëndia i etërve tanë të ka zgjedhur që të njohësh vullnetin e tij, që të shohësh të Drejtin e të dëgjosh zërin e tij. 15 Ti do të jesh dëshmitar i tij para të gjithë njerëzve, dëshmitar i asaj që ke parë e ke dëgjuar. 16 Dhe tani ç'pret? Ngrihu, pagëzohu e pastrohu nga mëkatet duke thirrur emrin e Zotit”».
Pali çon ungjillin te kombet
17 «Pasi u ktheva në Jerusalem, ndërsa po lutesha në tempull, pata një vegim 18 dhe pashë Jezuin që më tha: “Nxito e largohu shpejt nga Jerusalemi, se ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua”. 19 Dhe unë thashë: “Zot, ata e dinë se në çdo sinagogë unë kam futur në burg dhe kam rrahur ata që besuan në ty. 20 Edhe kur u derdh gjaku i dëshmorit tënd Stefanit, unë isha aty, e miratova vrasjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që po e vrisnin”. 21 Atëherë Zoti më tha: “Shko, se do të të dërgoj larg, te kombet”».
Pali dhe kryemijësi
22 Deri këtu turma e dëgjoi, por pastaj bërtitën me zë të lartë: «Zhdukeni nga dheu këtë njeri. Ai nuk e meriton të jetojë». 23 Turma bërtiste, hidhte rrobat lart e ngrinte pluhur në ajër.
24 Atëherë kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë e u tha ta marrin në pyetje duke e fshikulluar, që të gjenin arsyen pse judenjtë bërtisnin kështu kundër tij.
25 Por, pasi e lidhën me rrobat e tij, Pali i tha kryeqindësit që rrinte pranë: «A ju lejohet të fshikulloni një qytetar romak pa i bërë gjyqin?». 26 Kur e dëgjoi këtë, kryeqindësi shkoi te kryemijësi e i tha: «Kujdes çfarë po bën! Ky njeri është qytetar romak». 27 Kryemijësi erdhi dhe e pyeti Palin: «Më thuaj, a je romak?». Pali i tha: «Po». 28 Kryemijësi u përgjigj: «Mua më ka kushtuar shumë para që ta merrja qytetarinë romake». Pali i tha: «Ndërsa unë kam lindur i tillë».
29 Ata që do ta merrnin në pyetje u larguan menjëherë prej tij. Edhe kryemijësit i hyri frika kur mori vesh se Pali ishte qytetar romak, sepse e kishte lidhur.
Pali para sinedrit
30 Ai donte të dinte me saktësi arsyen se përse po e padisnin judenjtë Palin, prandaj të nesërmen e liroi dhe urdhëroi kryepriftërinjtë e mbarë sinedrin që të mblidheshin. Pastaj solli edhe Palin dhe e nxori para tyre.
Krie e njëzeteditë
1 Njerëz vëllazër e baballarë, digjoni përgjegjëjënë time që bëj unë ndashti përpara juvet.
2 (E poqë digjuanë që u flit ature Çifutërisht, e kaqë më tepër pushuanë. E u thotë:)
3 Unë jam njeri çifut, lerë ndë Tarso të Qiliqisë, ma jam rriturë ndë këtë qutet, e mpsuarë ndë këmbë të Gamaliilit, sikundr’ është e vërtet’ e nomit së baballarëvet, ziliar i Perndisë, sikundrë jini edhe juvet të gjithë sot edhe gjithë ditënë.
4 Unë këtë udhë e ndoqa ngjera mbë vdekëjë, tuke lidhurë e tuke vënë brënda ndë hapsanëra burra e gra.
5 Sikundrë më bën mua martiri edhe i pari i priftëret, edhe gjithë pleqësia, që mora prej suresh edhe kartëra për vëllazër, ndë Dhamasko vejë unë për të prurë nd’Ierusalim lidhurë edhe ata që qenë atje, që të mundonishnë.
6 Ma më gjau mua kur vejë udhësë e u afëruaçë ndë Dhamasko, ndë mes të ditësë papandehurë, më vetëtijti nga Qielli rrotull meje një drit’ e madhe.
7 E raçë mbë dhe, e digjova një zë që më thosh: Saull, Saull, përse më ndjek?
8 E unë ju përgjegjçë: Cili je ti, Zot? E më tha mua: Unë jam Iisui Nazarinoi që ndjek ti.
9 E ata që qenë me mua, dritën’ e panë e u drodhë nga frika, ma zën’ e atij që më foli mua, nuk’ e digjuanë.
10 E un’ i thaçë: Ç’të bëj, o Zot? E Zoti më tha mua: Ngreu e hajde ndë Dhamasko, e atje do të të thuhetë ti për gjith’ ato që do të bëç.
11 E si nukë shohë nga të llampsurit’ e asaj dritet, më hoqnë për doret shokëtë, e arçë ndë Dhamasko.
12 E një njeri Anania, i trëmburë Perndisë sikundr’ është nomi, edhe i mburturë prej gjithë Çifutet që rrijn’ atje.
13 Si erdhi tek unë e ndënji përpara, më tha: Saull vëlla, hap sitë. E unë atë çast e paçë atë.
14 E ai më tha: Perndia e baballarëvet sonë të ka ordhinjasurë ti që krie herësë të njohç thelimën’ e tij, e të shohç të Drejtinë, e të digjoç zë nga goja e tij.
15 Sepse do të jeç martir i atij mbë gjithë njerëz, ature që pe edhe ature që digjove.
16 E ndashti pse sillej? Ngreu e pagëzou, e laj fajet’ e tua, tuke thirrë ëmërin’ e Zotit.
17 E kur u kthieçë nd’Ierusalim e faleshë nd’Iero, më gjau të bjerë ndë një të dalë nga vetiu.
18 E paçë atë që më thosh mua: Anangas. Dil me të shpejta nga Ierusalimi, se do të mos dheksenë martirinë tënde për mua.
19 E un’ i thaçë: Zot, ata e dinë që unë jeshë ai që i vërë ndë hapsanë, e i rrahë ndëpër sinagoje ata që besoijnë mbë tij.
20 Edhe kur derdhej gjaku i Stefanit, martirit sit, unë jeshë përpara, e mbë një kshill për vreëlë të tij, e ruajë rrobat’ e ature që e vrisnë.
21 E më tha mua: Hajde, se unë do të të dërgoj ti ndë filira të larga.
22 E e digjoijnë atë ngjera mbë këtë fjalë, ma pastaje ngrijtinë zën’ e ture e thanë: Ngree nga dheu të tillinë, sepse s’ësht’ e udhësë të rrojë ai.
23 E kur thërritn’ ata, e shtijnë rrobatë poshtë, e ngrijnë pluhur nd’erë.
24 Porsiti Hiliarhu ta shpijnë atë ndë kala e u tha ta rrihnë, e ta pietnë, që të mpson për çfarë punë thërrisnë kondr’ atij.
25 E poqë e shtrijtin poshtë e e lidhnë me rripa ta rrihnë, i thotë Pavllua Ekatondarhut që rrij përpara, ndë kini juvet urdhër të rrihni njeri Roman pa gjukuarë?
26 E Ekatondarhu si digjoi këtë fjalë, u qas te Hiliarhu e i rrëfen, e i thotë: Shih mirë ç’do të bëç, sepse kij njeri është Roman.
27 E Hiliarhu ju afërua, e i tha atij: Thuajmë mua ndë je ti Roman. Edhe ai i tha: Jam me të vërtetë.
28 E u përgjegj Hiliarhu: Un’ e kam blerë këtë kasaba shumë shtrejt. Edhe Pavllua i thotë: Unë jam edhe lerë i tilli.
29 E atë çast u larguanë prej si ata që duajnë ta pietnë atë. Edhe vetë Hiliarhu u frikua, se e njohu që është Roman, edhe sepse e pat lidhurë.
30 E ditën’ e nesërme duaj të njih të vërtetënë, për çfarë punë kallëzonej nga çifutë, e e zgjidhi atë nga të lidhuritë, e porsiti të mbëjidhishnë të parët’ e priftëret edhe gjithë sinodhi i ture. E si e nxori jashtë Pavllonë, e vu përpara ature.