Një vrasje dhe një burgosje
1 Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. 2 Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë. 3 Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të ndorme. 4 Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit. 5 Ndërsa Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të.
Pjetri lirohet nga burgu
6 Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun. 7 Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë e i tha: «Ngrihu shpejt!». Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart. 8 Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Hidh gunën e më ndiq». 9 Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim. 10 Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë.
11 Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndër mend të bënin me mua».
12 Si e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të cilin e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin. 13 Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën. 14 Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera.
15 Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij». 16 Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur. 17 Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi sesi Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit e vëllezërve». Pastaj doli e shkoi në një vend tjetër.
18 Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty. 19 Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që t'i vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty.
Vdekja e Herodit
20 Herodi ishte shumë i zemëruar me banorët e Tirit e të Sidonit. Atëherë ata ranë në një mendje, shkuan tek ai dhe, pasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet nga mbretëria e tij. 21 Në ditën e caktuar Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fron dhe mbajti një fjalim. 22 Populli brohoriste: «Ky është zë perëndie e jo njeriu». 23 E menjëherë një engjëll i Zotit e goditi Herodin, meqë ai nuk i dha lavdi Perëndisë. Ai dha shpirt i brejtur nga krimbat.
24 Dhe fjala e Perëndisë përhapej gjithnjë e më shumë. 25 Barnaba e Sauli, pasi e përfunduan shërbesën në Jerusalem, u kthyen dhe morën me vete Gjonin që quhej edhe Mark.
Krie e dimbëdhjetëtë
1 Mb’atë kohë ahiere nisi mbreti Irodh të shtij duartë e të bën të keq mbë ca njerëz nga të qishësë.
2 E vrau Iakovonë, të vëllan’ e Ioannit, me thikë.
3 E si pa që u pëlqen këjo Çifutet, vuri nijet të zij edhe Petronë (e ishnë dit’ Lipsovet).
4 Atë edhe e zuri e e vuri ndë hapsanë, e e dha ta ru(a)ijnë atë katër tufa trimavet nga katër, sepse pas Pashket duaj ta nxir atë ndë llao.
5 Petrua dha ruhej ndë hapsanë; ma të falturitë te Perndia bënej gjithënjë për atë nga Qisha.
6 E kur duaj Irodhi ta nxir atë, atë natë flij Petrua ndë mes di trimavet, lidhurë me di zinçirë, edhe trimatë përpara derësë ruaijnë hapsanënë.
7 E ja, u gjënd atje Ëngjëlli Zotit e një dritë llampsi ndë shtëpi. E si i ra Petrosë ndë brinjë, e ngrijti atë, e i tha: Ngreu me të shpejta. E i ranë zinçirëtë nga duart’ e tij.
8 E i tha atij Ëngjëlli: Ngjeshu, e mbath këpucët’ e tua. E bëri kështu. E i thot’ atij: Vish rrobënë tënde, e eja pas meje.
9 E dolli, e vij pas si, e nuk’ e dij se ish e vërtetë ajo që bënej me anë t’Ëngjëllit, po i dukej sikur shih ëndërë.
10 E si shkuanë të parin’ e të ditinë karaull të trimavet, erdhë ndë portë të hekurtë e që hin ndë qutet, e ajo u hap mb’ata vetiut. E si duallë e ecnë mbë një udhë, e atë çast iku Ëngjëlli prej si.
11 E Petrua si erdhi ndë vetëhe të tij, tha: Ndashti e njoha me të vërtetë se paska dërguarë Zoti ëngjëllin’ e tij, e më shpëtoi mua nga duart’ e Irodhit, e nga gjithë shpresëja e llaoit së Çifutet.
12 E si e njohu punënë, vate ndë shtëpi të Mariësë s’ëmësë Ioannit, që thuhej Marko, tek qenë mbëjedhurë shumë e falishnë.
13 E si i ra portësë avllisë Petrua, erdhi të digjon një kopile që quhej Rodhë.
14 E si njohu zën’ e Petrosë, nga gëzimi nuk’ hapi portënë, po vrapëtoi brënda e u rrëfeu se është Petrua ndë portë.
15 Edhe ata i thon’ asaj: Ti u marrove. E ajo shtrëngonej të dëfton se kështu është. E ata thoshnë, se ëngjëll’ i tij është.
16 Ma Petrua po rrij e çokanis portënë. E si e hapnë, e pan’ atë, e u çuditnë.
17 E si u bëri ature nishan me dorë të pushoijnë, u rrëfeu ature qish e nxori Zoti atë nga hapsana, e u tha: Rrëfeni këto Iakovoit edhe vëllazëret. E si dolli ateje, vate ndë tjatër vënd.
18 E si u kdhi, u bë shumë nakatosi ndë trima: Vallë ç’u bë Petrua!
19 E Irodhi si e kërkoi atë e nuk’ e gjeti, ksetaksi trimatë që e ruaijnë, e porsiti t’i shpijnë t’i vrisnë, e pastaje zbriti nga Iudhea ndë Qesarië, e rrij atje.
20 E Irodhi ish zëmëruarë mbë Tiriot, edhe mbë Sidhoniot, ma këta vanë tek ai gjithë bashkë, e me ndihmë të Vllastosë, kamarierit së mbretit, kërkoijnë paq, sepse vëndi i ture ushqenej nga vëndi i mbretit.
21 E mbë një ditë të dhiorisurë veshi Irodhi rrobën’ e Mbretërisë e hipi mbë fron, e i dhidhaks ata.
22 E llaoi thosh: Zë Perndiet, e jo njeriut.
23 E atë çast e goditi atë Ëngjëll’ i Zotit, sepse nukë dha lëvdimnë te Perndia. E si u hëngr’ nga krimbatë, dha Shpirtinë.
24 E fjala e Perndisë rritej e shtonej.
25 E Varnava edhe Savllua u kthienë nga Ierusalimi, si sosnë punën’ e ture, e muarrë me vetëhe edhe Ioannë që quhej edhe Marko.