Pjetri e Korneli
1 Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte kryeqindës i asaj që quhej kohorta italike. 2 Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë.
3 Një pasdite, rreth orës tre, pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!». 4 Ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?». Engjëlli i tha: «Lutjet e lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar. 5 Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër. 6 Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi që e ka shtëpinë afër detit ». 7 Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë. 8 Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë.
9 Të nesërmen, rreth mesditës, ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për t'u lutur. 10 Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. 11 Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. 12 Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve , të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit.
13 Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». 14 Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». 15 Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!».
16 Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell.
17 Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. 18 Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. 19 Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. 20 Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë».
21 Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». 22 Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». 23 Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi.
Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të. 24 Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë. 25 Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar. 26 Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam».
27 Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje. 28 Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë. 29 Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?». 30 Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh , pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme. 31 Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua. 32 Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit” . 33 Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».
Kombet dëgjojnë ungjillin
34 Atëherë Pjetri filloi t'u fliste: «Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt. 35 Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia. 36 Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave. 37 Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38 dhe tregon sesi Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e shenjtë e me fuqi, sesi ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të. 39 Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem.
Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit, 40 por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t'i shfaqej 41 jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve.
42 Jezui na urdhëroi t'i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve. 43 Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij».
Kombeve u jepet Shpirti i shenjtë
44 Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin. 45 Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të shenjtë iu dha edhe kombeve 46 dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha: 47 «A mund t'ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e shenjtë sikurse edhe ne?». 48 Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë.
Krie e dhjetëtë
1 E ish një njeri ndë Qesarië, që quhej Kornilio, Ekatondarh nga ortagjia, që thuhej Italianë.
2 I besësë e i frikuarë i Perndisë me gjithë shtëpi të tij, e bën shumë eleimosine ndë llao, e i falej Perndisë gjithënjë.
3 Kij pa faqeza ndë një ëndërë, ngjera nëntë sahat të ditësë, Ëngjëll të Perndisë që hiri tek ai, e që i tha atij: O Kornil.
4 Ma ai si e vështroi atë, e mori frika, e tha: Ç’është, o Zot? E ai u përgjegj atij: Të luturat’ e tua, edhe eleimosinet’ e tua hipnë ndë kujtim përpara Perndisë.
5 E ndashti dërgo njerëz ndë Iop e thirrë një Simon, që quhetë Petro.
6 Kij gostitetë te një Simon Tabak, që është shtëpi e tij mb’anë të detit. Kij do të të thotë ti se ç’duhetë të bëç.
7 E poqë iku Ëngjëlli që kuvëndon me Kornilionë, thirri di nga kopijt’ e tij edhe një trim që kish frikën’ e Perndisë nga ata që kish të besuarë.
8 E si u rrëfeu ature të gjitha ato, i dërgoi ata ndë Iop.
9 E të nesërmenë kur vijn’ ata, e u afëruanë ndë qutet, hipi Petrua ndë taracë të falej, mbë sahat të gjashtësë.
10 E si e muarr uja, deshi të haij bukë. E tek bëijnë ata bukënë gati, i erdhi atij një ekstas.
11 E sheh Qiellnë hapëtë, edhe një enë që zbrit tek ai posi një çarçaf i madh, lidhurë mbë katër anë, e bij mbë dhe.
12 E mb’atë qenë çdo lloi bagëtiet me katër këmbë, edhe bishë, edhe gjërpinjt’ e dheut, edhe zogjtë e Qiellit.
13 E erdhi zë tek ai, e i tha: O Petro, ngreu, pre, e ha.
14 E Petrua tha: Mos qoftë, Zot, sepse kurrë nukë hangra gjë të ndietë a të pëgërë.
15 E përtëri erdhi zëri tek ai për së ditit, e i tha: Ato që i ka Perndia të qëruara, ti mos i bën të pëgëra.
16 E këjo u bë ngjera të tretënë herë. E pagjene u muarr ena lart ndë Qiell.
17 E tek mëndonej Petrua me vetëhe të tij, ç’do të qe të paritë që pa, e ja njerëzit’ e dërguarë nga Kornilioi, tuke pjeturë shtëpin’ e Simonit, arrinë ndë portë.
18 E si thirrë, pietnë nd’është Simoni që ka ëmërinë Petro këtu kondisurë.
19 E tek vij ndër mënd Petrua të paritë që pa, i thot’ atij Shpirti: Ja, tre njerëz të kërkojënë ti.
20 Po ngreu zbrit, e hajde me ta bashkë, pa vënë ndonjë silloi, se un’ i kam dërguarë ata.
21 E si zbriti Petrua mb’ata njerëz që qenë dërguarë nga Kornilioi nde ai, u tha: Ja, unë jam ai që kërkoni. Për çfarë punë erdhtë këtu?
22 Edhe ata i thanë: Kornilioi Ekatondarhu, njeri i drejti, e me frikë të Perndisë, i dëftuarë nga gjithë filia e çifutet, mori urdhër prej Shënjtit Ëngjëllit që të të thërresë ti ndë shtëpi të tij, e të digjojë fjalëra nga teje.
23 E si i kalli ata brënda, i gostiti. E ditën’ e nesërme dolli me ta bashkë Petrua, e vanë me të bashkë edhe ca vëllazër që qenë nga Iopi.
24 E ditën’ e pastajme hinë ndë Qesari. E Kornilioi mbëjodhi gjërit’ e tij e miqt’ e shtrëjtë, e rrij, e prit ata.
25 E tek qe për të rirë Petrua, u poq Kornilioi mbë të, e ra ndër këmbë të tij e ju fal.
26 Po Petrua e ngrijti atë, e i tha: Ngreu, se edhe unë njeri jam.
27 E tuke kuvënduarë me të, hiri mbë shtëpi e gjeti që qenë mbëjedhurë shumë.
28 E u thot’ ature: Juvet mir’ e diji që s’është ndëjierë njëit çifutit të bashkonetë, a t’afëronetë me njeri prej tjetër miletit. Ma mua më dëftoi Perndia të mos thom ndonjë njeri të ndierë a të pëgërë.
29 Pra andaj poqë më thirrë, arçë pa bërë fjalë. U pies adha për çfarë punë më kini thirrturë mua?
30 Edhe Kornilioi tha: Janë katër dit ngjera ndashti që agjërojë, e ndë nëntë sahat faleshë ndë shtëpi time, po kur ja, e qëndroi një njeri përpara meje veshurë me rrobë të bardha.
31 E thotë: O Kornil, t’u digjua të falëtë tat, edhe eleimosinet’ e tua u kupëtuanë përpara Perndisë.
32 Dërgo adha ndë Iop e thirrë Simonë, që quhetë Petro. Kij është konepsurë ndë shtëpi të Simonit Tabakut mb’anë të detit. E si të vijë ai, do të të thotë tij.
33 E atë çast dërgova tek teje. Edhe ti mirë bëre që erdhe. Na, dha, ndashti të gjithë këtu jemi përpara Perndisë, të digjojëmë gjith’ ato që të ka ti Perndia porsiturë.
34 Edhe Petrua si hapi gojënë, tha: Me të vërteta e njoh se Perndia nukë vështron ndë faqe të njerëzet.
35 Po ndë çdo fili, ai që i ka frikën’ atij e bën të drejtënë, është i dheksurë nde ai.
36 Fjalënë që dërgoi ai ndë bij të Israilit, me të vangjelisurë të paqit me anë të Iisu Hristoit. Kij është Zot i gjithëvet.
37 Juvet e diji atë që gjau ndëpër gjithë Iudheë, si bëri nisëjënë nga Galilea, e pas pagëzimit që qiriksi Ioanni.
38 Iisunë nga Nazareti, që Perndia e hrisi atë me Shpirt Shënjt e me fuqi, ai bëri udhënë tuke bërë të mira, e tuke shëruarë gjith’ ata që qenë skllavosurë nga djalli, se Perndia qe bashkë me të.
39 E nevet jemi martirë gjith’ ature punëravet që bëri ndë vënd të çifutet edhe nd’Ierusalim. Ma atë që vranë e e mbërthienë ndë kruq.
40 Këtë Perndia pa e ngjalli mbë të tretënë ditë, e e bëri atë të dukej.
41 Jo ndë gjithë llao, po ndë martirë që qenë hirotonisurë që më përpara nga Perndia, ndë nevet, që hangrëm e pim me të bashkë, si u ngjall ai nga të vdekuritë e pastaje.
42 E na porsiti nevet të dhidhaksjëmë ndë llao e të martirisjëmë se ai është bërë nga Perndia gjukatas i së gjallëvet, edhe së vdekuret.
43 Për këtë apënë martiri gjithë profitë, që të ndëjierit’ e fajevet e merr prej asi cilido që beson nde ai.
44 Edhe po tek flit Petrua këto fjalë, zbriti Shënjti Shpirt mbi gjith’ ata që digjoijnë fjalënë.
45 E u çuditnë ata që besuanë nga të prerëtë sa patnë ardhurë me Petronë, sepse dhurëtia e Shënjtit Shpirt u derdh edhe mbë fili të tjera.
46 Sepse i digjoijnë ata që flisnë mbë tjatër lloi gjuhëra, e që lëvdoijnë Perndinë. Ahiere u përgjegj Petrua, e tha:
47 Vallë, është ndonjë që të na mbodhisjë ujëtë të mos pagëzonenë këta, që muarrë Shënjtinë Shpirt, si edhe navet?
48 E i porsiti ata që të pagëzonenë nd’ëmër të Zotit. Ahiere ju lutn’ atij që të qëndrojë ca dit me ta.