Premtimi Shpirtit të shenjtë
1 Në librin e parë, o Teofil, shkrova për gjithçka që Jezui bëri e u mësoi të tjerëve që nga fillimi 2 e deri ditën kur u ngrit në qiell, pasi u kishte dhënë udhëzime nëpërmjet Shpirtit të shenjtë apostujve që kishte zgjedhur.
3 Jezui, pas vuajtjeve dhe vdekjes, iu paraqit atyre i gjallë për dyzet ditë me shumë prova bindëse dhe u foli për mbretërinë e Perëndisë. 4 Kur po hante me ta, i urdhëroi: «Mos u largoni nga Jerusalemi, por prisni aty premtimin e Atit që keni dëgjuar nga unë. 5 Gjoni pagëzoi me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë».
Ngritja e Jezuit në qiell
6 Ata që ishin mbledhur rreth Jezuit e pyetën: «Zot, a është kjo koha kur ti do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit?». 7 Ai iu përgjigj: «Nuk ju takon juve të dini as kohën, as orën që ka caktuar Ati në pushtetin e vet, 8 por kur të zbresë mbi ju Shpirti i shenjtë do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut». 9 Pasi tha këto gjëra, Jezui u ngrit lart në qiell, ndërsa ata po e shihnin dhe një re e mori lart e ata nuk e panë më. 10 Ndërsa vazhdonin të shikonin drejt qiellit, andej nga ishte larguar Jezui, dy burra të veshur me të bardha qëndruan pranë tyre 11 e u thanë: «Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezu, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell».
Zëvendësuesi i Judës
12 Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve që është afër Jerusalemit rreth një kilometër . 13 Kur hynë në qytet, shkuan te dhoma e sipërme e shtëpisë ku rrinin. Ata ishin Pjetri e Gjoni, Jakobi e Andrea, Filipi e Thomai, Bartolomeu e Mateu, Jakobi i Alfeut, Simon Zelltari e Juda i Jakobit. 14 Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes , së bashku me disa gra, me Marinë, nënën e Jezuit, e me vëllezërit e tij.
15 Në ato ditë, në të njëjtin vend ku ishin mbledhur rreth njëqind e njëzet veta, u ngrit Pjetri mes vëllezërve e tha: 16 «Vëllezër, duhej të përmbushej Shkrimi që Shpirti i shenjtë e paratha nëpërmjet Davidit për Judën, i cili u bë udhëheqësi i atyre që kapën Jezuin. 17 Juda ishte njëri prej nesh dhe kishte marrë pjesë në shërbesën tonë. 18 Ai bleu një arë me shpërblimin e mbrapshtisë së vet. Aty u përplas me kokë poshtë, iu ça barku e iu derdhën të gjitha zorrët. 19 Të gjithë banorët e Jerusalemit e morën vesh këtë gjë, prandaj ara u quajt në gjuhën e tyre “Hakeldama” që do të thotë “Ara e Gjakut”.
20 Dhe ja se çfarë shkruhet në librin e Psalmeve:
u shkretoftë shtëpia e tij
e mos banoftë askush në të!
dhe
tjetërkush ia zëntë vendin!
21 Prandaj, njëri nga burrat që ka qenë me ne gjatë gjithë kohës kur Zoti Jezu shkonte bashkë me ne nga një vend në tjetrin, 22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit, deri ditën kur Jezui u largua prej nesh e u ngrit në qiell, duhet të bëhet dëshmitar i ngjalljes së tij bashkë me ne».
23 Atëherë paraqitën dy veta: Jozefin, që quhej Barsabë e që thirrej Just, dhe Matinë. 24 Pastaj u lutën kështu: «Zot, ti i njeh zemrat e të gjithëve. Na trego cilin prej këtyre të dyve ke zgjedhur 25 për të zënë vendin e Judës në këtë shërbesë e për t'u bërë apostull, sepse Juda e la këtë shërbesë e shkoi udhës së vet». 26 Pastaj hodhën short e shorti i ra Matisë, i cili u bashkua me të njëmbëdhjetë apostujt e tjerë.
Krie e parë
1 Fjalën’ e parë, o Theofil, e shkrova për gjith’ ato që nisi Iisui të bën e të dhidhaks.
2 Ngjera mb’atë ditë që, si dha porsitë me anë të Shënjtit Shpirt apostojet që pat zgjedhurë, hipi ndër Qiell.
3 Mb’ata që dëftoi edhe vetëhen’ e tij të gjallë si pësoi e pastaj me shumë nishane, e dukej mb’ata dizet dit, e u kuvëndon për mbretëri të Qiellvet.
4 E kur qe bashkë me ta, i porsiti, që të mos ndahenë nga Ierusalimi, po të presënë të taksuritë nga babai, që qenë digjuarë nga goja ime.
5 Se Ioanni pagëzoi me ujë, e ju do të pagëzoneni me Shpirt Shënjt, ndashti pas pak ditet.
6 Ma këta si u mbëjuadhë mbë një vënd, e pietnë atë, e i thoshnë: O Zot, vallë ndë këtë vit do t’apç mbretërinë ndë fili të Israilit?
7 E ai u tha ature: Nuk’ është puna juaj të njihni motetë e kohëtë, që i ka vënë babai mb’urdhër të tij.
8 Po si të vijë Shënjti Shpirt mbë juvet do të mirri prei si fuqi; e do të jini martirë të mitë edhe ndë Ierusalim, edhe ndë gjithë Iudeë, e Samarië, edhe ngjera mb’anë të dheut.
9 E si tha këto përpara sivet të ture, u ngre mbë të lartë, e e mori një mjergullë atë nga sit’ e ture.
10 E tek rrijnë e vështroijnë atë që vij ndë Qiell, ja, e u duknë mbanë ture di njerëz me rroba të bardha.
11 E u thoshnë: Njerëz nga Galilea, pse rriji e vështroni ndë Qiell? Kij Iisui që u muarr nga ju, e hipi ndër Qiell, kështu do të vijë sikundrë e patë atë të vejë ndë Qiell.
12 Ahiere u kthienë ndë Ierusalim nga mali që thuhetë i Ullinjet, që është afër Ierusalimit sa është udhë një shëtunej.
13 E poqë hinë ndë shtëpi, hipnë ndë hoçore, tek rrijnë e pritnë Petrua, edhe Iakovoi, edhe Ioanni, edhe Andhrea, Filippoi edhe Thomai, Varthollomeua edhe Mattheua, Iakovoi i biri Allfeosë, edhe Simon Zilloteu, edhe Iudha vëllai i Iakovit.
14 Gjithë këta prisnë me një zëmërë ndë të falë e ndë të luturë bashkë me gra e me Mariënë mëmën’ e Iisuit, e me vëllazër të tij.
15 E mb’ato dit si u ngre Petrua ndë mes të mathitivet (edhe qe mbëjedhurë një turmë mbë një vënd ngjera mbë njëqind e njëzet ëmëret), tha:
16 Vëllazër, duhej që të dil e vërtetë ajo kartë që pat thënë më përpara Shënjti Shpirt me gojë të Dhavidhit, për Iudhënë që u qe kullauz mb’ata që zunë Iisunë.
17 Sepse qe nëmëruarë me nevet bashkë, e ndodhi të kish me short këtë punë që kemi navet.
18 Kij dha bleu një arë nga paga që mori për të keqe; e ra përmbis e plasi ndë mes e ju derdhë mbë dhe zorrët’ e tij.
19 E këjo punë u digjua ndë gjith’ ata që rrijnë ndë Ierusalim, kaqë që ja vunë ëmërinë arësë Aqeldhama ndë gjuhë të ture, që domethënë: Ar’ e gjakut.
20 Se është shkruarë ndë kartë të Psallmovet: U shkretoftë shtëpia e tij e mos ndëjtë njeri mbë të, e punën’ e tij ja martë tjatër.
21 Duhetë dha nga këta njerëz që qenë me navet bashkë gjith’ atë kohë që pat ndënjurë Iisui Zoti me nevet.
22 Që kur nisi nga pagëzimi i Ioannit, ngjera mb’atë ditë që u ngre nga nesh e hipi ndër Qiell, të bënetë martir një nga këta bashkë me nevet të së ngjallturit së tij.
23 E vunë di, Iosifnë që thuhej Varsava, që ai quhej edhe Iusto; edhe Matthianë.
24 E si u falë thanë: Ti Zot, që njeh zëmërat’ e gjithëvet, dëfto cilinë nga këta të di zgjodhe,
25 Të zërë vëndnë e kësaj punet, edhe apostolisë që ra Iudha, që të vejë ndë vënd të tij.
26 E shtinë shorte mbë ta, e ra shorti mbi Matthianë, e u nëmërua bashkë me të njëmbëdhjetë apostojtë.