Kthimi i Zotit
1 Vëllezër, në lidhje me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht kur ne do të takohemi me të, ju lutemi 2 mos lejoni që t'jua marrin lehtësisht mendjen e t'ju turbullojnë me ndonjë vegim gjoja prej Shpirtit, me ndonjë fjalë apo me ndonjë letër të dërguar gjoja nga ne, e t'ju thonë se paska ardhur dita e Zotit. 3 Askush të mos ju mashtrojë në asnjë mënyrë, sepse ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë koha e mohimit të besimit dhe pa u shfaqur njeriu i paudhë, biri i humbjes. 4 Ai do të kundërshtojë dhe do të ngrejë krye ndaj gjithçkaje që quhet Perëndi apo që ka lidhje me adhurimin e Perëndisë. Këtë do ta bëjë që të ulet vetë në tempullin e Perëndisë duke u vetëshpallur perëndi. 5 A nuk e mbani mend se këto gjëra jua kam thënë kur isha ende me ju?
6 Tashmë ju e dini se çfarë e pengon atë që të shfaqet kur të vijë koha. 7 Fuqia e fshehtë e paudhësisë është tashmë në veprim, por që ajo të shfaqet plotësisht, duhet të largohet ai që e ndalon. 8 Dhe atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti Jezu do ta shkatërrojë me hukatjen e tij dhe do ta zhbëjë me shkëlqimin e ardhjes së tij.
9 I paudhi do të vijë me fuqinë e Satanit dhe do të bëjë gjithfarë shenjash e mrekullish të fuqishme e të rreme. 10 Ai do të mashtrojë me padrejtësi të gjithë ata që shkojnë drejt humbjes, sepse ata nuk e deshën të vërtetën që do t'i kishte shpëtuar. 11 Prandaj Perëndia do t'u dërgojë atyre një forcë mashtruese, që ata t'i besojnë gënjeshtrës 12 dhe që të gjykohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por pëlqyen padrejtësinë.
Të zgjedhur për shpëtim
13 Ne duhet ta falënderojmë Perëndinë gjithmonë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi për të qenë të parët që do të shpëtonit përmes Shpirtit që ju shenjtëron dhe përmes besimit tek e vërteta. 14 Ai ju thirri përmes ungjillit tonë, që të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht. 15 Kështu pra, o vëllezër, qëndroni të fortë dhe ruani traditat që ju mësuam, qoftë përmes predikimit, qoftë përmes letrës sonë.
16 Vetë Zoti ynë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, i cili na deshi dhe na dha ngushëllim të amshuar dhe shpresën e mirë me anë të hirit, 17 i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë për çdo vepër e për çdo fjalë të mirë!
Krie e ditë
1 Ndashti u lutemi nevet, vëllazër, për t’ardhurë të Zotit sonë Iisu Hristoit, e për të mbëjedhurë tanë për të.
2 Që të mos liri vetëhenë tuaj që të lozë kaqë shpejt nga mëntë tuaj, as të mos trëmbi, as nga Shpirti, as nga fjala, as nga karta qenehu shkruarë nga nesh, sikur u afërua dita e Krishtit.
3 Mos u gënjejë juvet njeri me ndonjë farë punë, sepse (këjo do të mos jetë) ndë mos gjajtë protoparë rebelia, e ndë mos u çfaqtë njeriu i fajit, i biri i humbëjësë.
4 Ai që rri kondrë e ngrihetë lart mbi gjith’ atë që quhetë Perndi, a të falë, kaqë që do të rrijë ai si Perndi ndë Nao të Perndisë e të dëftojë vetëhenë se është Perndi.
5 Nuk’ e mbai mënd juvet, që edhe kur jeshë ndër ju, ua thaçë juvet këto?
6 E ndashti juvet e diji ç’ësht’ ajo që e mban, që të dëftonetë ai ndë kohë të tij.
7 Sepse ai punon gjithënjë mistirë e së paudhësë, vetëmë që ai që e mban ndashti, e mban ngjera sa të dalë nga mesi.
8 E ahiere do të çfaqetë ai i paudhi, që Zoti do ta bëjë të mos duketë me Shpirtin’ e gojësë tij, e do ta humbasë me të llampsurë të s’ardhurit së tij.
9 T’ardhurit’ e atij së paudhit do të jetë me punë të Satanait me gjithë fuqi, e me nishane, e me thavmëra të së rremësë.
10 E me çdolloi gënjeshtrë t’adhiqisë për ata që humbasënë, sepse nukë dheksnë dashurin’ e së vërtetësë që të shpëtojnë ata.
11 E andaj do të dërgojë Perndia mb’ata energji të gënjeshtrësë, kaqë sa të besojënë ndë gënjeshtrë.
12 Që të gjukonenë gjith’ata që nukë besuanë mbë të vërtetë, po u pëlqeu e paudha.
13 Ma nevet duhetë të lëvdojëmë Perndinë kurdo për juvet, vëllazër të dashurë nga Zoti, sepse u cgjodhi juvet Perndia që herën’ e parë për shpëtim me Shënjtërim të Shpirtit, e me besë të vërtetësë.
14 Mb’atë u thirri juvet me anë t’Ungjillit sonë, për të poktisurë të nderit së Zotit sonë Iisu Hristoit.
15 Qëndroni adha pa luajturë, vëllazër, e mbai porsitë që kini mpsuarë, aqë nga fjala onë, kaqë nga karta onë.
16 E ai vetë Zoti onë Iisu Hristoi, e Perndia e Babai inë, ai që na deshi nevet, e na dha nevet një parigori të pasosurë e një shpëresë të mirë për dhurëti.
17 Le të parigorisjë zëmëratë tuaj, e le t’u forcojë juvet mbë çdo fjalë e punë të mirë.