Profetët dhe mësuesit e rremë
(Jd 4-13)
1 Në popull ka pasur edhe profetë të rremë, ashtu si edhe mes jush do të ketë mësues të rremë. Ata do të fusin fshehurazi mësime të cunguara, rrënimtare, e do të mohojnë edhe të Zotin që i bleu. Kështu do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. 2 Shumë njerëz do të ndjekin fëlligështitë e tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. 3 Nga lakmia për para, ata do t'ju mashtrojnë me fjalë të sajuara. Por gjykimi i tyre, i vendosur qëmoti, nuk do të vonojë dhe shkatërrimi i tyre nuk do të dremisë.
4 Perëndia nuk kurseu as engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në humnerat e skëterrës, ku ruhen të lidhur me pranga në errësirë për ditën e gjykimit. 5 Ai nuk kurseu as botën e lashtë, por kur solli përmbytjen mbi botën e të pafeve, shpëtoi vetëm Noeun, vetë i tetë, predikuesin e drejtësisë.
6 Dënoi me shkatërrim edhe qytetet e Sodomës dhe Gomorrës, duke i bërë hi dhe i bëri shembull për ata që në të ardhmen do të jetonin pa besim. 7 Por shpëtoi Lotin e drejtë, i cili vuante nga sjellja e fëlligësht e të pafeve. 8 Ky i drejtë jetonte mes tyre dhe shpirti i tij i drejtë mundohej dita-ditës kur shikonte me sy dhe dëgjonte me veshë veprat e tyre të paudha.
9 Zoti di t'i shpëtojë nga tundimi ata që i janë përkushtuar atij dhe di t'i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjykimit, 10 sidomos ata që shkojnë pas lakmive të epsheve trupore dhe përbuzin pushtetin e Perëndisë. Ata janë të paturpshëm, përbuzës dhe njerëz që nuk kanë frikë të fyejnë fuqitë e lavdishme qiellore, 11 ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj për nga forca dhe pushteti nuk sjellin para Zotit gjykime fyese kundër tyre. 12 Por ata janë pa mend, si kafshët që lindin për t'u kapur e për t'u therur. Ata flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të shkatërrohen po ashtu si kafshët; 13 do të marrin shpagimin e padrejtësisë. Ata e kanë për kënaqësi kur e kalojnë ditën në shthurje. Është njollë e turp që ata të marrin pjesë në darkat tuaja kur vazhdojnë ende të kënaqen në mashtrimet e tyre. 14 Sytë i kanë plot dëshirë për të bërë tradhti bashkëshortore dhe nuk pushojnë së mëkatuari. Mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, zemrën e kanë të stërvitur për lakmi dhe janë bij mallkimi. 15 Ata e lanë udhën e drejtë dhe u mashtruan e shkuan pas udhës së Balaamit, birit të Bosorit, që donte të fitonte duke bërë padrejtësi. 16 Por ai u ndëshkua për paudhësinë e tij, sepse kafsha pa gojë foli si njeri dhe e pengoi marrëzinë e profetit. 17 Këta janë burime pa ujë dhe re që shtyhen nga era, për të cilët është ruajtur terri i errësirës. 18 Me fjalë të fryra e të kota bëjnë për vete me anë të kënaqësive trupore dhe me anë të fëlligështive ata që sapo kishin shpëtuar prej atyre që jetojnë në mashtrim. 19 U premtojnë liri kur ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse njeriu bëhet skllav i atij që e mposht.
20 Nëse ata që u larguan nga ndyrësitë e botës nëpërmjet njohjes së Zotit dhe të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht ngatërrohen përsëri me këto gjëra dhe mposhten nga ato, atëherë gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para. 21 Do të ishte më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën, ta braktisin urdhërimin e shenjtë që iu dha. 22 Këtu ndodh si te ajo fjala e urtë dhe e vërtetë:
«Qeni u kthye
në të vjellat e veta »
dhe:
«Dosa e larë u kthye
të zhgërryhet sërish në llucë».
Krie e ditë
1 Qenë, pa, ndë llao edhe profitër të rrem, sikundrë do të jenë edhe ndër ju dhaskalë të rrem, ata do të kllasënë erese të humbëjësë, që do të arnisjënë atë Zot që i ka blerë, e do të heqëjnë ndë vetëhe të ture një humbëjë të shpejtë.
2 E shumë do të venë pas humbëjësë ture; për aformi t’ature do të shahetë udha e së drejtësë.
3 E do t’u robërojënë juvet me fjalë të faikuara për lakëmi. Dëmi i këture që motit nukë mënon, e humbëja e këture nukë flë.
4 Sepse ndë mos kurceu Perndia Ëngjëjtë kur fëjienë, po i shtiu ndë Tartaro, e lidhurë me zinçirë të errëcirësë i dha të ruhenë për gjuq.
5 E botën’ e marrë nuk’ e kurceu, po ruajti Noenë vetë të tetë për të dëftuarë të drejtë e pru të mbiturë ndë jetë të së pabesëvet.
6 E qutetet’ e Sodhomësë edhe Gomorrësë i dëmëtoi me të prishurë e i bëri hi, e i bëri ksomblë mb’ata që duanë të bënenë të pabesë.
7 E shpëtoi të drejtinë Llot që qe mbiturë nga të sharatë e nga jeta e ligë e njerëzet të panom.
8 Sepse kij i drejti si rri brënda ndë ta, dit për dit mundon Shpirtinë tij të drejtinë, me të parë e me të digjuarë punërat’ e panome.
9 Di Zoti të shpëtojë të drejtitë nga piraksia, e të shtrëmbëritë t’i ruajë ndë ditë të gjuqit për të munduarë.
10 E më tepërë ata që venë pas kurmit, e ecëjnë udhënë me dëshërim të pëgërit, e ksenderojënë zotëritë, të guxuarë, që duanë vetëmë vetëhenë, nukë trëmbenë të kllasënë eresë mallëkeësh.
11 Tek ëngjëjtë ndonëse janë më të mëdhinj ndë të fortë e ndë fuqi, nukë durojnë kondr’ ature dhoksëvet gjuqit t’urrierë mbanë Zotit.
12 Ma këta posi kafshë të pamënde, bërë nga fisi për të zënë e për të prishurë, shajënë punëratë që nukë njohënë, do të humbasënë nga prishëja e ture.
13 E do të marrënë pagën’ e adhiqisë, ata që silloisjënë të pëlqierë zefqetë që bëjënë përditë, të zhierë e të sharë, tuke ksefandosurë ndë gënjeshtra të ture, kur gostitenë me juvet bashkë.
14 Kanë sitë plot me kurvëri, e me faje të pasosura, tuke gënjierë Shpirtëra të pastereosura, kanë zëmërënë mpsuarë ndë lakëmira, djelm të mallëkimit.
15 Si lanë udhën’ e drejtë, u pllanepsnë, e vanë ndë udhë të Vallaamit, të birit Vosorit, atij që deshi pagë të shtrëmbërësë.
16 Po u qërtua për paranomi të tij nga mushkë pa mënd e pa fjalë, që foli me zë njeriut, e mbodhisi marrëzin’ e Profitit.
17 Këta janë kronjer të paujë, re që i ndjek thëllimi, për ata ruhetë mjergullë e zezë për jetë.
18 Sepse tuke thënë fjalë të majme të gënjeshtrësë, gënjejënë ndë dëshërime të kurmit e ndë kurvërira ata që ikëjnë me të vërtetë prej asuresh që vijënë rrotullë ndë gënjeshtrë.
19 Tuke taksurë ature lefterinë, tek janë ata skllevt’ e prishëjësë, sepse nga ajo punë që mundetë gjithëkush, mb’atë bënetë edhe skllav.
20 Sespe nd’është që iknë molit’ e jetësë me anë të së njohurit së Zotit e atij që shpëtoi nevet, Iisu Hristoit, ndë këto pa janë mbërdhepsurë e mundurë, ature të pastajmetë bënenë më të liga se të paratë.
21 Sespe më mirë qe për ata të mos kishnë njohurë udhën’ e së drejtësë, se si e njohnë, të kthenenë prapë nga porsia e Shënjtëruarë, që qe dhënë mbë ta.
22 Ma u gjau ature këjo e parimisë vërtetë: Qeni u kthe mbë të vjellë të tij; e: Dosa si u la, u kthe ndë lucë të qilisej.