Detyrat ndaj të tjerëve
1 Të moshuarin mos e qorto ashpër, por këshilloje si atë, të rinjtë si vëllezër, 2 të moshuarat si nëna, të rejat si motra, me shumë dëlirësi. 3 Ndero vejushat që janë vërtet të veja. 4 Por nëse një vejushë ka fëmijë ose nipër, këta le të mësojnë, së pari, të tregojnë përkujdesje për njerëzit e shtëpisë së tyre dhe t'ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse këtë gjë pëlqen Perëndia. 5 Por ajo që është vërtet vejushë dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe vazhdon në përgjërime e lutje natë e ditë. 6 Ndërsa ajo që jeton në shthurje është e vdekur edhe pse rron.
7 Kështu porositi vejushat, që të jenë të paqortueshme. 8 Por kush nuk kujdeset për të afërmit e sidomos për ata të shtëpisë së vet, ky e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një i pafe.
9 Vejusha të regjistrohet në listën e vejushave kur të jetë jo më pak se gjashtëdhjetë vjeçe dhe të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm. 10 Ajo duhet të njihet për vepra të mira: i ka edukuar mirë fëmijët, ka qenë mikpritëse, u ka larë këmbët të shenjtëve, i ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar çdo vepre të mirë. 11 Por mos prano vejusha më të reja, sepse kur dëshirojnë të martohen përsëri, largohen nga Krishti, 12 duke marrë gjykimin për shkak se e lanë mënjanë besimin e parë. 13 Në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, dhe jo vetëm përtace, por flasin gjëra që nuk duhet, duke shpifur e duke u marrë me llafe. 14 Prandaj dua që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak kundërshtarit të na përflasë, 15 pasi disa tashmë e lanë udhën e drejtë dhe ndoqën Satanin. 16 Nëse ndonjë besimtare ka ndonjë vejushë në shtëpi, le ta ndihmojë atë e të mos i bëhet barrë kishës, kështu që kisha të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha.
17 Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie. 18 Sepse Shkrimi thotë: kaut që shin, mos i vër kapistër dhe: «Punëtori e meriton pagën e vet».
19 Kundër plakut të kishës mos prano padi, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë. 20 Ata që mëkatojnë, qortoji para të gjithëve, që të kenë frikë edhe të tjerët.
21 Të përbetohem para Perëndisë dhe Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykim e të mos bësh asgjë me anësi.
22 Mos u nxito që përmes vënies së duarve t'i japësh përgjegjësi dikujt e as mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve.
Ruaje veten të dëlirë!
23 Mos pi më vetëm ujë, por pi pak verë për shkak të stomakut e të sëmundjeve të tua të shpeshta.
24 Disa njerëzve u duken qartë mëkatet, edhe përpara se të gjykohen, ndërsa disa të tjerëve u dalin sheshit më pas. 25 Po ashtu edhe veprat e mira duken qartë, ndërsa ato që nuk duken qartë, nuk mund rrinë të fshehura përgjithnjë.
Krie e pesëtë
1 Plaknë mos e qërto, po mpsoe si babanë; të ritë, si vëllazër.
2 Plakatë, si mëma; me të ratë si motra, me çdolloi të qëruarë.
3 Ndero të vatë, ato që janë të vërteta të va.
4 Nd’është ndonjë e ve që ka djelm a ngonër, le t’i mpsojënë protoparë të qivernisjënë shtëpin’ e ture e të paguajnë borçnë që kanë ndë përind, sepse këjo ësht’ e mirë e e dheksurë përpara Perndisë.
5 E ajo pa që është me të vërtetë e ve e e lënë, mbë Perndinë le të ketë shpëresënë, e le të durojë ndë të lutura e ndë të fala nat’ e ditë.
6 Sepse ajo e ve që është mbë të ngrënë e mbë të pirë, vdiqi e gjallë.
7 E këto punëra porsiti, që të jenë pa katigori.
8 E nd’është ndonjë që nukë ka silloi për të tijtë, e më tepërë për ata që janë nga shtëpi e tij, kij ka arnisurë besënë, e është më i lig se një i pabesë.
9 E e veja le të vihetë ndë nëmër të së vavet, jo më poshtë se gjashtëdhjetë vjeç, e të ketë qënë grua e njëit burrit vetëmë.
10 E të jetë martirisurë ndë punëra të mira, ndë ka ushqierë fëmijë, ndë ka priturë Shënjtorë, ndë ka larë këmbët’ e Shënjtorëvet, ndë ka dhënë ndihmë me aft ature që qenë ndë shtrëngim, ndë ka ecurë ndë çdo punë të mirë.
11 Ma të vat’ e ra mërgoi, sepse kur rëndonenë kondrë Krishtit, duanë të martonenë.
12 E kanë dëm sepse e lanë mbrazëtë besën’ e parë.
13 Edhe si janë të papuna mpsojënë të vijënë rrotullë ndëpër shtëpira, e jo vetëmë të papuna, po edhe fjalëshuma e korkosure, e kuvëndojënë ato që nukë kanë hie.
14 Dua adha që të ratë të martonenë, të rritjënë fëmijënë, të bënenë të zonjat’ e shtëpisë, të mos apënë ndonjë aformi atij që është kondrë që t’i shajë.
15 Sepse ndashti më parë dica u kthenë pas Satanait.
16 Ndë qe ndonjë i besësë a e besësë gra të va, le t’u ndihjë ature, e le të mos rëndonetë qisha, që të mundjë të ndihjë ature që janë me të vërtetë të va.
17 Priftëritë që qivernisjënë mirë le të marrënë nderë të dhipllosurë, e më tepërë ata që mundonenë ndë fjalë e ndë dhidhahi.
18 Sepse thotë karta: Mos ja lidhç gojënë kaut kur shin ndë lëmë, e që ergati ësht’ i zoti për pagë të tij.
19 Kondrë njëit priftit kallëzim mos dheks, përveçe me di e me tri martirë.
20 Ata që fëjejënë, qërtoi përpara gjithëvet, që të marrënë frikë edhe të tjerëtë.
21 Të vë ndë be përpara Perndisë e përpara Zotit Iisu Hristoit, e Ëngjëjet së cgjedhurë, që të ruaç të tila punëra pa ndonjë prolips, pa bërë ndonjë punë tuke kthierë mbë jetër anë.
22 Të mos nxitoneç të vëç duartë mbi ndonjë, e të mos marrç pjesë nga fajet’ e së tjerëvet. Ruaj vetëhenë tënde të qëruarë.
23 Mos duaj të piç gjithënjë ujë, po të piç pakëzë verë për stomahnë tënd e për sëmundë të tua të shpejtatë.
24 Fajet’ e dica njerëzet janë të çfaqura e arrijënë ndë gjuq më përpara, ma ndë ca vijënë pas.
25 Ashtu edhe punërat’ e mira janë faqeza, e ato që janë ndrishe nukë mundjënë të fshehenë.