Kujdestarë të hirit
1 Meqenëse Krishti vuajti në trup, atëherë duhet që edhe ju të armatoseni me të njëjtën mendësi, sepse ai që vuan në trup pushon së mëkatuari. 2 Që tani e tutje ta jetoni atë që ju ka mbetur nga jeta në trup jo sipas kënaqësive njerëzore, por sipas vullnetit të Perëndisë. 3 Mjaft kohë keni humbur duke jetuar sipas dëshirave të kombeve, duke jetuar në fëlligështi, në kënaqësi, në dehje, në darka të shfrenuara, në të pira e në idhujtari të neveritshme. 4 Tani atyre u duket çudi që ju nuk rendni më me ta në të njëjtin lumë poshtërsish dhe prandaj ju fyejnë. 5 Ata do t'i japin llogari atij që është gati për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. 6 Për këtë arsye ungjilli iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen sipas njerëzve në trup e të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt.
7 Fundi i të gjitha gjërave është afër! Bëhuni të urtë e rrini zgjuar për lutje.
8 Para së gjithash, të keni dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon shumë mëkate.
9 Jini mikpritës për njëri-tjetrin pa murmuritur.
10 Secili prej jush, si kujdestar i mirë i dhuntive të ndryshme të Perëndisë, ta përdorë dhuntinë e tij për t'u shërbyer të tjerëve. 11 Kush predikon, le të predikojë fjalët e Perëndisë dhe kush shërben, le të shërbejë sipas fuqisë që i jep Perëndia, që Perëndia të përlëvdohet në gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve! Amen!
Vuajtja e të krishterëve
12 Fort të dashur, mos u çuditni për sprovën e zjarrit nëpër të cilën po kaloni për t'u sprovuar, si të ishte diçka e jashtëzakonshme. 13 Por gëzohuni që jeni pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit, që edhe kur të shfaqet lavdia e tij, të gëzoheni e të ngazëlloheni.
14 Lum ju nëse ju tallin për shkak të emrit të Krishtit, sepse Shpirti i lavdisë dhe i Perëndisë prehet mbi ju . 15 Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës apo pse përzihet në punët e të tjerëve. 16 Nëse vuan si i krishterë, të mos ketë turp, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër. 17 Erdhi koha që gjykimi të fillojë nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë?
18 Nëse i drejti
shpëton me vështirësi,
ç'do të ndodhë me të pafeun
e mëkatarin?
19 Ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le të bëjnë të mirën e le t'ia besojnë plotësisht shpirtin krijuesit besnik.
Krie e katërtë
1 Sepse Krishti pësoi ndë kurm për nevet. Armatosi edhe juvet mb’atë kshill, se ai pësoi ndë kurm, pushoi nga faji.
2 Që të mos rrojë më ndë dëshërime të njerëzet, po të rrojë ndë thelimë të Perndisë, kohënë jetërë që i mbet të rrojë ndë kurm.
3 Sepse na është sado moti i shkuarë i jetësë që bëm thelimën’ e Ethnikovet, tuke ecurë ndë kurvërira, e ndë dëshërime, ndë të dejturë, ndë të ngrëna, e ndë të pira, e ndë llatri të panom të idhollëvet.
4 Andaj janë jashtë vetiut e vllasfimisjënë, sepse nukë ndihni juvet mb’atë dhunë të asotisë.
5 Ata do t’apënë fjalë nde ai që është gati të gjukojë të gjallëtë e të vdekuritë.
6 Sepse për këtë pa është dhidhaksurë Ungjilli ndë të vdekurë, që të gjukonenë si njerëzitë sa për kurm, ma të rrojënë si do Perndia sa për Shpirt.
7 Të sosurit’ adha të gjithë punëravet ësht’ afër’. Bëni adha t’urtë, edhe rriji cgjuarë ndë të falurë.
8 E mbi të gjitha të kini dashuri të fortë njeri mbë jatërinë, sepse dashuria do të mbulojë shumë faje.
9 Të jini fillokseni njeri mbë jatërinë, pa të rëndë.
10 Cilido sikundrë muarrtë dhurëtinë, le të bëjë pjesë njeri mbë jatërinë, si konomë të mirë të shumë dhurëtisë Perndisë.
11 Kush kuvëndon, le të kuvëndojë si kuvënde të Perndisë, kush është ndë dhiakoni, le të bëjë dhiakoninë si nga fuqia që i është dhënë nga Perndia; që të lëvdonetë mbë të gjitha Perndia me anë të Iisu Hristoit. Atij është nderi e mbretëria, ndë jetë pas jetet. Ashtu qoftë!
12 Të dashurë, mos çuditi për zjar të madh, të dhezurë kondrë juvet për të dhoqimasurë, sikur u erdhi juvet pun’ e re.
13 Po sikundrë bëni shokë ndë pësime të Krishtit, të gëzoni edhe ndë të çfaqurë të nderit së tij.
14 E ndë u shafçi për ëmër të Krishtit, lum juvet; sepse Shpirti i nderit edhe i Perndisë prëhetë mbë juvet. Ai prej asuresh shahetë, e prej jush nderonetë.
15 Ndonjë adha nga jush le të mos heqjë si gjakëcuar, a si kusar, a si ai që bën të këqia, a si ai që ksetaks punët’ e huaj.
16 Ma ndë pësoftë si i kështërë, le të mos turpëronetë, po le të lëvdojë Perndinë mbë këtë anë.
17 Sepse është kohë që të nisjë gjuqia nga shtëpi e Perndisë. E ndë qoftë përpara nga nesh, ç’do të jetë sosëja e ature që nukë bindenë ndë Ungjill të Perndisë?
18 E nd’është që mezi sosetë i drejti, i pabesi e fajëtori ku do të duketë?
19 Andaj edhe ata që heqjënë për thelimë të Perndisë, le të rekumandarjënë Shpirtëret’ e ture te ktisti i besësë me anë të punëravet së mira.