Bashkëshortët
1 Edhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj! Kështu, edhe nëse disa nuk i binden fjalës së Perëndisë do të fitohen nga sjellja e grave të tyre pa ndihmën e fjalëve, 2 kur të shohin sjelljen tuaj të pastër dhe me respekt. 3 Stolia juaj të mos jetë nga ana e jashtme: flokët gërsheta, stolisja me ar apo veshja e rrobave të shtrenjta, 4 por të jetë njeriu i brendshëm me zemër të pastër e me shpirt të butë e të qetë. Këto nuk prishen dhe janë shumë të çmueshme në sytë e Perëndisë. 5 Sepse kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë. Iu nënshtroheshin burrave, 6 sikurse edhe Sara i bindej Abrahamit dhe e quante «imzot». Edhe ju jeni bija të saj, nëse bëni të mirën dhe nuk keni frikë nga asgjë.
7 Po ashtu edhe ju, burra, jetoni me gratë tuaja, duke pasur parasysh se ato janë më të dobëta. Nderojini, sepse edhe ato do të trashëgojnë hirin e jetës bashkë me ju, në mënyrë që asgjë të mos pengojë lutjet tuaja.
Vuajtja për hir të drejtësisë
8 Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm e të përulur. 9 Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe as poshtërimin me poshtërim! Përkundrazi, bekoni, sepse u thirrët pikërisht për të trashëguar bekimin.
10 Kush e do jetën
e dëshiron të shohë ditë të mira,
le ta ruajë gjuhën nga e keqja
dhe buzët e tij
të mos thonë gënjeshtra.
11 Le të largohet nga e keqja
e le të bëjë të mirën.
Le të kërkojë paqen
e le të rendë pas saj.
12 Sepse sytë e Zotit
janë mbi të drejtët
e veshët e tij
dëgjojnë klithmën e tyre,
por ai u kundërvihet
atyre që bëjnë keq.
13 E kush do t'ju bëjë keq nëse jepeni me zell pas së mirës? 14 Por edhe nëse vuani për hir të drejtësisë, lum ju! Mos kini frikë nga kërcënimet e tyre e mos u tronditni. 15 Nderoni në zemrat tuaja Zotin Krisht dhe jini gjithmonë gati për t'ju përgjigjur atyre që kërkojnë arsyen e shpresës që është në ju. 16 Por bëjeni këtë me butësi, me druajtje ndaj Perëndisë e me ndërgjegje të pastër, në mënyrë që ata që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, të turpërohen për shpifjet. 17 Është më mirë të vuani duke bërë të mirën, nëse ky është vullneti i Perëndisë, sesa duke bërë të keqen.
18 Sepse edhe Krishti vuajti
një herë e përgjithmonë
për mëkatet tona,
ai, i drejti për të padrejtët,
për t'ju çuar te Perëndia.
Ai vdiq me trup,
por u ngjall me anë të Shpirtit.
19 Me anë të Shpirtit, ai shkoi e u predikoi edhe shpirtrave që ishin në burg, 20 të cilët nuk iu bindën Perëndisë kur ai i priste me durim gjatë ditëve kur Noeu ndërtonte arkën. Në të hynë pak njerëz, vetëm tetë frymë, që shpëtuan nëpërmjet ujit.
21 Ky ujë është shëmbëllesa e sotme e pagëzimit që ju shpëton. Nuk ka të bëjë me pastrimin e papastërtive të trupit, por është një premtim që i bëhet me ndërgjegje të pastër Perëndisë. Pagëzimi ju shpëton nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit, 22 i cili u ngjit në qiell e rri në të djathtë të Perëndisë, ku sundon mbi engjëjt, pushtetet e fuqitë qiellore.
Krie e tretë
1 E ashtu edhe gratë le të jenë të bindura ndë burra të ture, sepse ndë mos besofçinë dica ndë fjalë, të pohtisenë pa fjalë nga urtëcia e gravet.
2 Tuke vështruarë ata (bashkë) me nder jetënë tuaj të qëruarënë.
3 T’ature gravet donatia le të mos jetë përjashtazi ndë të dërtuarë të lishëravet, a ndë ar që vënë rrotullë, a ndë stoli të rrobavet që veshjënë.
4 Po stoli është njeriu i fshehurë i zëmërësë me atë që nukë prishetë, do të thom, të Shpirtit së butë e të paluajturit, që është pun’ e vëjierë përpara Perndisë.
5 Sepse ashtu njëherë gratë që shpëreijnë mbë Perndinë stolisnë vetëhen’ e ture, me të bindurë ndë burra të ture.
6 Sikundrë Sarra qe e bindurë mbë Avraamnë, e e thërrit Zot, t’asaj juvet jini vashëza, kur të punoni mirë, e të mos trëmbi nga ndonjë frikë.
7 Ashtu edhe juvet burratë, rroni me urtëci bashkë me gra, si me enë më të smundurë; epni nder (e kurcim) si klironomë që jini me to bashkë dhurëtisë së jetësë, që të mos u mbodhisenë të falatë tuaj.
8 E më të pastajmenë, të jini gjithë me një zëmërë, ndëjesës, miqt’ e vëllazëret, zëmërëbutë, të urtë.
9 Të mos ipni të keq për të keq, a të sharë për të sharë; po kundrë kësaj, të bekoni. Sepse e diji që për këtë jini thirrë, që të merri pjesë bekimnë.
10 Cilido adha që do e dëshëron jetënë, e të shohë ditëra të mira, le t’i vërë frë gjuhësë tij nga e keqia, e buzët’ e tij të mos flasënë gënjeshtrë.
11 Le të mërgonetë nga e keqia, e le të bëjë të mirënë; le të kërkojë paqnë, e le të bëjë të mirënë; le të kërkojë paqnë, e le të bëjë pas asaj.
12 Sepse sit’ e Zotit janë mbi të drejtë, e veshët’ e tij mbë të falë të ture; ma faqia e Zotit kondr’ ature që bëjënë të këqiatë.
13 E cili ësht’ ai që t’u dëmëtojë juvet, nd’u bëfi ziliarë së mirësë?
14 Po edhe ndë pësofçi ndonjë të keq për të drejtë, lum juvet; e mos trëmbi frikën’ e ature, e mos nakatosi.
15 Po bekoni ndë zëmëra tuaj Zonë Perndinë; e jini gati kurdo të epni xhevap cilitdo që t’u kërkojë juvet fjalë për shpëresë që është mbë juvet, me të butë e me frikë.
16 Tuke pasurë sinidhis të mirë, që ndaje t’u shajënë juvet si për të ligj, të turpënonenë ata që u gucitjënë juvet jetën’ e mirë që kini mbë Krishtnë.
17 Sepse është më mirë të heqjë njeri të keq (ndë do kështu thelim’ e Perndisë) tuke bërë të mirë, se tuke bërë të keq.
18 Sepse edhe Krishti një herë vdiqi për faje tona, i drejti për të shtrëmbëritë; që të na bjerë nevet te Perndia, ndonëse u vu ndë mort nga an’ e kurmit, ma u ngjall prej Shpirtit.
19 Me atë edhe vate të dhidhaks mb’ata shpirtëra që qenë ndë hapsanë.
20 Ata panë qënë njëherë të pabesë, atëherë që të duruarit’ e Perndisë rrij e i prit ndë dit të Noesë, kur dërtonej Qivotoja, mb’atë pak (domethënë tetë Shpirt) shpëtuanë mbi ujë.
21 Mb’atë punë për ksomblë është ndashti ata të pagëzuaritë që na shpëton nevet (e nuk’ është të hequrit’ e lerësë kurmit, po omologji me Perndinë të sinidhisit së mirë) me anë të së ngjallturit të Iisu Hristoit.
22 Ai rri mb’anë të djathtë të Perndisë, sepse vate ndër Qiell e ju falë atij ëngjëjtë, edhe eksusitë, edhe fuqitë.