Gjyqet mes besimtarëve
1 Kush nga ju, kur ka ndonjë mosmarrëveshje me një tjetër, guxon të kërkojë të gjykohet para të padrejtëve dhe jo para të shenjtëve? 2 Apo nuk e dini se këta do të gjykojnë botën? Nëse ju do të gjykoni botën, a nuk mund të gjykoni gjëra më të vogla? 3 A nuk e dini se ne do të gjykojmë engjëjt? Atëherë, si nuk mundemi të gjykojmë çështjet e jetës së përditshme? 4 Nëse keni për të gjykuar çështje të tilla, ju caktoni si gjykatës më të papërfillshmit e kishës? 5 Le t'ju vijë turp për këtë që po them! Nuk paska asnjë të urtë ndër ju që të mund të gjykojë një çështje mes vëllezërve?
6 Vëllai çon në gjyq vëllanë e madje para jobesimtarëve?
7 Gjyqet që keni me njëri-tjetrin dëshmojnë se keni dështuar. Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë padrejtësi? Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë dëm? 8 Përkundrazi, ju vetë u bëni padrejtësi e u shkaktoni dëm të tjerëve, madje edhe vetë vëllezërve.
9 Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarët, as idhujtarët, as ata që bëjnë tradhti bashkëshortore, as të zhburrëruarit, as ata që shkojnë me meshkuj, 10 as vjedhësit, as lakmitarët, as pijanecët, as shpifësit, as zhvatësit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. 11 Dhe të tillë ishit disa prej jush, por u latë, u shenjtëruat dhe u bëtë të drejtë në emër të Zotit Jezu Krisht dhe nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë tonë.
Përlëvdoni me trupat tuaj
12 Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por unë nuk do të sundohem nga asgjë. 13 Thonë edhe: «Ushqimi është për barkun dhe barku për ushqimin». Por Perëndia do ta shkatërrojë edhe barkun, edhe ushqimin. Trupi nuk është për kurvëri, por për Zotin dhe Zoti për trupin. 14 Perëndia do të na ngjallë edhe ne me fuqinë e tij, ashtu siç ngjalli Zotin.
15 A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? T'i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e t'i bëj gjymtyrë të lavires? Larg qoftë! 16 Apo nuk e dini se ai që bashkohet me një lavire bëhet një trup me të? Se që të dy do të jenë një trup i vetëm. 17 Ai që bashkohet me Zotin, bëhet një shpirt me të.
18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat tjetër që bën njeriu është jashtë trupit, ndërsa ai që kurvëron, mëkaton kundër vetë trupit të tij. 19 Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të shenjtë që është në ju dhe që jua dha Perëndia dhe se ju nuk i përkisni vetes tuaj? 20 Perëndia ju bleu me një çmim. Përlëvdojeni, pra, Perëndinë në trupin tuaj !
Krie e gjashtëtë
1 Guxon njeri nga jush, kur të ketë qartë me ndonjë, të gjukonetë përpara së shtrëmbëret, e jo përpara Shënjtorëvet?
2 Nuk’ e diji juvet që Shënjtorëtë do të gjukojënë botënë? E nd’është që gjukonetë bota prej jush, s’jini të zotë për të gjukuarë të vogëlë?
3 Nuk’ e diji juvet që na do të gjukojëmë ëngjëjtë, sa më tepër punët’ e kësaj jetet?
4 Ndë kini adha qartëra për punëra të kësaj jetet, viri ndë gjuq të gjukojënë ata që s’janë zënë për fill ndë qishë.
5 E thom këtë që t’u bëj të turpëroni. Kështu adha nuk’ është ndër jush asnjë i dijturë, që të mundjë të hijë ndë mes të gjukojë vëllan’ e tij?
6 Po vëllai me vëllanë gjukonetë, e këtë përpara gjukatëset së pabesë?
7 E është faj i madh me të vërtetë për ju, të kini njeri me jatërinë qartëra. E pse nukë merri më tepërë të sharë? Pse nukë duroni më tepërë dëmnë?
8 Ma juvet bëni të sharë, e biri dëm, e këtë ndë vëllazër.
9 Nuk’ e diji ju që të shtrëmbëritë nukë do të kenë pjesë ndë mbretëri të Perndisë? Mos gënjeni. As kurvjarëtë, as Idhollollatrëtë, as mihotë, as të fëmuaritë, as ata që fëjejënë para jush.
10 As kusarëtë, as tamahqarëtë, as të dejturitë, as fjalëligtë, as ata që rrëmbejënë, do të mos kenë pjesë ndë mbretëri të Perndisë.
11 E të tillë të jeshëtë ca. Po jini larë, po jini Shënjtëruarë, po jini bërë të drejtë me ëmër të Zotit Iisuit, edhe me Shpirt të Perndisë sanë.
12 Të gjitha më janë ndëjierë, po nukë më vëjejënë të gjitha. Të gjitha më janë ndëjierë, po unë nukë do të jem skllavosurë mbë ndonjë.
13 Gjellëratë për bark, e barku për gjellëra, e Perndia do të prishjë edhe këtë edhe ato. Po kurmi nuk’ është për kurvëri, po është për Zotnë, e Zoti për kurmnë.
14 E Perndia edhe Zotnë e ngjalli, edhe nevet do të na ngjalljë me anë të fuqisë tij.
15 Nuk’ e diji që kurmetë tuaj janë krahët’ e Krishtit? Të marr adha unë krahët’ e Krishtit, e t’i bëj krahë të kurvësë? Perndia më ruajtitë!
16 A nuk’ e diji se ai që bashkonetë me kurvënë, bënetë një kurm me atë? Sepse thotë: Do të jenë të di kurmetë mbë një kurm.
17 E ai pa që është bashkuarë me Zotnë, është një Shpirt me të.
18 Ikëni kurvërinë. Çdo faj që bën njeriu është jashtë kurmit. Ma kurvjari fëjen kondrë kurmit së tij.
19 A nuk’ e diji që kurmi juaj është qishë e Shënjtit Shpirtit që është ndër ju, e ai Shpirt u është dhënë nga Perndia, e nukë jini të vetëhesë suaj?
20 Sepse jini blerë shumë shtrëjt. Nderoni Zotnë adha me kurm tuaj, edhe me Shpirt tuaj, që janë të Perndisë.