1 Sikur të flisja gjuhët e njerëzve
dhe të engjëjve,
por të mos kisha dashuri
do të isha si bronzi që kumbon,
ose si cimbali që tingëllon.
2 Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë,
të njihja të gjitha të fshehtat,
të zotëroja të gjitha dijet,
dhe të kisha gjithë besimin
për të lëvizur malet prej vendit,
por të mos kisha dashuri,
nuk do të isha asgjë.
3 Edhe sikur t'ua ndaja të varfërve
gjithë pasurinë
dhe ta jepja trupin të digjej,
por të mos kisha dashuri,
nuk do të më vlente asgjë.
4 Dashuria është zemërgjerë,
dashuria është e mirë,
nuk ka smirë,
nuk krekoset,
nuk mburret,
5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme,
nuk kërkon përfitim,
nuk pezmatohet,
nuk mendon të ligën,
6 nuk gëzohet për padrejtësinë,
por gëzohet me të vërtetën.
7 Dashuria përballon gjithçka,
beson gjithçka,
shpreson gjithçka
dhe duron gjithçka.
8 Dashuria nuk shteron kurrë,
ndërsa profecitë do të reshtin,
gjuhët do të pushojnë
dhe dijet do të marrin fund.
9 Në të vërtetë,
ne kemi dije deri diku
dhe profetizojmë deri diku.
10 Por kur të vijë përsosmëria,
ajo që është e paplotë
do të marrë fund.
11 Kur isha fëmijë,
flisja si fëmijë,
mendoja si fëmijë
dhe arsyetoja si fëmijë;
por kur u bëra burrë,
i hodha tej gjërat fëmijërore.
12 Tani shohim në mënyrë të errët,
si në pasqyrë,
por një ditë do të shohim
ballë për ballë.
Tani njoh deri diku,
por një ditë do të njoh plotësisht,
ashtu siç më njeh Perëndia.
13 Tani mbeten këto të tria:
besimi,
shpresa
dhe dashuria,
por më e madhja ndër to
është dashuria.
Krie e trembëdhjetëtë
1 Ndë kuvëndofça unë gjuhërat’ e njerëzet edhe të Ëngjëllet, e dashuri të mos kem, u bëçë zile që kumbon, a daulle që gjëmon.
2 Edhe ndë paça profiti e të shoh gjithë të fshehuratë, e gjithë të dijturitë, e ndë paça gjithë besënë, sa që të tund maletë, e dashuri të mos kem, nukë jam fare gjë.
3 Edhe ndë ndafça për t’ushqierë të varfëritë gjithë gjënë tim, edhe ndë dafça kurminë tim për të djegurë, e dashuri të mos kem, s’më vëjen fare gjë.
4 Dashuria duron, e bën të mirë. Dashuria s’ka zili, dashuria nuk’ ësht’ e paturpçme, nukë mbahetë mbë të madh.
5 Nukë bën punëra të shëmtuara, nukë kërkon të sajtënë, nukë zëmëronetë, nukë mendonetë të keqenë.
6 Nukë gëzonetë mbë të shtrëmbërënë, po e bën gëzimn’ e saj mbë gëzim të së vërtetësë.
7 Mbë të gjitha ujdisetë, të gjitha i beson, të gjitha i shpëren, të gjitha i pret.
8 Dashuria ndonjëherë nukë bie mbë dhe, ma Profititë do të shkojënë, e gjuhëratë do të pushojënë, e të dijturitë do të prishetë.
9 Sepse nevet pak gjë dimë, e pak gjë profitepsjëmë.
10 Ma kur të vijë e tamamta, atëherë do të mbetetë ajo që qe e pakë.
11 Kur jeshë foshnjë, si foshnjë silloiseshë. Ma kur u bëçë burrë, i laçë ato punëra që qenë të foshnjësë.
12 Sepse ndashti shohëmë ndëpër pasqirë si mb’ëndërrë, po ahiere faqe mbë faqe. E ndashti njoh dica, po ahiere do të njoh mb’atë lloi sikundrë jam njohurë.
13 Ndashti mbetetë besa, shpëresa, dashuria, këto të tria, po m’e madhe nga këto është dashuria.