1 Këndoni Zotit kankë të re, se bani mërekulli; e diathta e ati, edhe krahi i ati i shenjtënuemi e shpëtuenë.
2 Zoti bani të ngjofunë shpëtimin’ e vet, përpara kombevet shpërfaqi dreitënin’ e vet.
3 Pruni ndër mend përdëllimin’ e vet edhe të vërtetën’ e vet për shtëpin’ e Israelit, gjith’ anët e dheut panë shpëtimin’ e Perëndisë t’onë.
4 Brohorini për Zotinë, gjithë dheu; gëzohi, e këndoni, e psallni.
5 Psallni Zotit me qitharë, me qitharë e me za psallme.
6 Bashkë me pipëzë bredhi, edhe me za pipëzë brini, brohorini përpara Zotit Mbëret.
7 Le të gjimojë deti, edhe të mbushunit’ e ati, bota, edhe ata qi rrinë nd’ate.
8 Lumënate le të përpiekinë duertë, maletë le të gëzohenë bashkë, prei faqesë Zotit,
9 se vien me gjukuem dhenë; ka me gjukuem botënë me ligjë, edhe popujtë me dreitëni.
1 Psalm.
Këndojini Zotit një këngë të re,
se vepra të mrekullueshme bëri!
Ngadhënjeu me dorën e tij të djathtë
e me krahun e tij të shenjtë.
2 Zoti e bëri të njohur shpëtimin e tij,
në sytë e kombeve e shfaqi drejtësinë e tij.
3 Iu kujtua mirësia e besnikëria e tij për shtëpinë e Izraelit,
mbarë skajet e tokës e panë shpëtimin e Perëndisë tonë.
4 Të brohorasë për Zotin mbarë toka,
buçisni nga gëzimi, ngazëlleni e këndoni!
5 Këndojini Zotit me harpë,
me harpë e me tingullin e këngës,
6 me trumbetë e me tingullin e bririt,
brohoritni para Zotit, mbretit.
7 Le të ushtojë deti e gjithçka në të,
bota e gjithë banorët e saj.
8 Lumenjtë le të duartrokasin,
malet nga gëzimi tok le të buçasin,
9 para Zotit, se po vjen për të gjykuar tokën.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me paanësi.