Mashhil i Asafit.
1 Përse, o Perëndi, na hodhe tej për kur-do? Përse nxier tym zemërimi yt kundrë dhenvet kullotësë s’ate?
2 Kuito përmbëledhëjenë tande, të cillën’ e fitove çë ndë krye të herësë, shkopin’ e trashigimit t’yt, qi shpërbleve, këtë malin’ e Sionësë, qi ndenje mb’atë.
3 Ngre hapat’ e tua përherë për të shkretuem, për sa të këqia bani anëmiku ndë të shenjtënueminë vendinë tand.
4 Anëmiqt’ e tu ulurijënë ndë miedis të përmbëledhëjesë s’ate, vunë shenjet’ e veta për shenje.
5 Ngjifetë, porsi ndonji qi ngre sëpatënë mbi druna të shpeshë.
6 Kështu tashti ata dërrmuenë përnjiherë të latuemetë punët’ e ati me sëpata e me vare.
7 Doqnë shenjtënorenë tande me ziarrm, ndynë për dhe vendin’ e emënit t’yt.
8 Thanë me zemërët të vet: Le t’i dërrmoimë bashkë; doqnë gjithë përmbëledhëjet’ e Perëndisë ndë dhet,
9 Nukë shofim shenjetë t’ona, s’ka ma profetë, asndonji ndër ne të ngjofi se deri kurë.
10 Deri kurë, o Perëndi, do të shpërnderojë anëmiku? Do të nemi anëmiku emëninë tand kur-do?
11 Përse këthen dorënë tande, edhe të diathtënë tande? Nxir -e prei miedisit gjinit t’yt, edhe vdir’-i.
12 Por Perëndia ashtë çë ndë krye të herësë mbëreti em, qi punon shpëtim ndë miedis të dheut.
13 Ti dave detinë me anë të fuqisë s’ate, ti theve krenët’ e dreqënavet nd’ujënat.
14 Ti theve krenët’ e Leviathanit, edhe ia dhe për të ngranë popullit qi rri ndër shkretina.
15 Ti bane me rriedhunë bunime e purroj, ti thave lumëna të mëdhej.
16 Dita ashtë joteja, edhe nata ashtë joteja, ti bane gati dritën’ edhe diellinë.
17 Ti vune gjithë sinoret’ e dheut, ti bane verën’ edhe dimëninë.
18 Kuito këtë, se anëmiku shpërnderoi Zotinë, edhe populli i marrë nemi emëninë tand.
19 Mos u ep bishavet shpirtin’ e turtullit t’yt, mos harro kurrë mbëledhëjen’ e të vobegëvet tu.
20 Shtierë sytë mbi dhiatënë tande , se u mbushnë vendet’ e errëtë të dheut me shtëpia pa-udhëniash.
21 I mjeri mos u këtheftë mbrapazë i turpënuem, i vobegu edhe i nevojshimi le të lavdurojën’ emëninë tand.
22 Ngreu, o Perëndi, gjyko gjyqinë tand, kuito shpërnderiminë, qi të bani i marri gjithë ditënë.
23 Mos harrojsh zanin’ e anëmiqvet tu; të britunit’ e atyneve qi janë ngritunë kundrë teje, po hypën gjithë-nji.
1 Himn i Asafit.
Përse na hodhe poshtë përgjithnjë, o Perëndi?
Përse vlon zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate?
2 Kujto bashkësinë tënde që nga kohët e lashta fitove,
fisin, që shpëtove dhe trashëgiminë tënde e bëre,
malin e Sionit, ku banesën vure.
3 Drejtoji hapat e tu drejt këtyre rrënojave të përhershme,
armiku shkatërroi gjithçka në shenjtërore.
4 Armiqtë e tu ulërijnë në vendin tënd të shenjtë,
kanë ngritur emblemat e tyre.
5 Na u dukën si ata që vërvitin sëpatat
brenda në pyllin e dendur.
6 E tani me sëpata e me sakica
po ia thyejnë të gjitha gdhendjet.
7 I vunë zjarrin shenjtërores sate,
e rrafshuan, e përdhosën banesën e emrit tënd.
8 E thanë me vete: «T'i shfarosim të gjithë!».
I dogjën të gjitha vendet e shenjta të Perëndisë në këtë tokë.
9 Nuk i shohim më emblemat tona,
as profet nuk ka më,
e askush nga ne nuk e di
edhe sa kohë do të zgjatë.
10 Deri kur, o Perëndi, do të të poshtërojë armiku?
Përgjithmonë do ta përbuzë kundërshtari emrin tënd?
11 Përse e ke tërhequr dorën tënde?
Të djathtën tënde përse e mban në gji?
12 O Perëndi, ti je mbreti im që në lashtësi,
ai që sjell shpëtimin mbi tokë.
13 Me fuqinë tënde e ndave detin,
përbindëshave të ujit u thërrmove kokën.
14 Ti ia shtype kokën Leviatanit,
ia dhe për ushqim popullit të shkretëtirës.
15 Ti bëre të gëlojnë burime e përrenj,
ti thave lumenj të pashtershëm.
16 Jotja është dita, jotja edhe nata,
ti e krijove ndriçuesin dhe diellin.
17 Ti i caktove tërë kufijtë tokës,
ti e përftove verën edhe dimrin.
18 Kujtohu, o Zot, se armiku të ka poshtëruar,
se një popull i marrë ka përbuzur emrin tënd.
19 Mos ua jep bishave shpirtin e turtulleshës sate,
mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu.
20 Përfille besëlidhjen tënde,
se vendet e errëta të tokës
janë mbushur me strofka dhune.
21 I shtypuri mos u ktheftë i poshtëruar,
skamnori e nevojtari përlëvdofshin emrin tënd.
22 Ngrihu, o Perëndi, mbroje çështjen tënde,
kujto poshtërimet që të bën i marri tërë ditën!
23 Mos e harro britmën e armiqve të tu,
ulërimën e kundërshtarëve të tu,
që ngjitet lart pa pushim.