Mbë të parinë kankatuer, mbi Neginoth: Mashhil i Davidit.
1 Mba-i vesh të falunit t’em, o Perëndi, edhe mos këthe sytë mbënjanë prei lutëjesë s’eme.
2 Ki-më kujdes, edhe ndëgjo-më: idhënohem ndë mendim t’em, edhe tundem,
3 prei zanit anëmikut, edhe prei shtrëngimit të pa-besit, se hedhinë pa-udhëni mbi mue, edhe më marrinë mëni me zemërim.
4 Më dridhetë zemëra përmbrenda meje, edhe më muer frikë vdeke.
5 Më erdhi frikë e të dredhunë, edhe më mbuloi tëmer.
6 Edhe thashë: Kush të më epte fletë porsi të pullumbit! Do të fluturoishiem e të prahesh.
7 Qe te do të largohesh tue ikunë, do të shkoishiem kohënë ndë shkretit. Selah.
8 Do të ikëshiem me nxitim prei erësë fortë, e prei thëllimit.
9 Mbyt ata , o Zot, dai gjuhënat’ e atyne, se pashë shtrëngim e të britunë ndë qytet.
10 Dit’ e natë kërkojënë muret’ e asai; edhe pa-udhëni e të shamë ashtë ndë miedis t’asai;
11 e keqe ashtë ndë miedis t’asai, gënjeshtrë e rrenë nukë shterenë prei rrugavet asai.
12 Se të më pasëke shamë anëmiku, do ta kishiem duruem, edhe t’u ngritëkeshe kundrë meje ai qi më ka mëni, do t’ishiem mpëshefunë prei ati,
13 por ishie ti, o njeri, qi je porsi unë, udhë-hiekësi em, edhe i ngjofuni em,
14 qi flitshim bashkë ambëlë, vijshim bashkë me shoqëni ndë shtëpi të Perëndisë.
15 Arthtë vdekë mbi ata, edhe sdrypshinë të gjallë ndë vorr, se janë të këqia ndër të ndenjunat t’atyne, edhe ndërmiet atyne.
16 Unë kam me i thërritunë Perëndisë, edhe Zoti ka me më shpëtuem.
17 Mbramie, e nadie, e mies-ditë kam me u lutun’ e me thërritunë, edhe ka me më ndëgjuem zaninë.
18 Ka me më shpëtuem shpirtinë ndë paqtim prei luftësë, qi ashtë kundrë meje, se shumë vetë i shinë kundrë meje.
19 Perëndia ka me ndëgjuem, edhe ka me përvum’ ata; ai qi ashtë para jetëvet, Selah, se ata s’ndërrohenë, as kanë frikë Perëndinë.
20 Ngjat duert’ e veta kundrë atyne qi janë ndë paqtim me atë, ndyn dhiatën’ e vet.
21 Fjalët’ e gojës’ ati janë ma të buta se tëlyeni, por ndë zemërët t’ati ashtë luftë; fjalët e ati janë ma të buta se voji, por janë thika të sveshëta.
22 Hidh barrënë tande mbë Zotinë, edhe ai ka me të lenuem, kurrë s’ka me lanë të tundet’ i dreiti.
23 Por ti, o Perëndi, ke me sdrypun’ ata ndë pus të humbëjesë; njerëzit’ e gjaknavet e të gënjeshtrësë s’kanë me e mbërrimë ndë gjymësë të ditvet veta, por unë kam me shpëryem mbë tyi.
1 Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Himn i Davidit.
2 Vëri vesh lutjes sime, o Perëndi,
përgjërimit tim mos iu fshih.
3 Dëgjomë e m'u përgjigj.
Përpëlitem i hidhëruar e gulçoj,
4 prej britmës së armikut,
prej shtypjes së të paudhit.
Kanë sjellë fatkeqësi mbi mua,
tërë zemërim më sulmojnë.
5 Zemra më dridhet përbrenda,
tmerret e vdekjes më kanë pushtuar.
6 Frika e tmerri më kanë kapur,
ngjethem i tëri.
7 E thashë: «Kush do të më japë krahë si të pëllumbit,
që të fluturoj larg e të gjej prehje?
8 Ja, larg do të degdisesha,
në shkretëtirë do të banoja. selah
9 Do të gjeja shpejt një vend strehimi,
nga era e furishme e nga stuhia».
10 Pështjelloji, o Zot, dhe përçaji gjuhët e tyre,
se shoh dhunë e grindje në qytet.
11 Ditë e natë qerthullojnë mbi muret e tij,
brenda tij ka paudhësi e mjerim.
12 E ka pushtuar dinakëria,
dhuna e mashtrimi nuk kanë të sosur udhëve të tij.
13 Po të më poshtëronte armiku,
do të duroja,
po të ngrihej kundër meje ai që më urren,
do t'i fshihesha.
14 Por je ti, njeriu i sërës sime,
miku e i njohuri im.
15 Bashkë kuvendonim ëmbël,
tok shkonim në tempullin e Perëndisë.
16 U rëntë papritur vdekja,
zbritshin të gjallë në skëterrë,
se mes tyre dhe në banesat e tyre,
ka bërë vend e keqja.
17 Por unë do t'i thërras Perëndisë
e Zoti do të më shpëtojë.
18 Në mbrëmje, në mëngjes e në mesditë do të ofshaj,
do të rënkoj e ai do të ma dëgjojë zërin.
19 Do të ma shpengojë shpirtin
e do të më japë prehje prej atyre që më sulmojnë,
se të shumtë janë kundërshtarët e mi.
20 Perëndia do të dëgjojë e do t'i poshtërojë,
ai që rri mbi fron qëmoti. selah
Se për ta nuk ka kthim,
Perëndinë nuk e druajnë.
21 Ngrenë dorë kundër miqve të vet,
besën e dhënë e shkelin.
22 Gojën e kishin më të butë se gjalpin,
por në zemër fshihnin luftë,
fjalët e tyre dukeshin më të lëmuara se vaji,
por vringëllonin si shpata.
23 Lërja barrën tënde Zotit
e ai do të të përkrahë,
se ai nuk do të lejojë asnjëherë,
që të tronditet i drejti.
24 Por ti, o Perëndi,
do t'i plandosësh në gropë të thellë.
Gjakatarë e mashtrues janë
e s'do të arrijnë as gjysmën e ditëve.
Ndërsa unë do të kem besim te ti.