Mbë të parinë kankatuer, Mashhil, për të bijt’ e Koreut.
1 Sikurse mallënjen dreni rrëket’ e ujënavet, kështu edhe shpirti em mallënjen për tyi, o Perëndi.
2 Shpirti em ka et për Perëndinë, Perëndin’ e gjallë: kurë do të vij, e do të dukem përpara Perëndisë?
3 Lott’ e mi m’u banë bukë dit’ e natë, kur më thonë për ditë: Ku ashtë Perëndia yt?
4 Këto mendova, edhe derdha shpirtinë t’em përmbrenda meje, se shkoishiem bashkë me gjindëjenë, edhe ecëshiem bashkë me atë, deri ndë shtëpit të Perëndisë, me za gëzimi e lavdurimi, bashkë me gjindëjenë qi festojënë.
5 Përse je i idhënutë, o shpirti em? Edhe përse përzihe përmbrenda meje? Shpëre mbë Perëndinë, se kam me e lavduruem edhe ma: faqeja e ati ashtë shpëtesë.
6 O Perëndia em, shpirti em asht’ i idhënutë përmbrenda meje, përandai kam me të kuituem prei dheut Iordanit edhe Hermonit, prei malit Vogëlë.
7 Abyssa thërret abyssënë ndë za të katarraktevet tu, gjithë valët’ e tua edhe thëllimet’ e tu shkuenë mbë mue.
8 Ditënë Zoti ka me urdhënuem përdëllimin’ e vet, edhe natënë kanka e ati ka me qenunë bashkë me mue, të falunë te Perëndia i jetësë seme.
9 Kam me i thanë Perëndisë, shkrepit t’em: Përse më harrove? Përse ecij i vranëtë prei shtrëngimit anëmikut?
10 Anëmiqt’ e mi, tue dërrmuem eshtënat’ e mia, më shpërnderojënë, tue më thanë për ditë: Ku ashtë Perëndia yt?
11 Përse je i idhënutë, o shpirti em? Edhe përse përzihe përmbrenda meje? Shpëre mbë Perëndinë, se kam me e lavduruem edhe ma, ai ashtë shpëtesa e faqesë s’eme, edhe Perëndia em.
1 Mjeshtrit të korit. Himn i bijve të Korahut.
2 Ashtu si dreri dëshiron rrëketë e ujërave,
edhe shpirti im të dëshiron ty, o Perëndi.
3 Shpirti im është i etur për Perëndinë,
për Perëndinë e gjallë;
kur do të shkoj e të dal para Perëndisë?
4 Lotët janë bërë buka ime, ditë e natë,
teksa përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?».
5 Këtë kujtoj e më mallëngjehet shpirti:
ecja me njerëzit,
drejt shtëpisë së Perëndisë u prija.
Turma kremtonte plot britma gëzimi e falënderimi.
6 Përse lëngon, o shpirti im?
Përse vajton brenda meje?
Shpreso te Perëndia, do ta përlëvdoj sërish,
se prania e tij shpëton.
7 O Perëndia im, m'u këput shpirti,
ndaj dhe të kujtoj prej tokës së Jordanit,
prej Hermonit e prej malit të Micarit.
8 Humnera humnerës i thërret
me ushtimën e ujëvarave të tua,
të gjitha dallgët e valët e tua kaluan mbi mua.
9 Ditën, Zoti dëften mirësinë e tij,
natën unë i thur këngë,
i lutem Perëndisë së jetës sime.
10 Do t'i them Perëndisë, shkëmbit tim:
«Përse më ke harruar?
Përse endem i vranët e i shtypur prej armikut?».
11 Armiqtë më poshtërojnë,
kockat m'i dërrmojnë,
e përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?».
12 Përse lëngon, o shpirti im?
Përse vajton brenda meje?
Shpreso te Perëndia, se do ta përlëvdoj sërish.
Ai është shpëtimtari im dhe Perëndia im.