Mbë të parinë kankatuer. Psallm’ e Davidit, shërbëtorit Zotit, i cilli foli te Zoti fjalët’ e kësai kanke, mb’atë ditë qi e shpëtoi Zoti prei duersh gjith anëmiqvet ati, edhe prei dorësë Saulit, edhe tha:
1 Kam me të dashun’, o Zot, fuqia eme.
2 Zoti ashtë guri em, edhe kasteli em, edhe shpëtimtari em; Perëndia em, shkrepi em; mb’atë kam me shpëryem; mburonja eme, edhe brini i shpëtimit t’em, edhe pyrgu em i nalti.
3 Kam me thirrunë mbë Zotinë, qi ashtë për të lavduem, edhe kam me shpëtuem prei anëmiqvet mi.
4 Më rrethuenë të dhimptuna vdeke, edhe më tremnë përronj pa-udhënie.
5 Më rrethuenë të dhimptuna vorri, ma mbërrinë kurthe vdeke.
6 Ndë shtrëngim t’em thirra Zotit, edhe klitha mbë Perëndinë t’em; më ndëgjoi zaninë prei tempullit vet, edhe klithma eme e mbërrini përpara ndë veshët t’ati.
7 Atëhere u tund edhe u droth dheu, edhe themelet’ e malevet u tuntnë e lueitnë vendit, se u zemërue.
8 Hypi tym prei fejevet hundës’ ati, edhe ziarrm qi diek prei gojës’ ati, thëngjij u ndesnë prei ati.
9 Edhe uli qilltë, edhe sdrypi, edhe ishte errësinë ndënë kambët t’ati.
10 Edhe hypi mbi Qerubim, edhe fluturoi, fluturoi mbi fletët t’erënavet.
11 Vuni errësinë të mpësheftinë vendin’ e vet; tenda e ati ishte qark ati, ishinë ujëna të zes ndër rena të shpesha erënash.
12 Prei ndriçimit përpara ati shkuenë retë, breshën’ edhe thëngjij ziarrmi.
13 Edhe Zoti bumbullini ndë qillt, edhe i Nalti nxori zanin’ e vet: breshën edhe thëngjij ziarrmi.
14 Edhe dërgoi shigjetat’ e veta, edhe shpërdau ata, edhe shumoi vetima, edhe i përzieu.
15 Edhe u duknë bunimet’ e ujënavet, edhe u sbuluenë themelet’ e botësë, prei qirtimit tand, o Zot, prei të frymit frymësë fejevet hundësë s’ate.
16 Dërgoi prei së nalti, e më muer; më hoqi prei ujënash shumëta.
17 Më shpëtoi prei të fortit anëmikut t’em, dhe prei atyneve qi më kanë mëni, sepse ishinë ma të fortë se unë.
18 Ma mbërrini ndë ditë të keqe, por Zoti qe forcati em.
19 Edhe më nxuer ndë vend të gjanë, më liroi, sepse i pëlqeva.
20 Zoti ma shpagoi mbas dreitënisë s’eme, edhe mbas së këthiellëtësë duervet mia ma shpagoi.
21 Se rueita udhët’ e Zotit, edhe nukë dola i pa-besë te Perëndia em.
22 Se gjithë gjyqet’ e ati ishinë përpara meje, edhe nukë largova prei meje urdhënimet’ e ati.
23 Edhe dola faqe-bardhë tek ai, edhe u rueita prej pa-udhënisë s’eme.
24 Edhe Zoti ma shpagoi mbas dreitënisë s’eme, edhe mbas së këthiellëtësë duervet mia përpara syvet ati.
25 Me të dreitinë ke me qenun i dreitë, me njerin’ e qirutë ke me qenun’ i qirutë,
26 me të këthiellëtinë ke me qenun’ i këthiellëtë, edhe me të shtrembëtinë ke me qenun’ i shtrembëtë.
27 Se ti ke me shpëtuem nji popull qi ashtë ndë shtrëngim, por syt’ e madhështorëvet ke me i përvumë.
28 Se ti ke me ndriçuem kandilinë t’em, Zoti Perëndia em ka me ndriçuem errësinënë t’eme.
29 Se me anë tande kam me thyem ushtëri, edhe me anë të Perëndisë t’em kam me kapërcyem murë.
30 Udh e Perëndisë asht’ e qirutë, fjal’ e Zotit asht’ e shprovueme, ashtë mburonja e gjith’ atyneve qi shpërejënë mb’atë.
31 Sepse kush ashtë perëndi, veç Zotit? Edhe kush ashtë shkrep, veç Perëndisë t’onë?
32 Perëndia asht’ ai qi më ngjesh fuqi, edhe ban të qirutë udhënë t’eme.
33 Ban kambët’ e mia porsi të drenavet, edhe më qindron mbi vende të naltë.
34 Mëson duert’ e mia ndë luftë, edhe bani krahat’ e mi hark të ramtë.
35 Edhe më dhe mburonjën’ e shpëtimit tand, edhe e diathta jote më ndimoi, edhe të mirëtë t’at më rriti.
36 Sgjanove hapat’ e mia përposh meje, edhe kambët’ e mia nuk’ u tuntnë.
37 Ndoqa anëmiqt’ e mi, edhe i mbërrina, edhe nuk’ u këthyeshë der sa s’mbetnë ma.
38 Dërrmova ata, edhe s’muftnë me u ngritunë: ranë ndënë kambët e mia
39 Edhe më ngjeshe fuqi ndë luftë, vune ndënë kambët e mia ata qi u ngritnë kundrë meje.
40 Edhe bane anëmiqt’ e mi të më këthejënë shpinënë, edhe prishe ata qi më kanë mëni.
41 Thërritnë, por s’kishte kush me i shpëtuem, thërritnë Zotit, por nuk’ i ndëgjoi.
42 Atëherë i hollova porsi pluhunë përpara faqes’ erësë, i hodha porsi baltën’ e udhëvet.
43 Më shpëtove prei kundrë-fjalëvet popullit, më vune krye kombesh; nji popull, qi nuk’ e ngjofta, më shërbeu.
44 Porsa ndëgjuenë me veshë, edhe më ndëgjuënë, të bijt’ e të huejvet ulnë kryetë tek unë.
45 Të bijt’ e të huejvet u shpërdanë, edhe u tremnë ndë të mpësheftat vendet e vet.
46 Rron Zoti, edhe qoftë bekuem shkrepi em, edhe u naltoftë Perëndia i shpëtimit t’em.
47 Perëndia qi merr shpagim për mue, edhe ve popujtë ndënë mue, i cilli më shpëton prei anëmiqvet mi.
48 Po, më nalton përmbi ata qi janë ngritunë kundrë meje, më shpëtove prei njeriut pa-udhë.
49 Përandai kam me të lavduruem ndërmiet kombevet, o Zot, edhe kam me psallunë për emninë tand.
50 Ai madhënon shpëtimet’ e mbëretit vet, edhe përdëllen të lyemin’ e vet, Davidin’ edhe farën’ e ati për gjithë jetënë.
1 Mjeshtrit të korit. Himn që Davidi, shërbëtori i Zotit, i drejtoi Zotit ditën që Zoti e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit. 2 Davidi tha këto fjalë:
Të dua, o Zot, fuqia ime.
3 Zoti është shkëmbi im,
fortesa ime dhe çliruesi im,
është Perëndia im,
është shkrepi ku gjej strehë.
Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim,
ai është kështjella ime.
4 Lavdi pastë Zoti!
I thirra e nga armiqtë shpëtova.
5 Litarët e vdekjes më mbërthyen,
përrenj shkatërrimi më tmerruan.
6 Leqet e skëterrës më rrethuan,
më zunë pritë grackat e vdekjes.
7 Kur u gjenda ngushtë, i thirra Zotit,
i klitha për ndihmë Perëndisë tim.
Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim,
klithma ime arriti te veshët e tij.
8 Ndaj toka u drodh e u trand,
themelet e maleve u shkundën e luajtën vendit,
prej zjarrit të zemërimit të tij.
9 Tym doli nga flegrat e hundës së tij
e nga goja e tij zjarr shkrumbues.
Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan.
10 Qiejt i uli dhe zbriti poshtë,
me një re të errët nën këmbë.
11 Hipur mbi një kerub fluturoi,
flatroi mbi krahët e erës.
12 Errësirën e hodhi rreth vetes si rrobë,
tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta.
13 Prej shkëlqimit të tij dilnin
re, breshër e prush i zjarrtë.
14 Zoti bëri të gjëmojnë qiejt,
i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri,
breshër e thëngjij zjarri.
15 Shigjetat e tij dërgoi e i shpërndau,
me rrufe i gjuajti e i shpartalloi.
16 Burimet e ujërave u dukën,
themelet e tokës u zbuluan,
prej qortimit tënd, o Zot,
prej shfryrjes së flegrave të tua.
17 Dorën shtriu nga lart e më kapi,
më nxori prej ujërave të shumtë.
18 Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm,
nga ata që më urrenin,
që ishin më të fortë se unë.
19 M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime,
por Zoti u bë përkrahësi im.
20 Më nxori në vend të hapur,
më shpëtoi se më kishte për zemër.
21 Kështu bëri Zoti me mua,
se jam i drejtë,
kështu më shpërbleu,
se të pastra duart i kam.
22 Udhët e Zotit kam ndjekur
e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi.
23 Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh,
nga rregullat e tij nuk shmangem.
24 Kam qenë i ndershëm me të
dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur.
25 Zoti më shpërbleu, se jam i drejtë,
se e pa që duart i kam të pastra.
26 Njeriut besnik ti i qëndron besnik,
me të ndershmin i ndershëm tregohesh.
27 Me njeriun e pastër tregohesh i pastër,
por me të mbrapshtin tregohesh dinak.
28 Popullin e përvuajtur e shpëton,
por sytë e krenarëve i ul poshtë.
29 O Zot, ti i jep dritë llambës sime,
Perëndia im ma ndriçon errësirën.
30 Me ty do t'i sulmoj çetat plaçkitëse,
me Perëndinë tim do t'i kapërcej muret.
31 Udha e Perëndisë është e përsosur,
fjala e Zotit e sprovuar në zjarr,
ai është mburojë i të gjithë atyre
që kërkojnë strehë tek ai.
32 Kush tjetër është Perëndi veç Zotit?
Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë?
33 Perëndia që më dha forcë
e ma bëri udhën të përsosur.
34 Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit,
në vende të larta më vuri të qëndroj.
35 Duart m'i mësoi për betejë,
që krahët e mi të ndejnë hark bronzi.
36 Më dhe mburojën e shpëtimit tënd,
e djathta jote m'u bë krah,
mirësia jote më madhëroi.
37 E shtrove udhën para hapave të mi
e këmbët nuk më rrëshqitën.
38 I ndoqa pas armiqtë e i zura,
nuk do të kthehem pa i shkatërruar.
39 I qëllova e më nuk ngrihen,
ranë para këmbëve të mia.
40 Më dhe forcë për të luftuar
e ata që m'u ngritën kundër
nën këmbë m'i përkule.
41 I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin,
ata që më urrenin i zhbiva.
42 Klithën me të madhe,
por s'kishte kush t'i shpëtonte,
i thirrën edhe Zotit,
por nuk iu përgjigj.
43 I thërrmova si pluhurin që e merr era,
i flaka jashtë si baltën e rrugës.
44 Më çlirove nga grindjet e popullit,
në krye të kombeve më vure,
një popull që nuk më njihte më shërbeu.
45 Me të dëgjuar për mua u bindën,
bijtë e të huajve u përkulën para meje.
46 U zbehën, u drodhën,
e nga fortesat e tyre dolën.
47 Zoti është i gjallë!
Bekuar qoftë shkëmbi im!
Perëndia i shpëtimit tim u madhëroftë!
48 Ai merr shpagim për mua,
popujt nën këmbë m'i nënshtron
49 dhe nga armiqtë e mi më çliron.
Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi,
prej njeriut të dhunshëm më shpëton.
50 Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o Zot,
dhe emrin tënd përhimnoj.
51 Zoti ia shton fitoret mbretit të tij,
tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet,
Davidit e gjithë pasardhësve të tij.