Mashhil i Asafit.
1 Ven’-i vesh ligjësë s’eme, o populli em, ulni veshëtë tuei mbë fjalët’ të gojësë s’eme.
2 Kam me hapunë gojënë t’eme ndë parabullë, kam me folunë fjalë të errëta çë ndë krye të herësë.
3 Sa ndigjuem e ngjoftëm, edhe na treguen’ atenitë t’anë.
4 S’kemi mei pshefunë prei dielmvet atyne ndë tietërë bres, tue diftuem lavdurimet’ e Zotit, edhe fuqin’ e ati, edhe mërekullit e ati, qi bani.
5 Edhe ngriti deshmim te Iakobi, edhe vuni ligjë ndë Israel, për sa urdhënoi atenitë t’anë me i bamë të ngjofuna te bijt’ e vet,
6 për me ngjofunë brezi tietërë, bijtë qi kanë për me lemë: do të rriten’ e do t’ua tregojënë bijvet vet,
7 qi të venë shpëresën’ e vet mbë Perëndinë, edhe të mos harrojënë punët’ e Perëndisë, edhe të ruejën’ urdhënimet’ e ati,
8 qi të mos bahenë porsi atenit’ e atyneve, bres i shtrembët’ edhe i pandigjueshim, bres qi nukë ndreqi zemërën’ e vet, edhe frym’ e ati nuk’ i mbaiti besënë Perëndisë.
9 Porsi të bijt’ e Efraimit, tue ngrefun’ e tue siellë me harqe, u këthyenë mbrapa ditën’ e luftësë.
10 Nuk rueitnë dhiaten’ e Perëndisë, edhe nukë deshnë me ecunë ndë ligjë të ati.
11 Edhe harruenë punët’ e ati, edhe ato mërekullit e ati, qi u pat diftuem.
12 Ndër syt të atenavet atyne bani mërekullime ndë dhet të Misirit, ndë fushë të Zoanit.
13 Çau detinë, edhe i shtiu mb’-at’-anë, edhe vuni ujënate porsi grumbullë,
14 edhe u hoqi udhënë ditënë ndë re, edhe gjithë natenë ndë dritë të ziarrmit.
15 Çau gurë ndë shkreti, edhe u dha me pimë ujë, porsi prei abyssavet mëdha,
16 edhe nxuer ujë prei gurit, edhe sdrypi ujëna porsi lumëna.
17 Por ata gjithënji fëjeishinë ma tepërë kundrë ati, tue idhënuem të Naltinë ndë vend të thate.
18 Edhe gërganë Perëndinë ndë zemërët të vet, tue lypunë të ngranë mbas andësë vet,
19 edhe folnë kundrë Perëndisë, tue thanë: Mos mundetë Perëndia me bamë gati truvezë ndë shkreti?
20 Përandai i ra gurit, edhe rrothnë ujëna, edhe vrijuenë purroj, mos mundetë me dhanë edhe bukë? A me bamë gati mish për popullin e vet?
21 Për këtë ndigjoi Zoti, edhe u zemërue, edhe u ndes ziarrm kundrë Iakobit, por hypi edhe zemërim kundrë Israelit,
22 se s’i besuenë Perëndisë, as shpëryenë ndë shpëtim të ati.
23 Ndonëse urdhënoi retë së nalti, edhe hapi dyert’ e qiellit,
24 edhe lëshoi shi manne tek ata për me ngranë, e u dha grunë qielli.
25 Njeriu hangër bukë engjujsh, u dërgoi ushqim deri sa u nginë.
26 Ngriti ndë qiell erën’ e së lemesë, edhe pruni erë shiu me anë të fuqisë vet.
27 Edhe lëshoi shi mishi mbi ata, porsi pluhunë, edhe shpendë fluturake, porsi ranën’ e detit,
28 edhe ranë ndë miedis të ushtërisë atyne, rreth tendavet atyne,
29 edhe hangrën, e u nginë fort, edhe u bani dëshërimin’ atyneve.
30 Nuk’ u shternë prei dëshërimit vet. Por edhe kur ishte të ngranët’ e atyneve ndë gojët t’atyneve,
31 edhe zemërimi i Perëndisë erdhi mbi ata, edhe vrau ma të mëdhejtë prei atyne, edhe vuni poshtë të sgjedhunit’ e Israelit.
32 Me gjithë këto fëjyen’ edhe ma, edhe nuk’ u besuenë mërekullivet ati.
33 Përandai prishi ditt’ e atyneve ndë të kotë, edhe viet’ e atyneve së shpeiti.
34 Kur i vriste, ateherë e kërkoishinë, edhe këtheheshin’ e pritshinë Perëndinë herët,
35 edhe kuitojëshinë, se Perëndia ashtë ndifmësi i atyneve, edhe i nalti Perëndi ashtë shpërblimtari i atyneve.
36 Edhe e dojshinë me gojën’ e vet, por e rreishinë me gjuhën’ e vet,
37 edhe zemëra e atyne nuk’ ishte e dreitë tek ai, as nukë qenë besëtarë ndë dhiatet t’ati.
38 Por ai ishte i dhimpshim, edhe u fali fajetë, edhe nuk’ i vdori, edhe shumë herë ndali zemërimin’ e vet, edhe nukë lëshoi gjithë mënin’ e vet,
39 edhe i ra ndër mend, se ishinë mish, erë qi shkon, e s’këthehetë ma .
40 Sa herë e idhënuenë ndë shkretinë, edhe e zemëruemë ndë dhe të thate.
41 Edhe u këthyenë, e gërganë Perëndinë, edhe nxenë Shenjtin’ e Israelit!
42 Nukë menduenë dorën’ e ati, ate ditë qi i shpëtoi prei anëmikut;
43 kush diftoi shenjet’ e veta ndë Misirë, edhe mërekullit’ e veta ndë fushë të Zoanit,
44 edhe këtheu lumënat’ e atyneve mbë gjak, edhe rrëkenat’ e atyneve, qi të mos pijnë?
45 U dërgoi mizë qeni, edhe i hangër, edhe bretëkosa, edhe i vdori.
46 Edhe dha pemët’ e atyneve krymbit, edhe mundimet’ e atyneve karcalecit.
47 Prishi vëneshtët’ e atyneve me breshënë, edhe mandat’ e atyneve me brymë,
48 edhe dha bagëtit’ e atyneve breshënit, edhe tufat’ e atyneve rrufevet.
49 Solli mbi ata të nxetët’ e zemërimit vet, zemërim e mëni e shtrëngim, tue dërguem ato me anë engjujsh keq-bamës.
50 I hapi udhë zemërimit vet, edhe s’kurseu shpirtin’ e atyneve prei vdekësë, edhe dha jetën’ e atyne ndë mort,
51 edhe i ra çdo paralindësi ndë Misirë, ballin’ e fuqisë atyneve ndë tendët të Hamit,
52 edhe ngriti prei andej popullin’ e vet porsi dhen, edhe u hoq udhënë ndë shkreti porsi tufeje,
53 edhe u hoq’ udhënë mbë shpëresë, edhe nuk’ u frikuenë; edhe deti mbuloi anëmiqt’ e atyneve.
54 Edhe i shtiu ndë synuer të shenjtënisë vet, ndë këtë mal, qi fitoi e diathta e ati,
55 edhe përzuni kombetë prei sysh atyneve, edhe ua dau trashigiminë me littar, edhe nguli farat’ e Israelit ndë tendat t’atyneve.
56 Por ata gërganë edhe idhënuenë Perëndin’ e naltë, edhe nukë rueitnë deshmimet’ e ati,
57 por u këthyenë, e duelnë prei fjalësë, porsi atenit’ e atyneve, u këthyenë porsi hark i shtrembëtë;
58 edhe e zemëruenë me tempuj ndër kodrat e veta, edhe e shtinë ndë zmir me të gëdhendunat e atyne.
59 Ndigjoi Perëndia, edhe u zemërue tepërë, edhe iu ndye fort Israeli,
60 edhe hoq dorë prei tendësë Shiloit, asai tendësë qi pat ndenjunë ndërmiet njerëzish,
61 edhe dha fuqin’ e ati ndë robëni, edhe lavdin’ e ati ndë dorë të anëmikut.
62 Edhe dha popullin’ e vet ndë gojë të shpatesë, edhe u zemërue tepërë kundrë trashigimit vet.
63 Ziarrmi hangër dialoshët’ e atyneve, edhe virgjineshat’ e atyneve nukë panë gëzim.
64 Priftënit’ e atyneve ranë ndë gojë të shpatesë, edhe të vejat’ e atyneve nukë qjanë.
65 Ateherë Zoti u ngrit porsi prei gjumit, si nji njeri i fortë, qi bërtet prei venësë,
66 edhe u ra anëmiqvet vet mbrapazë, u dha shpërnderim për gjithë jetënë.
67 Edhe hodhi tej tendën’ e Iosefit, edhe nukë sgjoth farën’ e Efraimit,
68 por sgjoth farën’ e Iudësë, malin’ e Sionësë, të cillin’ e deshi.
69 Edhe ndërtoi shenjtënoren’ e vet porsi shtëpi të naltë, porsi dhenë qi themeloi për gjithë jetënë.
70 Edhe sgjoth Davidinë shërbëtorin’ e vet, edhe e hoq prei tufavet dhenvet;
71 mbrapa pëllorevet e pruni, për me kullotunë Iakobinë popullin’ e ati, edhe Israelinë trashigimin’ e ati.
72 Edhe i kulloti mbas zemrësë vet pa të keqe, edhe u hoq udhënë me të vëjefshimet duert e veta.
1 Himn i Asafit.
Vër re, o populli im, ligjin tim,
mba vesh fjalët e gojës sime.
2 Gojën do të hap e do të flas me shëmbëlltyra,
do të tregoj të fshehta nga e shkuara.
3 I kemi dëgjuar e i kemi ditur,
etërit tanë na i kanë treguar.
4 Nuk do t'ua mbajmë të fshehta bijve të tyre,
brezit të ardhshëm do t'ua tregojmë,
veprat e lavdishme dhe fuqinë e Zotit,
mrekullitë që ai bëri.
5 Ai vendosi një dëshmi për Jakobin,
caktoi një ligj në Izrael.
Etërve tanë u urdhëroi,
që bijve të tyre t'ua shpallin,
6 që t'i njohë edhe breznia e ardhshme,
bashkë me fëmijët që do të lindin.
E kur të rriten edhe ata,
bijve të vet do t'ua tregojnë,
7 që shpresën ta vënë te Perëndia,
që veprat e Perëndisë mos t'i harrojnë
e urdhërimet e tij t'i mbajnë,
8 që të mos bëhen si etërit e tyre,
një brez kokëfortë e kryengritës,
një brez me zemër të luhatur
e me shpirt të pabesë ndaj Perëndisë.
9 Bijtë e Efraimit, harkëtarë të zotë,
ditën e betejës shpinën kthyen.
10 Nuk e mbajtën besëlidhjen e Perëndisë,
nuk deshën të ecnin sipas ligjit të tij.
11 I harruan veprat e tij
dhe mrekullitë që u kishte dëftyer.
12 Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli,
në tokën e Egjiptit, në fushën e Coanit.
13 E ndau detin e i kaloi përmes,
ujërat i ndali e i bëri pirg.
14 Ditën u printe me një re,
gjithë natën me dritë flakëruese.
15 Në shkretëtirë çau shkëmbinj,
u dha të pinë si nga burimet e thella.
16 Përrenj nxori prej shkëmbit,
ujërat i bëri të rrjedhin si lumenj.
17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij,
në vend të shkretë ngritën krye
kundër të Tejlartit.
18 Në zemrat e tyre e tunduan Perëndinë,
kërkuan ushqim siç ua kishte ënda.
19 Kundër Perëndisë folën e thanë:
«A mundet Perëndia të shtrojë tryezë
në mes të shkretëtirës?
20 Ja, ai goditi shkëmbin e ujërat gëluan
dhe si përrenj vërshuan.
Por, a mundet t'i japë edhe bukë
e mish t'i gatitë popullit të vet?».
21 I dëgjoi Zoti e fort u zemërua,
zjarri u ndez kundër Jakobit,
zemërimi vloi kundër Izraelit,
22 se nuk besuan në Perëndinë
e as shpresuan në shpëtimin e tij.
23 Por ai urdhëroi retë prej së larti,
dyert e qiellit i hapi.
24 Si shi ua dërgoi manën për ushqim
e grurë prej qiellit u dha.
25 Çdonjëri hëngri bukë engjëjsh,
u dha ushqim sa u ngopën.
26 Në qiell ngriti erën e lindjes,
me pushtetin e tij bëri të fryjë shiroku.
27 Bëri të bjerë mish mbi ta si pluhuri,
shpendët fluturues si rëra e detit.
28 I bëri të bien mes fushimit të tyre,
rreth e rrotull tendave të tyre.
29 Hëngrën e mirë u ngopën,
çka donin ua dha.
30 Ende nuk ishin ngopur mirë
e ushqimin e kishin në gojë,
31 kur zemërimi i Perëndisë u ndez kundër tyre.
Më të fortët prej tyre i vrau,
të rinjtë e Izraelit i plandosi.
32 E megjithatë mëkatuan sërish
dhe në mrekullitë e tij nuk besuan.
33 Ditët e tyre u përfunduan në kotësi,
vitet e tyre patën fund të tmerrshëm.
34 Kur i vriste, atëherë e kërkonin,
ktheheshin dhe Perëndinë dëshironin.
35 Kujtoheshin se Perëndia ishte shkëmbi i tyre,
Perëndia, i Tejlarti, shpenguesi i tyre.
36 Por, me gojë e mashtronin,
me gjuhën e tyre i thoshin rrena.
37 Zemra e tyre nuk ishte përherë me të,
besëlidhjes së tij nuk i qëndruan besnikë.
38 Por ai është i dhembshur e paudhësinë ua falte.
Nuk i shkatërronte, zemërimin shpesh e ndalte
dhe furinë e tij nuk e linte të flakëronte.
39 Kujtohej se ishin prej mishi,
si era që shkon e më nuk kthehet.
40 Sa herë iu ngritën kundër në shkretëtirë!
Sa herë e hidhëruan në vend të shkretë!
41 Ktheheshin dhe prapë e tundonin Perëndinë,
e trishtonin të shenjtin e Izraelit.
42 Nuk u kujtohej më dora e tij e fuqishme,
dita kur i çliroi prej armikut:
43 shenjat, që kishte bërë në Egjipt,
veprat e mrekullueshme në fushën e Coanit.
44 Lumenjtë e armikut i kishte kthyer në gjak,
edhe rrjedhat e ujit, që të mos pinin më.
45 U dërgoi mori grethash, që t'i thumbonin,
bretkosa, që t'i shkatërronin.
46 Të korrat e tyre ua dha krimbave,
karkalecave mundin e tyre.
47 Vreshtat ua rrënoi me breshër,
pemët e fikut me brymë.
48 Me breshër ua goditi edhe bagëtinë,
me rrufe, gjënë e gjallë.
49 Dërgoi mbi ta flakën e zemërimit të tij,
furinë, mërinë e fatkeqësinë;
u dërgoi engjëj të këqij.
50 I hapi udhë zemërimit të tij,
jetën prej vdekjes nuk ua kurseu,
por i la në dorë të murtajës.
51 Shfarosi çdo të parëlindur në Egjipt,
frytin e parë të fuqisë së tyre në tendat e Kamit.
52 Si dhentë e ngriti prej andej popullin e tij,
u priu në shkretëtirë porsi grigjës.
53 I udhëhoqi me kujdes e frikë nuk patën,
armiqtë e tyre i mbuloi deti.
54 I çoi në vendin e tij të shenjtë,
në malin, që kishte fituar e djathta e tij.
55 Dëboi kombe para tyre
e tokën ua ndau me short për trashëgim.
Fiset e Izraelit i vuri të banojnë
nëpër tendat e tyre.
56 Por ata e tunduan përsëri,
ngritën krye kundër Perëndisë, të Tejlartit,
e dëshmitë e tij nuk i mbajtën.
57 U shmangën e, si etërit e tyre, të pabesë u treguan,
si harku i shtrembër, ata dredhuan.
58 Me faltoret në vende të larta e bënë të zemërohet,
me idhujt e gdhendur ia ndezën furinë.
59 E dëgjoi Perëndia e flakë u ndez,
rëndë e përçmoi Izraelin.
60 E braktisi tendën e Shilohut,
banesën, që kishte ngritur mes njerëzve.
61 Forcën e tij e la të bjerë në robëri,
lavdinë e tij në duart e armikut.
62 Popullin e tij ia dorëzoi shpatës,
kundër trashëgimisë së vet flakë u ndez.
63 Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri,
vashave nuk u kënduan.
64 Priftërinjtë e tyre ranë prej shpatës,
vejushat nuk i vajtuan.
65 E u ngrit Zoti, si prej gjumit,
si luftëtari trim, kur e kap vera.
66 Pas shpine u ra armiqve,
me turp të përjetshëm i mbuloi.
67 Poshtë e hodhi tendën e Jozefit,
fisin e Efraimit nuk e zgjodhi.
68 Zgjodhi fisin e Judës,
malin e Sionit, që fort e deshi.
69 Të lartë shumë e ndërtoi shenjtëroren,
ashtu si tokën, e themeloi në amshim.
70 E zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij,
prej tufave të dhenve e mori.
71 E mori prej deleve që mëndnin,
për të kullotur Jakobin, popullin e tij,
dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
72 Me zemër të pastër i udhëhoqi,
me duar të afta u priu.