Alef.
1 Lum ata qi dalinë faqe-bardhë mb’udhë, ata qi ecinë ndë ligjë të Zotit.
2 Lum ata qi rujënë deshmimet’ e ati, ata qi kërkojën’ ate me gjithë zemërë.
3 Ende ata nukë punojënë pa udhë, po ecinë nd’udhët t’ati.
4 Ti urdhënove të ruhenë fort porosit’ e tua.
5 Keshë me qenë të dreitohen’ udhët’ e mia, qi të ruj urdhënimet’ e tu!
6 Atëherë s’kam me u turpënumë, kur shtie sytë mbë gjith’ urdhënimet e tu.
7 Kam me lavdurumë me të dreitët të zemërësë, kur të mësojë gjukimet’ e drejtënisë s’ate.
8 Kam me ruitun’ urdhënimet’ e tu, mos hiq dorë prei meje kreit.
Beth.
9 Me çfarë pune ka me qirum’ i riu udhën’ e vet? Tue ruitunë fjalët’ e tua.
10 Të kërkova me gjithë zemërë, mos më ban me u largumë prei porosivet tua.
11 Ruita fjalët’ e tua ndë zemërët t’eme, qi të mos fëjej mbë tyi.
12 I bekumë je, o Zot, mëso-më urdhënimet’ e tu.
13 Me buzët e mia dëfteva gjithë gjyqet’ e gojësë s’ate.
14 U gëzushë nd’ udhët të deshmimevet tu, si për çdo pasëje.
15 Kam me shkumë ndër mend urdhënimet’ e tu, ende kam me ngjoftun’ udhët’ e tua.
16 Kam me u gëzumë për urdhënimet e tu, s’kam me harrumë fjalët’ e tua.
Gimel.
17 Shpagui shërbëtorinë tand, ban-më me rrumë, e me ruitunë fjalënë tande.
18 Çil syt’ e mi, ende kam me pamë mërekullitë prei ligjësë s’ate.
19 Unë jam i huj ndë dhet, mos mpshif prei meje porosit’ e tua.
20 Shpirti em dëshëron për malltqi kam për gjyqet e tu përherë.
21 Qirtove të mallëkumitë madhështorë, qi përvarenë mbë-nj’-anë prei urdhënimevet tu.
22 Ngre prei meje turpëjen’ ende shpërnderiminë, se ruita deshmimet’ e tu.
23 Sepse ndeitnë të parë, e folnë kundrë meje, po shërbëtori yt shkonte ndër mend urdhënimet’ e tu.
24 Sepse deshmimet’ e tu janë shija eme, ende këshillësit’ e mi.
Daleth.
25 Shpirti em ngeli ndë baltët, ep-më frymë të gjallë mbas fjalësë s’ate.
26 Dëfteva udhët’ e mia, ende më ndëgjove; mëso-më urdhënimet‘ e tu.
27 Ban-më me kupëtum’ udhën’ e urdhënimevet tu, ende kam me shkumë ndër mend mërekullit’ e tua.
28 Shpirti em po kullon prei shtrëngimit, forco-më mbas fjalësë s’ate.
29 Mërgo prei meje udhën’ e rrenësë, ende fal-më ligjënë tande.
30 Sgjodha udhën’ e së vërtetësë, vuna ndër mend gjyqet’ e tu.
31 U ngjita mbas deshmimevet tu, o Zot, mos më turpëno.
32 Kam me ecunë nd’udhët të porosivet tua, kur të sgjanojsh zemrënë t’eme.
He.
33 Mëso-më, o Zot, udhën’ e urdhënimevet tu, ende kam me e ruitunë kurdo.
34 Ban-më të mençim, ende kam me vështrumë ligjënë tande, ende kam me e ruitunë me gjithë zemërët t’eme.
35 Hiq-më udhënë nd’urdhënimet e tu, se ate desha.
36 Ul zemrënë t’eme ndë deshmimet e tu, e mos ndë lakëmim.
37 Këthe mbë-nj’-anë syt’ e mi, për mos me pamë kotësinë, ep-më frymë të gjallë mb’udhët tande.
38 Qindro fjalënë tande te shërbëtori yt, qi të ka frikë.
39 Hiq shpërnderiminë t’em, qi druj, sepse gjyqet’ e tu janë të mirë.
40 Ngje te dëshërova porosit’ e tua, ep-më frymë të gjallë, me anët të dreitënisë s’ate.
Vau.
41 Ende arthtë përdëllimi yt mbë mu, o Zot, ende shpëtimi yt mbas fjalësë s’ate.
42 Atëherë kam me iu përgjegjun’ ati qi më shpërnderon, se shpërej mbë fjalënë tande.
43 Ende mos ngre kreit prei gojësë s’eme fjalën’ e së vërtetësë, se shpëreva mbë gjyqet e tu.
44 Ende kam me ruitunë ligjënë tande përherë ndë jetët të jetësë.
45 Ende kam me ecunë ndë vend të gjanë, sepse kërkova porosit’ e tua.
46 Ende kam me folë përpara mbëretënish për deshmimet’ e tu, ende s’kam me u turpënumë.
47 Ende kam me u gëzumë për porosit’ e tua, qi desha fort.
48 Ende kam me ngritunë durët’ e mia ndë porosit’ e tua, qi desha, ende kam me shkumë ndër mend urdhënimet’ e tu.
Zain.
49 Kujto fjalënë ke shërbëtori yt, ndë të cillinë më bane me shpërymë.
50 Këjo më ngushullon ndë shtrëngimt t’em, se fjala jote më dha frymë të gjallë.
51 Madhështorëtë më përqeshshinë fort, po unë nukë dola jashtë prei ligjësë s’ate.
52 Mendova gjukimet’ e tu të jetëshimitë, o Zot, edhe u ngushullushë.
53 Më mur frika prei të pabesëvet, qi kanë hiekunë dore prei ligjësë s’ate.
54 Urdhënimet’ e tu më ishinë kankë ndë dhe të huj.
55 Kujtova emëninë tand, o Zot, natënë, ende ruita ligjënë tande.
56 Këjo m’u ba, se ruita urdhënimet’ e tu.
Heth.
57 Ti je piesa eme, o Zot, thashë me ruitunë fjalët’ e tua.
58 Iu luta fjalësë s’ate me gjithë zemër; përdëllemë mbas fjalësë sate.
59 Mendova udhët’ e mia, ende këtheva kambët’ e mia mbë deshmimet e tu.
60 Nxitova, ende nuk’ u vonushë me ruitunë porosit’ e tua.
61 Tufa të pabesësh më qarkunë, po unë s’harrova ligjënë tande.
62 Ndë mies-natë qohem me të lavdurumë për gjyqet e dreitënisë s’ate.
63 Unë jam piestar i gjith’ atyne qi të drujën’ e rujënë porosit’ e tua.
64 Dheu ashtë plot me përdëlliminë tand, o Zot, mëso-më urdhënimet’ e tu.
Teth.
65 I bane mirë shërbëtorit t’yt, o Zot, mbas fjalësë s’ate.
66 Ep-më mendëje të mirë, e dituni, se u besova urdhënimevet tu.
67 Para se të vujem, humba udhënë, po ndashti ruita fjalënë tande.
68 Ti je i mirë, ende mirë-bamës, mëso-më urdhënimet’ e tu.
69 Madhështorëtë shpifnë rrenë kundrë meje, po unë kam me ruitunë porosit’ e tua me gjithë zemërë.
70 Zemëra e atyne ngrini posi dhiamë, po unë gëzohem për ligjënë tande.
71 U ba mirë për mu qi hoqa keq, për me mësum’ urdhënimet’ e tu.
72 Ligja e gojësë s’ate ashtë ma e mirë për mu, se mijëna ari e argjandi.
Iod.
73 Durët’ e tua më banë, e më gatunë; ban-më të mençim, ende kam me mësum’ urdhënimet’ e tu.
74 Ata qi të drujënë, kanë me pamë, e me u gëzumë, se shpëreva mbë fjalët tande.
75 Ngjof, o Zot, se gjyqet’ e tu janë dreitëni, ende me udhë më përvunë.
76 Le të më ngushullojë pra përdëllimi yt, mbas fjalësë s’ate mbë shërbëtorinë tand.
77 Le të vinë përdëllimet’ e tu mbë mu, qi të rroj, se ligja jote ashtë mendimi em.
78 U turpënofshinë madhështorëtë, se kërkojënë të më prishinë pa udhë, po unë kam me shkumë ndër mend porosit’ e tua.
79 Le të këthehenë ke un’ ata qi të drujënë, ende ata qi ngjofinë deshmimet’ e tu.
80 Zemëra eme qoft’ e qirume mb’urdhënimet’ e tu, qi të mos turpënohem.
Kaf.
81 Më digjetë shpirti për shpëtiminë tand, shpëreva mbë fjalët tande.
82 Më ranë sytë për fjalënë tande, tue thanë: Kurë ke me më ngushullumë?
83 Sepse u bashë porsi shakulli ndë tym, po s’harrova urdhënimet’ e tu.
84 Sa janë ditt’ e shërbëtorit t’yt? Kurë ke me bamë gjyq kundrë atyne qi më ndiekinë?
85 Madhështorëtë rëmunë gropë për mu, të cillëtë s’janë mbas ligjësë s’ate.
86 Gjithë porosit’ e tua janë të vërteta, pa udhë më ndiekinë, ndif-më.
87 Për pak desh më rrenunë përdhe, po unë nukë hoqa dorë prei porosivet tua.
88 Ep-më frymë të gjallë mbas përdëllimit t’yt, ende kam me ruitunë deshmimet’ e gojësë s’ate.
Lamed.
89 Për gjithë jetënë, o Zot, fjala jote mbet ndë qill,
90 e vërteta jote bres mbas brezi; themelove dhenë, ende qindron.
91 Mbas urdhënimesh tu mbesinë ngjer mbë sot, se të tanë janë shërbëtorët’ e tu.
92 Ligja jote të mos ishte mendimi em, atëherë do të humbiem ndë shtrëngim t’em.
93 Për gjithë jetënë s’kam me harrumë porosit’ e tua, sepse me ato më dhe frymë të gjallë.
94 Unë jam yti, shpëto-më, se kërkova urdhënimet’ e tu.
95 Të pabesëtë më pritnë, për me më prishunë, po unë kam me u mbaitunë vesh deshmimevet tu.
96 Mbë çdo gja të mbarume pashë fund, po porosia jote ashtë fort e gjanë.
Mem.
97 Sa e du ligjënë tande! Gjithë ditën’ e shkoj ndër mend.
98 Më bane ma të mençim se anëmiqt’ e mi, me anë t’urdhënimevet tu, se janë përherë bashkë me mu.
99 Jam ma i mençim se gjith’ ata qi më mësojënë, se shkoj ndër mend deshmimet’ e tu.
100 Jam ma i mençim se pleqtë, se ruita porosit’ e tua.
101 Ndala kambët’ e mia prei çdo udhë të keqe, për me ruitunë fjalënë tande.
102 Nukë dola jashtë prei gjyqesh tu, se ti më mësove.
103 Sa të ambëla janë fjalët’ e tua ndë gurmast t’em! Ma tepërë se mialta ndë gojët t’eme.
104 Prei porosivet tua u bana i mençim, përandai mora mëni çdo udhë të shtrembëtë.
Nun.
105 Fjala jote ashtë kandile ndër kambët të mia, ende dritë nd’udhët të mia.
106 Bana be, ende do të qindroj me ruitunë gjyqet’ e dreitënisë s’ate.
107 Hoqa keq fort; o Zot, ep-më frymë të gjallë mbas fjalësë s‘ate.
108 Prit pra dhunëtiat’ e gojësë s’eme, o Zot, qi t’i bie me dashunim, ende mëso-më gjyqet’ e tu.
109 E kam shpirtinë kur-do n’dorë, po s’harrova ligjënë tande.
110 Të pabesëtë më ngrefnë kurth, po unë nukë dola jashtë porosivet tua.
111 Trashigova deshmimet’ e tu për gjithë jetënë, se këto janë gëzim’ i zemrësë s’eme.
112 Ula zemrënë t’eme për me bam’ urdhënimet’ e tu përherë ngjer ndë fund.
Sameh.
113 Mora mëni mendimet’ e shtrembëtë, ende desha ligjënë tande.
114 Ti je ndifmësi em, ende mburonjësi em, shpërej mbë fjalët tande.
115 Largohi prei meje, ju të këqijtë, sepse kam me ruitunë porosit’ e Perëndisë t’em.
116 Ndif-më mbas fjalësë s’ate, ende kam me rrumë, ende mos më turpëno mbë shpëresët t’eme.
117 Ndif-më, ende kam me shpëtumë, ende kam me pasunë ndër mend kurdo urdhënimet’ e tu.
118 Ti shkelmove gjith’ ata qi dalinë jasht’ urdhënimevet tu, se gënjeshtra e atyne asht’ e kotë.
119 Heth tej gjithë të këqijt’ e dheut, porsi plehe, andai desha deshmimet’ e tu.
120 M’u droth mishi prei frikësë s’ate, ende u frikushë prei gjyqevet tu.
Ain.
121 Bana gjyq e dreitëni, mos më ep n’dorë t’atyne qi më bajënë punë pa udhë.
122 Bahu dorë-zanës shërbëtorit t’yt për të mirë, le të mos më shtrëngojënë madhështorëtë.
123 Më ranë sytë për shpëtiminë tand, ende për fjalën’ e dreitënisë s’ate.
124 Ban bashkë me shërbëtorinë tand mbas përdëllimit t’yt, ende mëso-më urdhënimet’ e tu.
125 Unë jam shërbëtori yt, ban-më të mençim, ende kam me ngjoftunë deshmimet’ e tu.
126 Ashtë kohë për me punumë Zoti, prishnë ligjënë tande.
127 Përandai desha porosit’ e tua përmbi arinë, ende përmbi arin’ e kullumë.
128 Andai ngjofta të dreita gjithë porosit’ e tua për çdo gja, ende mora mëni çdo udhë të shtrembëtë.
Pe.
129 Deshmimet’ e tu janë të mërekullushim, përandai i ruiti shpirti em.
130 Dëftimi i fjalëvet tua ndrit, ban të mençim të mitunitë.
131 Hapa gojënë t’eme, e mora frymë, se u mallënjyshë për porosit’ e tua.
132 Shtierë sytë mbë mu, ende përdëlle-më, mbas mëndyrësë qi ke ke ata qi dun’ emëninë tand.
133 Ndreq’ hapat’ e mia ndë fjalët tande, ende le të mos më pushtojë ndonji paudhëni.
134 Shpëto-më prei shtrëngimit njerëzëvet, ende kam me ruitunë porosit’ e tua.
135 Ndrit faqenë tande mbë shërbëtorinë tand, ende mëso-më urdhënimet’ e tu.
136 Syt’ e mi derthnë rrëke ujënash, sepse s’ruitnë ligjënë tande.
Cade.
137 I dreitë je, o Zot, ende të dreitë janë gjyqet’ e tu.
138 Deshmimet’ e tu qi urdhënove, janë dreitëni e vërtetëni fort e madhe.
139 Zëlia eme më treti, se anëmiqt’ e mi harrunë fjalët’ e tua.
140 Fjala jote ashtë fort e kullume, përandai shërbëtori yt e do.
141 Jam i vogël’ e i pazanë për gja, po s’harrova urdhënimet’ e tu.
142 Dreitënia jote ashtë dreitëni për gjithë jetënë, ende ligja jote e vërtetë.
143 Më gjetnë shtrëngime e nevoja, po urdhënimet’ e tu janë gëzimi em.
144 Deshmimet’ e tu janë dreitëni për gjithë jetënë, ban-më të mençim, ende kam me rrumë.
Kof.
145 Thërrita me gjithë zemërë, ndëgjo-më, o Zot, ende kam me ruitun’ urdhënimet’ e tu.
146 Thërrita mbë tyi: Shpëto-më, ende kam me ruitunë deshmimet’ e tu.
147 E mbërrina pa sbardhunë drita, ende thërrita, shpëreva mbë fjalët tande.
148 Syt’ e mi mbërrijënë përpara të ruitunavet natësë, për me shkumë ndër mend fjalënë tande.
149 Ndëgjo zaninë t’em, o Zot, mbas përdëllimit t’yt, ep-më frymë të gjallë mbas gjyqit t’yt.
150 U afrun’ ata qi venë mbas së keqesë, ende u largunë prei ligjësë s’ate.
151 Ti, o Zot, je ngjat, ende gjith’ urdhënimet e tujanë të vërtetë.
152 Sa për deshmimet’ e tu, e ngjofta çë përpara, se i themelove për gjithë jetënë.
Resh.
153 Shif shtrëngiminë t’em, ende liro-më, se s’harrova ligjënë tande.
154 Gjuko gjyqinë t’em, ende shpërble-më; ep-më frymë të gjallë mbas fjalësë s’ate.
155 Shpëtimi ashtë lark prei të pabesësh, se s’kërkojën’ urdhënimet’ e tu.
156 Përdëllimet’ e tu janë të mëdhej, o Zot, ep-më frymë të gjallë mbas gjyqit t’yt.
157 Shumë jan’ ata qi më ndiekin’ e më shtrëngojënë,po nukë dola jashtë deshmivet tu.
158 Pash’ ata qi dalinë jasht’ udhësë, ende u drothsh, sepse s’ruitnë fjalënë tande.
159 Shif sa i du porosit’ e tua, o Zot, ep-më frymë të gjallë mbas përdëllimit t’yt.
160 Kryet’ e fjalësë s’ate asht’ e vërteta, ende gjithë gjukimet’ e dreitënisë s’ate mbesinë për gjithë jetënë.
Sin.
161 Të parëtë më ndoqnë kot, po zemrënë t’eme e mur frika për fjalënë tande.
162 Gëzohem për fjalënë tande, posi ai qi gjen shumë plaçëka.
163 Kam mëni e të ndytë rrenënë, po du ligjënë tande.
164 Shtatë herë ditënë të lavduroj për gjyqet e dreitënisë s’ate.
165 Ata qi dunë ligjënë tande, kanë shumë paqtim, ende për ata s’ka skandal.
166 Prita shpëtiminë tand, o Zot, ende bana porosit’ e tua.
167 Shpirti em ruiti deshmimet’ e tu, ende i deshi fort.
168 Ruita porosit’ e tua, ende deshmimet e tu, se gjith’ udhët’ e mia janë përpara teje.
Tau.
169 Le t’ afrohetë klithma eme përpara teje, o Zot, ban-më të mençim mbas fjalësë s’ate.
170 Le të vijë të lutunitë t’em përpara teje, shpëto-më mbas fjalësë s’ate.
171 Buzët’ e mia kanë me nxierrë kankë, kur të më mësojsh urdhëmimet’ e tu.
172 Gjuha eme ka me folë fjalënë tande, se gjithë porosit’ e tua janë dreitëni.
173 Dora jote le të më ndifi, se sgjodha porosit’ e tua.
174 U mallënjyshë për shpëtiminë tand, o Zot, ende ligja jote ashtë mendimi em.
175 Le të rrojë shpirti em, ende ka me të lavdurumë, ende gjyqet’ e tu le të më ndifinë.
176 U solla andej e këndej, porsi dele e humbunë; kërko shërbëtorinë tand, se nukë harrova porosit’ e tua.
Alef
1 Lum njerëzit me sjellje të përsosur,
që ecin sipas ligjit të Zotit!
2 Lum ata që mbajnë dëshmitë e tij,
që e kërkojnë me gjithë zemër,
3 që nuk kryejnë paudhësi,
por ecin në udhët e tij.
4 Ti ke dhënë porositë e tua,
që me përpikëri të ruhen.
5 Qoftë e palëkundur sjellja ime,
që rregullat e tua t'i ruaj.
6 Atëherë nuk kam për t'u turpëruar,
kur të këqyr gjithë urdhërimet e tua.
7 Do të të përlëvdoj me zemër të dëlirë,
teksa mësoj vendimet e tua të drejta.
8 Rregullat e tua do t'i ruaj,
mos më braktis krejt!
Bet
9 Si mund ta ruajë i riu të pastër udhën e vet?
Duke ruajtur fjalën tënde.
10 Ty të kërkoj me gjithë zemër,
mos më lër t'u shmangem urdhërimeve të tua.
11 Thëniet e tua i mbaj fshehur në zemër,
që të mos mëkatoj kundër teje.
12 I bekuar je, o Zot,
mësomë rregullat e tua.
13 Me buzët e mia i shpalla
tërë vendimet e gojës sate.
14 Gëzohem kur ndjek dëshmitë e tua,
si të ishin gjithë pasuria ime.
15 Do të përsiat porositë e tua,
do të thellohem në shtigjet e tua.
16 Me rregullat e tua do të kënaqem,
fjalën tënde nuk do ta harroj.
Gimel
17 Tregohu i mirë me shërbëtorin tënd,
që të jetoj e të ruaj fjalën tënde.
18 Hapmi sytë,
që të sodis mrekullitë e ligjit tënd.
19 Kalimtar jam unë mbi tokë,
mos m'i fshih urdhërimet e tua.
20 Tretet shpirti im prej dëshirës
që ka për vendimet e tua kurdoherë.
21 Ti i qorton kryelartët, të mallkuarit,
që u shmangen urdhërimeve të tua.
22 Largoje prej meje turpin e poshtërimin,
se dëshmitë e tua i kam ruajtur.
23 Edhe kur prijësit mblidhen e flasin kundër meje,
shërbëtori yt përsiat rregullat e tua.
24 Dëshmitë e tua janë kënaqësia ime,
ato janë këshilltarët e mi.
Dalet
25 Nëpër pluhur zvarritet shpirti im,
jepmë jetë sipas fjalës sate.
26 Udhët e mia t'i dëftova e ti m'u përgjigje,
mësomë rregullat e tua.
27 Bëmë të kuptoj udhën e porosive të tua,
që të përsiat mrekullitë e tua.
28 Lëngon prej brengës shpirti im,
jepmë forcë sipas fjalës sate.
29 Mbamë larg udhës së mashtrimit
dhe përdëllemë me ligjin tënd.
30 Kam zgjedhur udhën e besnikërisë,
jam dhënë pas vendimeve të tua.
31 Jam kapur pas dëshmive të tua,
o Zot, mos lejo të turpërohem!
32 Udhës së urdhërimeve të tua vrapoj,
se ti ma bëre zemrën të gufojë.
He
33 Mësomë, o Zot, udhën e rregullave të tua,
dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34 Me jep mençuri për të mbajtur ligjin tënd
e unë do ta ruaj me gjithë zemër.
35 Primë në shtegun e urdhërimeve të tua,
se atje gjej kënaqësi.
36 Prire zemrën time drejt dëshmive të tua
e jo drejt lakmisë.
37 Largo sytë e mi nga soditja e kotësisë,
jepmë jetë në udhët e tua.
38 Mbaje premtimin që i dhe shërbëtorit tënd,
atij që të druan ty.
39 Largoje prej meje poshtërimin, që më tmerron,
se vendimet e tua janë të mira.
40 Ja, sa i dëshiroj porositë e tua,
jepmë jetë me drejtësinë tënde.
Vau
41 Ardhtë mbi mua mirësia jote, o Zot,
shpëtimi yt, sipas fjalës sate,
42 që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë,
se te fjala jote kam besim.
43 Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës,
se në vendimet e tua kam shpresuar.
44 Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë,
përherë e në amshim.
45 Do të eci udhës së gjerë,
sepse kërkoj porositë e tua.
46 Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua
e turp nuk do të kem.
47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua,
që aq fort i dua.
48 Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua,
rregullat e tua do t'i përsiat.
Zain
49 Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd,
me të cilën më dhe shpresë.
50 Atë e kam ngushëllim në pikëllime,
fjala jote më mban gjallë.
51 Kryelartët më përqeshnin së tepërmi,
por unë nuk u shmanga nga ligji yt.
52 Kujtova vendimet e tua të lashta, o Zot,
dhe gjeta ngushëllim.
53 Më pushtoi zemërimi për të paudhët,
për ata që braktisin ligjin tënd.
54 Rregullate tua ishin këngë për mua
atje ku isha shtegtar.
55 Kujtova emrin tënd natën, o Zot,
dhe ligjin tënd e ruajta.
56 Këto më ndodhën mua,
se mbajta porositë e tua.
Het
57 Zoti është pjesa e trashëgimit tim,
premtova se do t'i ruaj fjalët e tua.
58 Ty t'u përgjërova me gjithë zemër,
mëshiromë sipas fjalës sate.
59 I shqyrtova mirë udhët e tua
dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva.
60 Shpejtova e nuk vonova
urdhërimet e tua për t'i ruajtur.
61 Leqet e të paudhëve më rrethuan,
por ligjin tënd nuk e harrova.
62 Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj
për vendimet e tua të drejta.
63 Jam mik me të gjithë ata që të druajnë
e me ata që ruajnë porositë e tua.
64 Toka është plot me mirësinë tënde, o Zot,
mësomë rregullat e tua.
Tet
65 I bëre të mira shërbëtorit tënd,
sipas fjalës sate, o Zot.
66 Mësomë dijen e të dalloj të mirën,
se tek urdhërimet e tua kam besim.
67 Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur,
por tani mbaj fjalën tënde.
68 I mirë je ti e të mira bën,
mësomë rregullat e tua.
69 Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime,
por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua.
70 U trash si dhjami zemra e tyre,
ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd.
71 Më bëri mirë që u mundova,
se mësova rregullat e tua.
72 Më i mirë për mua është ligji i gojës sate,
sesa mijëra monedha ari e argjendi.
Jod
73 Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë,
më jep mençuri, që të mësoj urdhërimet e tua.
74 Ata që të druajnë gëzojnë kur më shohin,
sepse kam shpresuar në fjalën tënde.
75 E di, o Zot, se vendimet e tua janë të drejta,
me të drejtë më ke munduar.
76 Më ngushëlloftë, pra, mirësia jote,
sipas fjalës që i dhe shërbëtorit tënd.
77 Ardhtë mëshira jote mbi mua, që të jetoj,
se ligji yt është kënaqësia ime.
78 U turpërofshin kryelartët,
se më kanë shtypur padrejtësisht,
ndërsa unë do të përsiat porositë e tua.
79 Le të kthehen tek unë ata që të druajnë
dhe ata që i njohin dëshmitë e tua.
80 Qoftë e përsosur zemra ime me rregullat e tua,
që të mos turpërohem.
Kaf
81 Shpirti im digjet për shpëtimin tënd,
në fjalën tënde kam shpresuar.
82 Sytë po më treten për fjalën tënde,
prandaj thashë: «Kur do të më ngushëllosh?».
83 Jam bërë si caliku i tharë në tym,
por rregullat e tua s'i kam harruar.
84 Edhe sa ditë i kanë mbetur shërbëtorit tënd?
Kur do t'ua bësh gjyqin përndjekësve të mi?
85 Kryelartët kanë hapur gropa për mua,
ata që s'jetojnë sipas ligjit tënd.
86 Tërë urdhërimet e tua janë të vërteta;
po më përndjekin pa të drejtë, ndihmomë!
87 Desh më plandosën përtokë,
por unë s'i braktisa porositë e tua.
88 Jepmë jetë sipas mirësisë sate
dhe dëshmitë e gojës sate do t'i ruaj.
Lamed
89 Përgjithmonë, o Zot,
fjala jote qëndron në qiej.
90 Besnikëria jote është brez pas brezi,
ti e themelove tokën e ajo mbahet fort.
91 Me urdhrin tënd qëndrojnë deri më sot,
se gjithçka është në shërbimin tënd.
92 Po të mos ishte ligji yt kënaqësia ime,
do të kisha humbur në mjerim.
93 Porositë e tua nuk do t'i harroj kurrë,
se përmes tyre më ke mbajtur gjallë.
94 Yti jam unë, shpëtomë,
se porositë e tua i kërkoj.
95 Të paudhët presin të më shkatërrojnë,
por unë përsiat dëshmitë e tua.
96 Çdo përsosmërie ia kam parë cakun,
por urdhërimi yt është i gjerë pa fund.
Mem
97 Sa shumë e dua ligjin tënd!
Gjithë ditën e përsiat!
98 Urdhërimi yt më bën më të urtë se armiqtë,
se është përherë me mua.
99 Jam më i ditur se të gjithë mësuesit e mi,
sepse dëshmitë e tua janë përsiatja ime.
100 Jam më i mençur edhe se pleqtë,
sepse mbaj porositë e tua.
101 I kam shmangur këmbët nga çdo udhë e keqe,
që të ruaj fjalën tënde.
102 Prej vendimeve të tua nuk jam shmangur,
sepse më ke mësuar ti.
103 Sa të ëmbla fjalët e tua për qiellzën time,
më të ëmbla se mjalti në gojën time!
104 Prej porosive të tua bëhem më i mençur,
prandaj e urrej çdo udhë të gënjeshtërt.
Nun
105 Fjala jote është llambë për këmbën time,
dritë për shtegun tim.
106 Jam betuar e fjalën do ta mbaj:
vendimet e tua të drejta do t'i ruaj.
107 Jam munduar së tepërmi,
o Zot, jepmë jetë sipas fjalës sate!
108 Pranoji, o Zot, zotimet e gojës sime
dhe mësomë vendimet e tua.
109 Jeta ime është përherë në rrezik ,
por ligjin tënd nuk e harroj.
110 Të paudhët më kanë ngritur kurth,
por nuk u jam shmangur porosive të tua.
111 Dëshmitë e tua janë trashëgimia ime përjetë,
se ato janë gëzimi i zemrës sime.
112 E kam vendosur në zemrën time,
që rregullat e tua t'i zbatoj përjetë, deri në fund.
Samek
113 I urrej ata që janë me dy fytyra,
por e dua ligjin tënd.
114 Ti je streha dhe mburoja ime,
shpresoj në fjalën tënde.
115 Largohuni prej meje, o ju që bëni të keqen,
që të zbatoj urdhërimet e Perëndisë tim.
116 Përkrahmë sipas fjalës sate, që të jetoj,
e mos lejo të më shuhen shpresat.
117 Mbamë fort e do të shpëtoj,
rregullat e tua do t'i kem përherë në mendje.
118 Ti i hedh poshtë të gjithë sa u shmangen rregullave të tua,
se ata janë plot gënjeshtër e mashtrim.
119 Gjithë të këqijtë i zhbin si zgjyrë nga faqja e dheut,
prandaj unë i dua dëshmitë e tua.
120 Më dridhet mishi prej frikës sate,
prej gjykimeve të tua më zë tmerri.
Ain
121 Kam vepruar me gjykim e drejtësi,
mos më lër në dorë të shtypësve të mi.
122 Bëhu dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd,
që të mos më shtypin kryelartët.
123 Sytë po më treten për shpëtimin tënd
e për fjalën e drejtësisë sate.
124 Vepro me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate
e mësomë rregullat e tua.
125 Shërbëtori yt jam unë, bëmë të kuptoj,
që t'i njoh dëshmitë e tua.
126 Është koha të veprosh, o Zot,
se e kanë thyer ligjin tënd.
127 Prandaj i dua urdhërimet e tua,
më shumë se arin, arin e kulluar.
128 Prandaj i mbaj si të drejta gjithë porositë e tua
dhe e urrej çdo udhë të gënjeshtërt.
Pe
129 Dëshmitë e tua janë të mrekullueshme,
prandaj i ruan shpirti im.
130 Zbulimi i fjalëve të tua sjell ndriçim,
njerëzve të thjeshtë u jep mençuri.
131 Hapa gojën e dihata
nga dëshirimi për urdhërimet e tua.
132 Kthehu nga unë e mëshiromë,
sipas vendimit që ke marrë
për ata që duan emrin tënd.
133 Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate
e mos lejo të më sundojë asnjë paudhësi.
134 Çliromë nga njerëzit që më shtypin,
që të ruaj porositë e tua.
135 Le të ndriçojë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd,
mësomë rregullat e tua.
136 Rrëke lotësh derdhën sytë e mi,
se ligji yt nuk zbatohet.
Cade
137 I drejtë je ti, o Zot,
të drejta vendimet e tua.
138 Ti ke dhënë dëshmi të drejta
e më se të besueshme.
139 Zelli po më bren,
se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua.
140 Fjala jote është e sprovuar në zjarr,
prandaj shërbëtori yt e do.
141 I vogël jam unë e i përbuzur,
por porositë e tua nuk i harrova.
142 Drejtësia jote është e drejtë përjetë
dhe ligji yt është i vërtetë.
143 Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi,
por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua.
144 Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar,
bëmë të kuptoj, që të kem jetë.
Kof
145 Po thërras me gjithë zemër,
përgjigjmu, o Zot,
rregullat e tua do t'i ruaj.
146 Po të thërras, shpëtomë,
dëshmitë e tua do t'i ruaj.
147 Zgjohem para agimit e thërras për ndihmë,
shpresoj në fjalën tënde.
148 Sytë e mi rrinë zgjuar çdo rojë të natës,
për të përsiatur fjalët e tua.
149 Dëgjoma zërin sipas mirësisë sate,
o Zot, jepmë jetë sipas gjykimit tënd.
150 Më janë afruar ata që rendin pas paudhësisë,
larg janë nga ligji yt.
151 Por ti, o Zot, je afër
dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
152 Qëmoti kam mësuar prej dëshmive të tua
se i ke caktuar për amshim.
Resh
153 Shih mjerimin tim e çliromë,
se nuk e kam harruar ligjin tënd.
154 Mbroje çështjen time e shpengomë,
jepmë jetë sipas fjalës sate.
155 Shpëtimi është larg nga të paudhët,
se nuk i kërkojnë rregullat e tua.
156 Përdëllimet e tua janë të mëdha, o Zot,
jepmë jetë sipas vendimeve të tua.
157 Të shumtë janë përndjekësit dhe armiqtë e mi,
por nga dëshmitë e tua nuk jam shmangur.
158 I pashë të pabesët e më erdhi pështirë,
se nuk e mbajtën fjalën tënde.
159 Shih sa i dua porositë e tua,
o Zot, jepmë jetë sipas mirësisë sate.
160 Parimi i fjalës sate është e vërteta,
çdo vendim i yt i drejtë është për amshim.
Sin
161 Prijësit më përndjekin pa shkak,
por zemra ime trembet veç prej fjalës sate.
162 Ngazëllej për fjalën tënde,
si ai që gjen shumë plaçkë.
163 E urrej mashtrimin e më kall krupën,
por ligjin tënd e dua.
164 Të lavdëroj shtatë herë në ditë
për vendimet e tua të drejta.
165 Paqe të madhe kanë ata që duan ligjin tënd,
asgjë nuk i pengon.
166 Shpëtimin tënd pres, o Zot,
dhe mbaj urdhërimet e tua.
167 Shpirti im i ruan dëshmitë e tua
e unë fort i dua.
168 Porositë dhe dëshmitë e tua i kam mbajtur,
gjithë udhët e mia janë para teje.
Tau
169 Ardhtë përgjërimi im para teje, o Zot,
bëmë të kuptoj sipas fjalës sate.
170 Mbërrittë lutja ime para teje,
sipas fjalës sate çliromë.
171 Nga buzët e mia do të burojnë lavde,
se më ke mësuar rregullat e tua.
172 Gjuha ime shpalltë fjalën tënde,
se gjithë urdhërimet e tua janë të drejta.
173 Dora jote më ardhtë në ndihmë,
se kam zgjedhur porositë e tua.
174 Shumë e dëshiroj shpëtimin tënd, o Zot,
ligji yt është kënaqësia ime.
175 Jetoftë shpirti im e të lavdëroftë,
vendimet e tua më ndihmofshin!
176 Po endem si delja e humbur,
kërkoje shërbëtorin tënd,
se urdhërimet e tua nuk i kam harruar.