Psallm’ e Davidit.
1 Gjuko, o Zot, ata qi gjukohenë me mue, lufto ata qi më luftojënë.
2 Rrok armë e mburonjë, edhe ngreu të më ndimojsh.
3 Edhe kap shtizënë, edhe zen’ udhën’ e atyneve qi më ndiekinë; thuei shpirtit t’em: Unë jam shpëtimi yt.
4 U turpënofshin’ e u marrofshin’ ata qi kërkojënë shpirtinë t’em; u këthefshinë mbrapazë, edhe u turpënofshin’ ata qi mendojënë keq për mue.
5 U bafshinë porsi byk ndë sy të erësë, edhe engjulli i Zotit i ndiektë.
6 U baftë udha e atyne errësinë e rrëshqitë, edhe engjulli i Zotit i ndiektë.
7 Sepse pa ndonji farë pune mpëshefnë kurthin’ e vetndë gropë për mue, pa ndonji farë pune mihnë atë për shpirtinë t’em.
8 Arthtë prishëje mb’atë, pa mos ditun’ atë, edhe kurthi qi mpëshefi, zantë atë, edhe raftë nd’ atë për prishëje.
9 Por shpirti em ka me u gëzuem për Zotinë, edhe ka me u gazmuem për shpëtimin’ e ati.
10 Gjith’ eshtënat’ e mia kanë me thanë: Zot, cilli të gjan tyi, qi shpëton të vobegunë prei dorësë ma të fortit, edhe të vobegun’ edhe të nevojëshiminë prei ati qi e rrëmben?
11 U ngritnë deshmitarë të paudhë e më pyetshinë për punë qi unë s’dishiem.
12 Më banë të keqe ndë vend të së mirësë, edhe të shterunë ndë shpirt t’em.
13 Por unë vishesh me thes, kur ishin’ ata ndë shtrëngim, përvuna shpirtinë tem ndë agjinim, edhe të falunitë t’em këthehei ndë gji t’em.
14 Sillesh porsi mbë mik, porsi mbë vëllanë t’em, kurrusesh tue prishunë fytyrënë, porsi ai qi mban zi për t’amënë.
15 Por ata u gëzuenë për të keqenë t’eme, edhe u mbëlothnë; u mbëlothnë kundrë meje të poshtëmë, e unë s’dishiem, shqyeishinë, edhe s’pushoishinë.
16 Kërcëlloishinë dhambëtë kundrë meje bashkë me përqeshësa dy faqesh ndë gostia.
17 Kurë do të shofish, o Zot? Liro shpirtinë t’em prei prishëjes’ atyne, të vetëminë t’em prei leonëvet.
18 Kam me të lavduem ndë përmbëledhëje të madhe, ndërmiet shumë populli kam me të nderuem.
19 Mos u gëzofshinë për mue ata qi kanë anëmiqësi me mue pa-udhë, edhe mos bafshinë me sy ata qi më kanë mëni pa ndonji fare pune.
20 Se nukë flitshinë paqtim, por shtijshinë ndër mend gënjeshtra kundrë atyne qi rrinë urtë mbi dhet.
21 Edhe sgjanoishinë gojën’ e vet kundrë meje, tue thanë: Të lumtë, të lumtë! Pa syni ynë!
22 Pe, o Zot, mos pushojsh, o Zot, mos mërgohesh prei meje.
23 Ngreu edhe çohu për gjyqinë t’em, o Perëndia em edhe Zoti em, del-i zot punësë s’eme.
24 Gjuko-më, o Zot Perëndia em, mbas dreitënisë s’ate, edhe mos u gëzofshinë për mue.
25 Mos thanshinë ndë zemërat të veta: I lumtë shpirtit tynë! As mos thanshinë: E përpimë atë.
26 U turpënofshin’ e u marrofshinë bashkë, ata qi gëzohenë për të keqenë t’eme; u veshshinë me marre e me turp ata qi mbahenë mbë të math kundrë meje.
27 U gëzofshin’ e u gazmofshin’ ata qi duenë dreitëninë t’eme, edhe thanshinë përherë: U madhoftë Zoti qi do paqtimin’ e shërbëtorëvet vet.
28 Edhe gjuha eme ka me folë për dreitëninë tande, edhe për lavduriminë tand gjithë ditënë.
1 Psalm i Davidit.
Kundërshtoji, o Zot, kundërshtarët e mi,
lufto kundër atyre që më luftojnë.
2 Rrok shqytin dhe mburojën
e ngrihu të më ndihmosh.
3 Vringëlloje shtizën dhe heshtën
kundër atyre që më përndjekin,
thuaji shpirtit tim:
«Unë jam shpëtimi yt».
4 U turpërofshin e u poshtërofshin
ata që kërkojnë të më marrin jetën,
u kthefshin pas të turpëruar
ata që kurdisin ligësi kundër meje.
5 U bëfshin si byku që e merr era,
i ndjektë pas engjëlli i Zotit.
6 U bëftë e errët dhe shkarëse udha e tyre,
kur t'u jetë vënë pas engjëlli i Zotit.
7 Se pa shkak më kanë ngritur kurth,
pa shkak ia kanë hapur gropën shpirtit tim.
8 U ardhtë papritur shkatërrimi,
rënçin në rrjetën që vetë e ngritën,
u plandosshin e u shkatërrofshin.
9 E shpirti im do të gëzojë me Zotin,
do të ngazëllejë për shpëtimin e tij.
10 Tërë kockat e mia do të thonë:
«Kush është si ti, o Zot?
Ti e shpëton të mjerin prej më të fortit,
të vobektin e skamnorin prej plaçkitësit».
11 Kundër meje dolën dëshmitarë të ligj,
më pyesin për gjëra që nuk i di.
12 Ma shpërblyen të mirën me të keqe,
shpirtin ma shkretuan.
13 E unë, kur ata dergjeshin të sëmurë,
me grathore u vesha,
veten me agjërim e mundova,
u luta me kokën përkulur mbi kraharor .
14 Shkoja e vija si shok e vëlla,
kërrusesha në zi si ai që vajton për të ëmën.
15 Por, kur u rrëzova unë,
gëzuan e bashkë u mblodhën.
U mblodhën kundër meje të poshtër papandehur,
pa pushim po më shqyejnë.
16 Me ngërdheshje tallëse e shpotitëse
kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
17 O Zot, deri kur do të rrish duke vështruar?
Çliroje shpirtin tim prej sulmeve të tyre,
jetën time të çmuar prej pjellës së luanëve.
18 Do të të falënderoj në kuvendin e madh,
mes popullit të shumtë do të të përlëvdoj.
19 Mos u gëzofshin për mua
ata që më kot janë armiqtë e mi,
ata që më urrejnë pa shkak
mos e shkelshin syrin.
20 Nuk flasin për paqe, por dredhi kurdisin
kundër njerëzve paqësorë të vendit.
21 Hapin gojën kundër meje e thonë:
«Ah, ah, e pamë vetë me sytë tanë».
22 Por ti, o Zot, e ke parë vetë,
ndaj mos hesht e mos rri larg meje.
23 Zgjohu e ngrihu për të më bërë drejtësi,
O Zot, Perëndia im, mbroje çështjen time.
24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im,
e mos i lejo të gëzojnë për mua.
25 Të mos thonë në zemrat e tyre:
«Ah, sa na u gëzua shpirti!»,
apo: «E përpimë».
26 U turpërofshin e u poshtërofshin
të gjithë ata që gëzojnë me fatkeqësinë time,
turpi e poshtërimi i mbuloftë
ata që ngrihen kundër meje.
27 Ngazëllefshin e dëfrefshin
ata që duan drejtësinë time,
thënçin përherë: «U madhëroftë Zoti,
që paqen e shërbëtorit të tij dëshiron».
28 Gjuha ime do të shpallë drejtësinë tënde,
përlëvdimin tënd, tërë ditën.