Mbë të parinë kankatuer, mbi Gittith. Psallmë për të bijt e Koreut.
1 Sa të dashuna janë tendat’ e tua, o Zot i fuqivet.
2 Shpirti em mallënjen, e fiketë fort për oborret’ e Zotit, zemëra eme edhe mishi em gëzohenë për Perëndin’ e gjallë.
3 Sepse zogu gjeti të ndenjunë, edhe turtulli fole për vetëvetëhenë, atie ku të vejë zoqt’ e vet, theroret’ e tua, o Zot i fuqivet, Mbëreti em, edhe Perëndia em.
4 Lum ata qi rrinë ndë shtëpit tande, për gjithëmonë kanë me të lavduruem. Selah.
5 Lum ai njeri qi ka ndifmë prei teje, udhët e tua janë ndë zemërët t’atyneve,
6 të cillëtë tue shkuem ndëpër gropësinat të qjamit, bajën’ ate krue, por edhe shiu mbush gropate.
7 Venë prei fuqie mbë fuqi, gjithë-se-cilli prei atyneve duketë përpara Perëndisë ndë Sionë.
8 O Zot Perëndia i fuqivet, ndigjo të falunitë t’em; mba vesh, o Perëndia i Iakobit. Selah.
9 Shif, o Perëndi, mburonja jonë, edhe shtierë sytë mbë faqet të lyemit t’yt.
10 Se ma mirë ashtë nji ditë nd’oborret të tu, se mijëna ngjeti ; do të sgjithshiem ma tepërë me ndenjunë ndë derët të shtëpisë Perëndisë t’em, se me ndenjunë ndë tendat të së keqesë.
11 Se Zoti Perëndia ashtë diell ’ edhe mburonjë, Zoti ka me dhanë hir edhe lavdi, s’ka me u ndalunë të mirate atyneve qi ecinë ndë të pakeqenë.
12 O Zot i fuqivet, lum ai njeri qi shpëren mbë tyi.
1 Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i bijve të Korahut.
2 Sa të dashura janë banesat e tua,
o Zot i ushtrive!
3 Përmallohet e këputet shpirti im
për oborret e Perëndisë,
ngazëllen zemra ime e trupi im
për Perëndinë e gjallë.
4 Edhe trumcaku e gjen strehën e vet,
dallëndyshja folenë, për të vënë zogjtë,
tek altarët e tu, o Zot i ushtrive,
o mbreti im dhe Perëndia im.
5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde
e të lavdërojnë përgjithmonë. selah
6 Lum ata, që e gjejnë forcën te ti
dhe kanë për zemër shtegtimin.
7 Teksa kalojnë nëpër luginën e Bakasë,
e shndërrojnë në vend burimesh
dhe shiu i parë e mbulon me bekime.
8 Ecin e bëhen gjithnjë e më të fortë
dhe dalin para Perëndisë në Sion.
9 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjoje lutjen time,
mba vesh, o Perëndi i Jakobit. selah
10 Shiko, o Perëndi, mburoja jonë ,
vështroje fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Një ditë në oborret e tua
është më mirë se një mijë ditë gjetiu.
Më mirë në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim,
sesa në tendat e të paudhëve.
12 Se diell e shqyt është Zoti Perëndi,
Zoti është dhuruesi i hirit e lavdisë.
Ai nuk ua mohon të mirat
atyre që jetojnë me ndershmëri.
13 O Zot i ushtrive,
lum njeriu që te ti beson.