Psallm’ e Davidit.
1 Te ti, o Zot, vara shpirtinë t’em.
2 O Perëndia em, mbë tyi shpëreva: mos u turpënofsha, as mos qeshshinë me mue anëmiqt e mi.
3 Sepse gjith’ ata qi presinë tyi, s’kanë me u turpënuem; u turpënofshin’ ata qi punojënë pa udhë mbë të kotë.
4 Difto-më udhët’ e tua, o Zot, edhe mëso-më hapat’ e tua.
5 Hiq-më udhënë ndë të vërtetënë tande, edhe mëso-më, se ti je Perëndia i shpëtimit t’em: tyi pres gjithë ditënë.
6 Kuito përdëllimet’ e tu, o Zot, edhe misheriret’ e tu, se janë çë jetet.
7 Mos kuito fajet’ e dielmënisë s’eme, edhe pa-udhëniat e mia; mbas përdëllimit tand kuito-më ti, o Zot, prei së mirësë s’ate.
8 Zoti asht’ i mirë edhe i dreitë, përandai ka me u mësuem udhënë fajtorëvet.
9 Ka me u hiekun’ udhënë të butëvet ndë gjyq, edhe ka me u mësuem udhën’ e vet të butëvet.
10 Gjith’ udhët’ e Zotit janë përdëllim e të vërtetë mb’ata qi ruejënë dhiatën’ e ati edhe deshmimet’ e ati.
11 Për punë të emënit tand, o Zot, ndëje pa-udhëninë t’eme, sepse asht’ e madhe.
12 Cilli asht’ ai njeri qi ka frikë Zotinë? Ati ka me i diftuem udhënë, qi duhetë me sgjedhunë.
13 Shpirti i ati ka me ndenjunë ndë të mira, edhe fara e ati ka me trashiguem dhenë.
14 Të mpëshefunit’ e Zotit asht’ e atyneve qi e kanë frikë, edhe dhiata e vet do të diftohetë tek ata.
15 Syt’ e mi janë kurdo te Zoti, se ai ka me më nxierrë kambëtë prei kurthit.
16 Shtierë sytë mbi mue, edhe përdëlle-më, se jam i vetëm’ edhe i vobek.
17 Shtrëngimet’ e zemrësë s’eme u shumuenë: nxir-më prei nevojavet mia.
18 Shif shtrëngiminë t’em edhe mundiminë t’em, edhe fal gjithë fajet’ e mi.
19 Shif anëmiqt’ e mi, se u shumuenë, edhe më muernë mëni pa udhë.
20 Ruei shpirtinë t’em, edhe shpëto-më, mos u turpënofsha, sepse shpëreva mbi tyi.
21 Të pakeqt’ edhe të dreitëtë le të më ruejënë, sepse prita tyi.
22 Shpërble Israelin’, o Perëndi, prei gjithë shtrëngimevet ati.
1 Psalm i Davidit.
Alef
Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim,
Bet
2 te ti kam besim, o Perëndia im.
Mos lejo të turpërohem,
armiqtë e mi mos ngazëllefshin mbi mua.
Gimel
3 Mos u turpërofshin
gjithë sa shpresojnë te ti,
por turpi mbuloftë
ata që më kot bëjnë paudhësi.
Dalet
4 O Zot, dëftemë udhët e tua,
shtigjet e tua m'i mëso.
He
5 Udhëhiqmë në të vërtetën tënde
e më mëso,
Vau
se ti je Perëndia i shpëtimit tim,
te ti shpresoj tërë ditën.
Zain
6 Kujto, o Zot, përdëllimet e tua
dhe mirësitë e tua,
se janë prej amshimit.
Het
7 Mëkatet e rinisë sime mos i kujto,
e as shkeljet e mia,
por kujtomë me dashamirësi,
për hir të mirësisë sate, o Zot.
Tet
8 I mirë e i drejtë është Zoti,
prandaj u tregon udhën mëkatarëve.
Jod
9 Të përulurve u prin në drejtësi,
të përulurve ua mëson udhët e tij.
Kaf
10 Tërë udhët e Zotit
janë mirësi e besnikëri
për ata që ruajnë besëlidhjen
dhe dëshmitë e tij.
Lamed
11 Për hir të emrit tënd, o Zot,
fale fajin tim,
se i rëndë është.
Mem
12 Kush është njeriu që druan Zotin?
Atij do t'i mësojë
cilën udhë të zgjedhë.
Nun
13 Shpirti i tij do të jetojë mes të mirash,
pasardhësit e tij do të trashëgojnë dheun.
Samek
14 Zoti i këshillon ata që e druajnë,
ua bën të ditur besëlidhjen e tij.
Ain
15 Sytë i kam përherë drejt Zotit,
ai do të m'i çlirojë këmbët prej lakut.
Pe
16 Kthehu nga unë e mëshiromë,
se i vetmuar jam e i mjerë.
Cade
17 Hidhërimet e zemrës më janë shtuar,
nga fatkeqësitë e mia çliromë.
Kof
18 Shih vuajtjen dhe mundimin tim
e m'i fal të gjitha mëkatet.
Resh
19 Këqyri armiqtë e mi!
Sa shumë janë shtuar,
plot tërbim e mëri më urrejnë.
Sin
20 Ruaje shpirtin tim e më shpëto,
mos u turpërofsha, se te ti kërkova strehë.
Tau
21 Ndershmëria e drejtësia më mbrojtshin,
se te ti e kam varur shpresën.
22 Çliroje Izraelin, o Perëndi,
prej të gjitha pikëllimeve.