Psallm’ e Davidit.
1 O Zot, klitha mbë tyi, shpeito tek unë, ven-i vesh zanit t’em, kur thërras mbë tyi.
2 Të falunitë t’em voftë dreitë përpara teje, porsi kem; të ngritunit’ e duervet mia u baftë porsi kurban mbramie.
3 Venë të rueitunë ndë gojët t’eme, o Zot, ruei derën’ e buzëvet mia.
4 Mos përvar zemrënë t’eme mbë gja te keqe, qi të baj punë të këqia bashkë me njerës qi punojënë pa-udhë, edhe të mos ha prei gjellëvet sgjedhuna t’atyne.
5 Le të më mundojë i dreiti, se ashtë përdëllim, edhe le të më qirtojë, se ashtë voj me erë; s’ka me i bamë keq kresë s’eme, se edhe ma tepërë kam me u falunë për ata, kur të jenë ndë të keq.
6 Gjykatësit’ e atyne, kur u hothnë ndë vende gurishta, ndigjuenë fjalët’ e mia, se ishinë të ambëla.
7 Eshtënatë t’ona përdahetë ndë gojët të vorrit, si ndonji kur pret e çan dru mbi dhet.
8 Përandai syt’ e mi shtirenë mbë tyi, o Zot Perëndi; shpëreva mbë tyi, mos hup shpirtinë t’em.
9 Ruei-më prei kurthit, qi ngrefnë për mue, edhe prei leqevet atyne qi punojënë pa udhë.
10 Të pabesëtë rafshinë ndë rrietat të veta, ngjysh sa të shkoj unë mb’-at’-anë.
1 Psalm i Davidit.
O Zot, ty të thërras, nxito të vish tek unë,
vëri vesh zërit tim kur të thërras.
2 Ardhtë lutja ime si temjan para teje,
ngritja e duarve të mia si fli e mbrëmjes.
3 Vëri rojë gojës sime, o Zot,
ruaj derën e buzëve të mia.
4 Mos e prir zemrën time për gjëra të këqija,
që të mos merret me vepra të liga
bashkë me njerëz që bëjnë paudhësi,
e të mos ha nga gjellët e tyre të shijshme.
5 Le të më ndëshkojë i drejti, se është mirë,
le të më qortojë, se është vaj i çmuar,
koka ime mos e hedhtë poshtë!
Mes ligësive të tyre
nuk do të reshtë lutja ime.
6 Kur gjyqtarët e tyre të jenë hedhur nga shkëmbi,
do ta kuptojnë sa të ëmbla ishin fjalët e mia.
7 Ashtu si toka që lërohet e thërrmohet,
ashtu janë shpërndarë eshtrat tona buzë skëterrës.
8 Por, unë te ti i kam sytë, o Zot, Zoti im,
te ti kam gjetur strehë,
mos e lër shpirtin tim të humbasë.
9 Ruajmë prej kurthit që më kanë ngritur
dhe prej grackave të keqbërësve.
10 Në rrjetat e tyre rënçin vetë të paudhët,
por unë do të kaloj përtej.