Psallm’ e Davidit.
1 Beko Zotinë, o shpirti em, edhe gjithë të përmbrendëshimet’ e mia, emënin’ e ati të shenjtënueminë.
2 Beko Zotinë, o shpirti em, edhe mos harro gjithë të mirate, qi të ka dhanë,
3 ate qi fal gjithë paudhënit’ e tua, ate qi shëndosh gjithë sëmundëjet’ e tua,
4 ate qi shpërblen jetënë tande prei prishëjesë; ate qi të kunorëzon me ndëjesë e me përdëllime,
5 ai qi ngin dëshëriminë tand me të mira; dielmënia jote do të përtërihetë porsi e shqipesë.
6 Zoti u ban dreitëni e gjyq gjith’ atyneve qi u bahetë pa-udhë.
7 I diftoi udhët’ e veta Moiseut, edhe punët’ e veta të bijvet Israelit.
8 Zoti asht’ i dhimpshim e i përdëllyeshim, zemërëgjan’ e përdëllim-math.
9 S’ka me u zemëruem përherë, as s’ka me mbaitunë mëni për gjithë jetënë.
10 Nukë na e bani mbas pa-udhënivet t’ona, as na e shpagoi mbas fajevet t’anë.
11 Se sa i naltë ashtë qielli prei dheut, kaqi i math ashtë përdëllim’ i ati mb’ata qi e kanë frikë.
12 Sa dan të lemit’ e diellit prei të perënduemit, kaqi largoi prei nesh paudhënitë t’ona.
13 Sikurse i dhimbet atit për dielmt, kështu i dhimbet’ edhe Zotit për ata qi e kanë frikë.
14 Se ai ngjef krijesënë t’onë, e mba mend se jemi baltë.
15 Ditt e njeriut janë porsi bari, porsi luleja e fushësë, kështu lulëzon.
16 Se shkon era mb’ate, edhe s’ashtë ma, edhe vendi i ati s’e ngjef ma .
17 Por përdëllimi i Zotit ashtë jetë mbas jete mb’ata qi e kanë frikë, edhe dreitënia e ati mbë bijt e të bijvet,
18 qi ruejënë dhiaten’ e ati, edhe mbanë mend urdhënimet’ e ati për me i bamë.
19 Zoti bani gati shkambin’ e vet ndë qiell, edhe mbëretënia e ati zotënon mbi të gjitha.
20 Bekoni Zotinë, ju engjujt’ e ati, të fortë me fuqi, ju qi bani fjalën’ e ati, ju qi ndigjoni zanin’ e fjalës’ ati.
21 Bekoni Zotinë, ju gjithë fuqiat’ e ati, ju punëtorët’ e ati, qi bani dashunimin’ e ati.
22 Bekoni Zotinë, ju gjithë punët’ e ati, mbë çdo vend të pushtetit ati. Beko Zotinë, o shpirti em.
1 I Davidit.
Bekoje Zotin, o shpirti im,
dhe gjithë qenia ime emrin e tij të shenjtë.
2 Bekoje Zotin, o shpirti im,
dhe mos i harro bamirësitë e tij.
3 Ai fal tërë paudhësitë e tua,
ai shëron tërë sëmundjet e tua.
4 Ta shpëton jetën prej varrit,
të kurorëzon me mirësi e dhembshuri.
5 Ai ta mbush jetën me të mira,
ai të rinon si shqiponjën.
6 Zoti bën vepra të drejta,
u jep drejtësi të shtypurve.
7 Udhët e tij ia dëftoi Moisiut,
veprat e tij bijve të Izraelit.
8 Zoti është i dhembshur e i mëshirshëm,
i duruar e plot mirësi.
9 Nuk padit përgjithmonë,
as mban mëri përjetë.
10 Nuk na trajton sipas mëkateve tona,
as na shpaguan sipas paudhësive tona.
11 Sa lart është qielli nga toka,
aq e madhe është mirësia e tij për ata që e druajnë.
12 Sa larg është lindja nga perëndimi,
aq i largon prej nesh paudhësitë tona.
13 Siç i dhimbsen bijtë një ati,
ashtu i dhimbsen Zotit ata që e druajnë.
14 Se ai e di si jemi krijuar,
nuk harron që jemi pluhur.
15 Ditët e njeriut janë si bari,
ai lulëzon si lulja e fushës.
16 Fryn era dhe e shuan,
nuk dihet as ku ka qenë.
17 Por mirësia e Zotit mbetet përjetë e në amshim për ata që e druajnë
dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve të tyre,
18 për ata që mbajnë besëlidhjen e tij,
që zbatojnë pa harruar porositë e tij.
19 Zoti e ka vendosur fronin në qiell,
mbretëria e tij sundon gjithçka.
20 Bekojeni Zotin, o ju engjëjt e tij të fortë e të fuqishëm,
ju që zbatoni urdhrat e tij, sapo dëgjoni fjalët e tij.
21 Bekojeni Zotin, gjithë ju ushtritë e tij,
ju shërbestarët e tij, që bëni vullnetin e tij.
22 Bekojeni Zotin, gjithë ju veprat e Zotit,
në çdo vend ku ai sundon.
Bekoje Zotin, o shpirti im!