Psallmë kanke mbë të përtërimit e shtëpisë Davidit.
1 Kam me të naltuem, o Zot, se më naltove, edhe nukë gëzove anëmiqt e mi mbë mue.
2 O Zot Perëndia em, bërtita te ti, edhe më shëndoshe.
3 O Zot, nxore shpirtinë t’em prei vorrit, më rueite jetënë, qi të mos sdryp ndë gropët.
4 Psallni Zotit, o të dreitët’ e ati, edhe lavduroni kuitimin’ e shenjtënisë ati.
5 Sepse zemërimi ati mba vetëmë nji grime herë, por ashtë jetë ndë dashunim t’ati; ndë mbramiet mund të vijë të qjamë, por ndë mëngjes bahetë gëzim.
6 Por unë thashë ndë mbarësit t’eme: S’kam me u tundunë për gjithë jetënë.
7 O Zot, me anë të dashunimit tand i dhe fuqi malit t’em. Këtheve mbënjanë faqenë tande, edhe u përzishë.
8 Te ti thërrita, o Zot, edhe iu luta Zotit.
9 Ç’ të mirë bahetë ndë gjakt t’em, ndë sdrypsha ndë gropë? Mos ka me të lavduruem pluhuni? A ka me diftuem të vërtetënë tande?
10 Ndëgjo o Zot, edhe përdëlle-më, o Zot, bahu ndifmësi em.
11 Këtheve të qjamitë t’em ndë gas, grise thesinë t’em, edhe më ngjeshe gëzim,
12 qi të psalli për tyi lavdia eme , edhe të mos pushojë. O Zot Perëndia em, kam me të lavduruem për gjithë jetënë.
1 Psalm i Davidit. Këngë për kushtimin e tempullit.
2 Të madhëroj, o Zot,
se lart më ngrite,
armiqtë e mi nuk i le
të ngazëllejnë mbi mua.
3 O Zot, Perëndia im, ty të thirra
e ti më shërove.
4 Ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga skëterra,
ti më mbajte në jetë,
që në varr të mos zbrisja.
5 Këndojini Zotit, ju besnikët e tij,
përlëvdoni kujtimin e shenjtërisë së tij.
6 Zemërimi i tij zgjat veç një çast,
por përkrahja e tij, tërë jetën.
Mbrëmja edhe vjen me lot,
por mëngjesi, plot hare.
7 Kur jetoja në begati, thosha:
«Nuk do të tronditem kurrë».
8 Ti, o Zot, më përkrahe
e më bëre të fortë si malin,
por kur fshehe fytyrën,
më zunë drithërimat.
9 Ty të thërras, o Zot,
Zotit tim i kërkoj mëshirë.
10 Ç'dobi do të kishe nga gjaku im,
nga zbritja ime në varr?
Mos do të të përlëvdojë gjë balta?
Apo mos do ta shpallë ajo të vërtetën tënde?
11 Dëgjomë, o Zot, e mëshiromë!
O Zot, bëhu ndihmëtari im.
12 Vajtimin në valle ma ktheve,
grathoren e zisë ma hoqe
e me hare më ngjeshe,
13 që qenia ime të të këndojë pa pushim.
O Zot, Perëndia im, do të të përlëvdoj përjetë.