Psallm’ e Davidit.
1 Te ti kam me thërritun’, o Zot, shkrepi em: mos më bajsh veshinë të shurdhëtë, as ndonji herë mos më bajsh veshinë të shurdhëtë, sepse kam me shëmbëllyem atyne qi sdrypinë ndë gropë.
2 Ndëgjo zanin’ e lutëjevet mia, kur thërres te ti, kur ngre duert’ e mia ndë tempull tand të shenjtënueminë.
3 Mos më hiq bashkë me të pa-besëtë, edhe bashkë me ata qi punojënë pa udhë, të cillëtë flasinë paqtim me të afërmit’ e vet, por kanë të keqe ndë zemërat të veta.
4 Ep-u atyne mbas punëvet atyne, edhe mbas së keqesë të punuemevet atyne, mbas punëvet duervet atyne, ep-u atyne; ep-u atyne shpagimin’ e atyne.
5 Se nukë mbanë vesh punëvet Zotit, edhe punëvet duervet ati; ka me i rrëzuem ata, edhe s’ka me i ngritunë ma .
6 I bekuem qoftë Zoti, se ndëgjoi zanin’ e lutëjevet mia.
7 Zoti ashtë fuqia eme, edhe mburonja eme; zemëra eme shpëreu mb’atë, edhe gjeta ndifmë, përandai u gëzue zemëra eme, edhe kam me e lavduruem me kankët’ e mia.
8 Zoti ashtë fuqia e popullit vet, ai asht’ edhe fuqia e shpëtimevet të lyemit vet.
9 Shpëto popullinë tand dhe beko trashëgiminë tand, edhe kullot ata, edhe nalto ata për gjithë jetënë.
1 Psalm i Davidit.
Ty të thërras, o Zot,
shkëmbi im, mos hesht ndaj meje.
Po heshte ndaj meje,
do të bëhem si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjoje zërin e përgjërimit tim,
kur të thërras për ndihmë,
kur duart i ngre drejt shenjtërores sate të shenjtë.
3 Mos më hiq zvarrë edhe mua si të paudhët,
si ata që të keqen bëjnë,
që për paqe flasin me të afërtit,
por në zemër bluajnë ligësi.
4 Shpërbleji sipas veprave të tyre,
sipas veprimeve të tyre të liga.
Shpërbleji sipas veprave të duarve të tyre,
jepu shpagimin që meritojnë,
5 se i shpërfillin veprat e Zotit
dhe punët e duarve të tij.
Ai i rrënoftë e më mos i ngrittë!
6 Bekuar qoftë Zoti,
se e dëgjoi zërin e përgjërimit tim!
7 Zoti është fuqia dhe mburoja ime,
në të shpreson zemra ime,
tek ai gjeta ndihmë.
Ndaj ngazëllen zemra ime,
me këngë e falënderoj.
8 Zoti është fuqia e popullit të tij,
strehë shpëtimi për të vajosurin e vet.
9 Shpëtoje popullin tënd,
bekoje trashëgimin tënd!
Ji bariu i tyre
e lartësoji deri në amshim!