Mbë të parinë kankatuer. Psallm’ e Davidit.
1 Qijetë tregojënë lavdinë e Perëndisë, edhe qindresa difton punën’ e duervet ati.
2 Dita i flet fjalë ditësë, edhe nata i difton mend natësë.
3 Nukë janë ligjërata, as fjalë, qi të mos u ndëgjohetë zani.
4 Zani i atyneve duel’ mbë gjithë dhenë, edhe fjalët’ e atyneve votnë der mbë kantet të botësë. Ndër ata vuni tendë për diellinë.
5 Edhe kyi del’ porsi dhandërrë prei dhomësë dhandërrisë, gëzohetë porsi burr’ i fortë, kur ecën sheshit;
6 të dalët’ e ati ashtë prei kantit qiellit, edhe të qarkuemit’ e ati mbarohetë der mbë kand tietërë , edhe s’ashtë gja me u mpëshefunë prei së nxetit ati.
7 Ligja e Zotit asht’ e këthiellëtë, qi këthen shpirt, dëshmia e Zotit asht’ e besueme, qi ban të mençim të mituninë;
8 urdhënimet’ e Zotit janë të dreitë, qi gëzojënë zemrënë; porosia e Zotit asht’ e ndriçime, qi ndrit sytë,
9 frik’ e Zotit asht’ e këthiellëtë, qi mbet ndë jetë të jetësë; gjyqet’ e Zotit janë të vërtetë, edhe të dreitë kreit;
10 janë ma të dëshërueshim se ari, por edhe ma tepërë se ar’ i kullutë, edhe ma t’ambëlë se mialta, edhe pikat’ e hojit.
11 Shërbëtori yt këshillohetë fort tepërë me anë t’atyneve; ndë të rueitunit t’atyneve ashtë shumë shpagim.
12 Kush kupëton fajetë? Qiro-më prei së mpësheftavet punë ,
13 edhe ruei shërbëtorinë tand prei madhështiash; le të mos zotënojënë mbi mue, atëherë kam me dalë faqe-bardhë, edhe kam me u qiruem prej fajit math.
14 Le të jenë të pëlqyeshime fjalët’ e gojëse s’eme, edhe mendimi zemrësë s’eme përpara teje, o Zot, shkrepi em, edhe shpërblimtari em.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë,
kubeja qiellore kumton veprën e duarve të tij.
3 Dita i çon fjalë ditës,
nata i bën me dije natës.
4 Nuk bëzajnë, nuk nxjerrin fjalë,
as që u dëgjohet zëri.
5 Por, jehona e tyre përhapet në tërë dheun
dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës.
Atje i ka bërë një tendë diellit,
6 ai është si dhëndri kur del prej dhomës,
si trimi që ngazëllon kur merr hov.
7 Lind në njërin skaj të qiellit
e deri në tjetrin rrotullohet,
nxehtësisë së tij s'i fshihet askush.
8 I përsosur është ligji i Zotit,
shpirtin përtërin,
e vërtetë dëshmia e Zotit,
të thjeshtit i jep urti.
9 Porositë e Zotit janë të drejta,
zemrën e gëzojnë,
urdhërimet e Zotit janë të pastra,
syve u japin dritë.
10 E pastër është droja e Zotit,
mbetet në amshim,
të vërteta janë gjykimet e Zotit,
të gjitha të drejta.
11 Më të dëshirueshme janë se ari,
se ari i kulluar mirë,
më të ëmbla se mjalti,
se mjalti që rrjedh nga hojet.
12 Prej tyre mëson edhe shërbëtori yt,
kush i zbaton merr shpërblim të madh.
13 Kush mund t'i kuptojë fajet?
Prej fajeve të fshehta pastromë.
14 Ruaje shërbëtorin tënd edhe nga mëkatet me dashje,
që të mos sundojnë mbi mua.
Atëherë do të jem i patëmetë,
i pastruar krejt prej mëkatit të rëndë.
15 Të pëlqefshin fjalët e gojës sime
dhe përsiatjet e zemrës sime,
o Zot, shkëmbi e shpëtimtari im.