Mbë të parinë kankatuer. Psallm’ e Davidit.
1 Shpëreva mbë tyi, o Zot, mos u turpënofsha për gjithë jetënë, shpëto-më ndë dreitëni tande.
2 Ul veshinë tek unë, shpeito të më shpëtojsh, m’u ban shkrep i fortë, edhe shtëpi mpshtetëje, qi të më shpëtojsh.
3 Sepse je guri em edhe kasteli em, edhe për punë t’emënit tand hiq-më udhën’, edhe ushqe-më.
4 Nxir-më prei kurthit, qi mpëshefnë për mue, se je fuqia eme.
5 Ap frymënë t’eme ndë duert të tua: ti më shpërbleve, o Zot Perëndia i së vërtetësë.
6 Mora mëni ata qi u mbanë vesh të kotavet rrenësë, por unë shpërej mbë Zotinë.
7 Kam me u gëzuem e me u gazmuem për përdëlliminë tand, sepse pe shtrëngiminë t’em, ngjofte shpirtinë t’em ndër shtrëngime,
8 edhe nukë më mbylle ndë dorët të anëmikut; vune kambët’ e mia ndë të gjanë.
9 Përdëlle-më, o Zot, sepse jam ndë shtrëngim: prei idhënimit u vyshk syni em, shpirti em, edhe barku em.
10 Se shkova jetënë t’eme ndë të dhimptuna, edhe viet’ e mi ndë shamëtima, fuqia eme m’u këput prei së vueituni, edhe eshtënat’ e mia u tuntnë.
11 U bashë shpërnderim ndë gjith anëmiqt e mi, edhe ma tepërë ndë fëqinjt e mi, edhe frikë ndë të ngjofunit e mi, ata qi më shifshinë jashtë ikshinë prei meje.
12 U harrova prei zemërës’ atyne , porsi i vdekunë, u bashë porsi an’ e humbunë.
13 Se ndëgjova shpërnderimin’ e të shumëvet: ishte frikë mbë gjith anët, kur këshilluen’ ata kundrë meje, vunë ndër mend me më ngritunë jetënë.
14 Por unë shpëreva mbë tyi, o Zot, thashë: Ti je Perëndia em.
15 Kohënat’ e mia janë ndë duer të tua: liro-më prei dorës’ anëmiqvet mi, edhe prei atyne qi më ndiekinë.
16 Ndrit faqenë tande te shërbëtori yt: shpëto-më për përdëlliminë tand.
17 Zot, mos u turpënofsha, sepse thirra mbë tyi: të pa-besët’ u turpënofshinë, edhe sdrypshinë ndë vorr.
18 U mbëçelshin’ ato buzëtë gënjeshtare, qi flasin’ ashpërë kundrë të dreitit me madhështi e me shpërnderim.
19 Sa i madh ashtë të mirëtë t’at, qi rueite për ata qi të kanë frikë; bane punë tek ata qi shpërejënë mbë tyi, përpara të bijvet njerëzëvet!
20 Ke me mpëshefun’ ata ndë të mpësheftit të faqesë s’ate prei madhështisë njerëzëvet, ke me mbuluem ata ndë tendë prej kundrë-fjalësë gjuhënavet.
21 I bekuem qoftë Zoti, se ma bani të mërekullueshim përdëllimin’ e vet ndë qytet të fortë.
22 Por unë thashë ndë të habitunit t’em: U hodha tej prei sysh tu, por ti ndëgjove zanin’ e lutëjevet mia, kur klitha te ti.
23 Doni Zotinë, gjithë të dreitët’ e ati, Zoti ruen besëtarëtë, edhe ua shpaguen tepër’ atyne qi punojënë madhështi.
24 Bahi burra, le të forcohetë zemëra juei, gjithë juve qi shpëreni mbë Zotinë.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Te ti, o Zot, kërkova strehë,
mos lejo të turpërohem asnjëherë,
sipas drejtësisë sate çliromë!
3 Prire veshin drejt meje,
nxito të më çlirosh,
bëhu për mua shkëmbi,
ku gjej strehim,
fortesa e shpëtimit tim.
4 Ti je shkëmbi dhe fortesa ime,
për hir të emrit tënd primë e hiqmë udhën.
5 Më nxirr nga laku, që fshehtas më kanë ngritur,
sepse ti je streha ime.
6 Në duart e tua e lë shpirtin tim,
shpengomë, o Zot, Perëndi besnik.
7 I urrej ata që jepen pas idhujve të kotë,
por unë shpresën e kam te Zoti.
8 Për mirësinë tënde gëzoj e ngazëllej,
se ti e pe pikëllimin tim
dhe e njohe mjerimin e shpirtit tim.
9 Nuk më le të bie në dorë të armiqve,
këmbët m'i vure në vend të gjerë.
10 Mëshiromë, o Zot, se jam ngushtë,
nga brenga po më treten sytë, shpirti e trupi.
11 Jeta po më mpaket në hidhërim
e vitet po kalojnë mes lëngatash,
më kanë lënë fuqitë prej paudhësisë
e kockat po më treten.
12 Jam bërë tallje për të gjithë armiqtë
e shumë më tepër për fqinjët.
Jam kthyer në tmerr për të njohurit
e sa më shohin rrugës, ikin.
13 Më kanë harruar fare,
si të isha i vdekur,
jam bërë porsi enë e thyer.
14 Shpifjet e shumë njerëzve i dëgjova,
tmerr nga të gjitha anët,
janë bërë bashkë kundër meje,
po kurdisin jetën të ma marrin.
15 Por unë shpresoj te ti, o Zot,
e them: «Ti je Perëndia im!».
16 Në duart e tua janë motet e mia,
shpëtomë nga dora e armiqve të mi
e prej atyre që më përndjekin.
17 Shndrittë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd,
sipas mirësisë sate shpëtomë.
18 Mos më turpëro, o Zot,
se ty të kam thirrur.
U turpërofshin të paudhët
e në skëterrë gojën mbyllshin.
19 U mbyllshin buzët gënjeshtare,
që kundër të drejtit tërë krenari flasin,
tërë mburrje e përbuzje.
20 Sa e madhe është mirësia jote, o Zot,
që ti e ruan për ata që të druajnë.
Ua jep atyre që kërkojnë strehë te ti,
në sytë e mbarë bijve të njerëzve.
21 Nën strehën e pranisë sate i fsheh,
larg kurtheve të njerëzve,
nën banesën tënde i strehon,
larg gjuhëve ngatërrestare.
22 Bekuar qoftë Zoti,
se brenda qytetit të rrethuar
me mrekullinë e mirësisë së tij më mbuloi.
23 E unë, në hutimin tim, thosha:
«Jam dëbuar larg syve të tu».
Veçse, ti e dëgjove përgjërimin tim,
kur unë ty të thirra.
24 Duajeni Zotin, të gjithë ju besnikët e tij!
Zoti i mbron besimtarët e tij
dhe shpaguan plotësisht kë vepron me krenari.
25 Jini të fortë e merrni zemër,
të gjithë ju që Zotin pritni.