Mbë të parinë kankatuer. Psallmë kanke e Davidit.
1 Po të pret lavdurim ndë Sionë, o Perëndi, edhe tyi ashtë për të dhanë uratë.
2 O ti qi ndëgjon të falunë, te ti ka me ardhunë qishdo mish.
3 Fjalët e të pa-udhëvet duelnë ma të forta kundrë meje, ti ke me qiruem pa-udhënitë t’ona.
4 Lum ai qi sgjodhe, edhe e more me vetëhe, qi të rrijë ndë oborret e tu; kemi me u ngimë me të mirat e shtëpisë s’ate, të shenjtënuemit tempullit t’yt.
5 Prei punës frikëshime me dreitëni, ke me na u përgjegjunë, o Perëndia i shpëtimit t’ynë, shpëresa e gjith’ anëvet dheut, edhe atyne qi janë lark ndë det;
6 ti qi forcon maletë me fuqinë tande, qi je ngjeshunë me fuqi;
7 ti qi pushon zanin e detit, zanin’ e valëvet ati, edhe të bërtitunit’ e popujvet.
8 Edhe ata qi rrinë nd’ato anët përtej, druejënë shenjet e tua.
9 Ti gëzon të dalat’ e mëngjesit edhe të mbramëjesë. Vështron dhenë, edhe e ujit; e ban të pasunë tepërë; lumi i Perëndisë u mbush me ujëna; ban gati grunët’ e atyne, se kështu e bane gati.
10 Ujit vijat’ e ati, sheshon plisat’ e ati, sbut atë me pika shiu, bekon bimat’ e ati.
11 Kunorëzon vitinë me të mirat e tua, edhe gjurmat’ e tua pikojënë dhiamë.
12 Pikojënëmbi kullotat e shkretisë, edhe kodratë ngjishenë me gëzim.
13 Fushatë janë veshunë me tufa dhensh, edhe gropësinatë mbuluem me grunë; brohorijënë, por edhe këndojënë.
1 Mjeshtrit të Korit. Psalm i Davidit. Këngë.
2 Ty, o Perëndi, të përket lavdia në Sion
dhe për ty do të mbahet betimi.
3 Te ti, që dëgjon çdo lutje,
do të vijë çdo krijesë.
4 Paudhësitë ngadhënjyen mbi ne,
por ti na i fal shkeljet.
5 Lum njeriu që ti zgjedh dhe e afron!
Ai do të banojë në oborret e tua.
Do të kënaqemi me mirësinë e shtëpisë sate,
me tempullin tënd të shenjtë.
6 Na përgjigjesh me mrekulli e drejtësi,
o Perëndi, shpëtimtari ynë,
shpresa e mbarë skajeve të tokës
dhe e deteve të largët.
7 Ti i ngul malet me fuqinë tënde,
i ngjeshur me pushtet.
8 Ti fashit tërbimin e deteve,
ulërimën e valëve të tyre
dhe trazirat e popujve.
9 Banorët e skajeve të tokës
dridhen nga shenjat e tua.
Në lindje e në perëndim
i bën të brohorasin.
10 Ti kujdesesh për tokën dhe ujin,
shumë të begatë e bën.
Lumi yt është plot, o Perëndi,
ti u jep njerëzve drithin,
ti e bën gati tokën.
11 Hullitë e saj i ngin me ujë,
plisat ia thërrmon,
me shira e zbut,
të mbjellat ia bekon.
12 Ti e kurorëzon vitin me mirësinë tënde,
ku shkel ti rrjedh begatia.
13 Kullotat e shkretëtirës gufojnë prej saj,
kodrinat vishen me hare.
14 Livadhet mbulohen me kope,
luginat me drithë;
brohorasin e këndojnë nga gëzimi.