Psallmë kanke për ditën’ e Sabbatesë.
1 Mirë ashtë për me lavduruem Zotinë, edhe me psallunë për emëninë tand, o i Naltë.
2 Me dhanë za ndë mëngjest për përdëlliminë tand, edhe për të vërtetënë tande për nate,
3 me psallter dhetë kordhëzash, bashkë me kankë e me qitharë.
4 Se më gëzove, o Zot, ndë krijesët tande, kam me u gëzuem për punët e duarvet tua.
5 Sa u madhuenë punët’e tua, o Zot! Fort thellë hynë mendimet’ e tu.
6 Njeriu i pamend nukë ngjef, edhe i marri s’kupëton këte,
7 se të pa-besëtë bijenë porsi bari, edhe gjith’ ata qi punojënë pa udhë lulëzojënë, për me u vdierrë për gjithë jetënë.
8 Por ti, o Zot, je i naltë për gjithë jetënë.
9 Se qe anëmiqt e tu, o Zot, se qe anëmiqt e tu kanë me u vdierrë, edhe gith’ ata qi punojënë pa udhë kanë me u përdamë.
10 Por ti ke me naltuem brininë t’em, porsi të bri-vetëmit; unë kam me u lyem me voj të ri,
11 edhe syni em ka me pamë si do për anëmiqt e mi, edhe veshët’ e mi kanë me ndëgjuem për të këqijt qi janë ngritunë kundrë meje.
12 I dreiti ka me lulëzuem porsi finik, ka me u shumuem porsi dullenj’ e Libanit.
13 Ata qi janë mbiellë ndë shtëpit të Zotit, kanë me lulëzuem ndë oborret të Perëndisë sonë, kanë me bamë pemë edhe nd’ate pleqëni të lashtë,
14 edhe kanë me qenunë të majm e të ngjomë,
15 për me diftuem, se Zoti, guri em, asht’ i dreitë, edhe nuk’ ashtë pa-udhëni nd’ate.
1 Psalm. Këngë për të shtunën.
2 Është mirë të përlëvdosh Zotin
e t'i këndosh emrit tënd, o i Tejlartë,
3 mirësinë tënde të shpallësh në mëngjes
e besnikërinë tënde gjatë natës,
4 me qeste dhjetëkordëshe e me harpë,
me këngë shoqëruar me lirë.
5 Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,
ngazëllohem me punët e duarve të tua.
6 Sa madhështore janë veprat e tua, o Zot,
sa të thella janë mendimet e tua!
7 Njeriu i pamend nuk e di
e i marri nuk e kupton dot,
8 se, të pabesët, edhe pse mbijnë si bari,
edhe pse lulëzojnë ata që bëjnë paudhësi,
kanë për t'u shkatërruar përgjithmonë.
9 Por ti, o Zot,
je përjetë madhështor!
10 Ja, armiqtë e tu, o Zot,
ja, armiqtë e tu do të zhbihen
e ata që bëjnë paudhësi do të hapërdahen.
11 Ti më bëre të fortë si buallin,
më vajose me vaj të ri.
12 Syri im do të shohë
rënien e kundërshtarëve të mi,
veshët e mi do të dëgjojnë
poshtërimin e atyre që më bëjnë keq.
13 I drejti do të lulëzojë si palma,
do të rritet si cedri i Libanit.
14 Do të mbillet në shtëpinë e Zotit,
do të lulëzojë në oborret e Perëndisë tonë.
15 Do të japë fryte edhe në pleqëri,
do të jetë i shëndetshëm e plot freski,
16 për të shpallur se Zoti është i drejtë.
Ai është shkëmbi im e tek ai nuk ka padrejtësi.