Mbë të parinë kankatuer, mbi Nehinoth. Psallm’ e Davidit.
1 Ven’-u vesh fjalëvet mia, o Zot, kupëto shamtimënë t’eme.
2 Mba-i vesh zanit klithmësë s’eme, o Mbëreti em, edhe Perëndia em, sepse tyi kam me t’u falunë.
3 Zot, ndë mëngjes ke me ndëgjuem zaninë t’em, ndë mëngjes kam me ndenjunë përpara teje, edhe kam me shikuem.
4 Sepse ti nukë je Perëndi qi do pa-besëninë, i keqi s’ka me ndenjun’ afërë teje.
5 As të marrëtë s’kanë me qindruem përpara syvet tu; merr mëni ata qi punojënë pa udhë.
6 Ke me bierrë ata qi flasinë rrenënë, Zoti ka të ndytë njerinë gjaksuer edhe gënjeshtarinë.
7 Por unë, me anë të shumëtit përdëllimit tand, kam me hymë ndë shtëpit tande, kam me lutunë ndë tempull të shenjtënisë s’ate me frikënë tande.
8 Zot, tërhiq-më udhënë ndë dreitënit tande, për punë të anëmiqvet mi, dreito udhënë tande përpara meje.
9 Sepse nuk’ asht e vërtetë ndë gojë t’atyneve, zemëra e atyneve asht’ e keqe, gurmazi i atyneve ashtë vorr i hapëtë, me gjuhën’ e vet përkëdhelinë.
10 Dëno ata, o Perëndi, mos qillofshinë ndë këshillet të veta, nxir jashtë ata për të shumën’ e pa-besënivet atyne, se ngritnë krye kundrë teje.
11 Por u gëzofshinë gjith’ ata qi shpërejënë mbë tyi; le të gëzohenë përherë, sepse ti mbulon ata qark; edhe le të mburrenë mbë tyi ata qi duen’ emëninë tand.
12 Se ti, o Zot, ke me bekuem të dreitinë, ke me kunorëzuem atë me pëlqim, porsi me mburonjë.
1 Mjeshtrit të korit. Për fyell. Psalm i Davidit.
2 Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia,
përfille rënkimin tim.
3 Thirrjes sime për ndihmë vëri vesh,
o mbreti im e Perëndia im,
se ty ta drejtoj lutjen time.
4 Në mëngjes, o Zot, ti e dëgjon zërin tim,
në mëngjes, kur përgatitem për ty e pres.
5 Ti nuk je Perëndi që i pëlqen e keqja,
pranë teje nuk ka vend ligësia,
6 as krenarët nuk të dalin dot para.
Ti i urren të gjithë ata që bëjnë paudhësi,
7 ata që thonë gënjeshtra i shkatërron
dhe gjakatarët e mashtruesit të neveriten.
8 Por unë do të hyj në shtëpinë tënde
falë mirësisë sate të madhe
e do të përkulem me nderim
në tempullin tënd të shenjtë.
9 Udhëhiqmë, o Zot, me drejtësinë tënde,
meqë kam armiq,
rrafshoje para meje udhën tënde.
10 Në gojën e tyre nuk ka asgjë të vërtetë,
përbrenda janë të rrënuar,
grykën e kanë si varr të hapur,
e me gjuhë thurin lajka.
11 Ndëshkoji, o Perëndi,
nga qëllimet e tyre u shkatërrofshin,
dëboji për paudhësitë e tyre të shumta,
se kanë ngritur krye kundër teje.
12 Por, ata që kërkojnë strehë te ti le të gëzojnë
e përherë të brohorasin.
Paçin mbrojtjen tënde
e u ngazëllefshin për ty ata që duan emrin tënd.
13 Se ti, o Zot, e bekon të drejtin
dhe e mbështjell me mirëdashjen tënde si me mburojë.