Miktam i Davidit.
1 Ruei-më, o Perënni, se shpëreva mbë tyi.
2 Ti, o shpirti em, i the Zotit: Ti je Zoti em, se s’ke nevojë për të mirat e mia.
3 Gjithë dashunia eme ashtë mbë shenjtënit qi janë ndë dhet, edhe mbë të sgjedhunit.
4 Kanë me u shumuem të dhimtunat’ e atyneve qi venë mbas të tierësh perëndinave, unë s’kam me prumë kurbanet’ e atyneve të stërpikuna prei gjaknash, as kam me zanë n’gojë emënat’ e atyneve.
5 Zoti ashtë piesa e anës’ eme, edhe e potirit t’em, ti ruen shortënë t’eme.
6 Shkurtatë më ranë në vende fort të mirë, sepse trashigimi em ashtë fort i mirë.
7 Kam me bekuem Zotinë, qi më këshilloi, por edhe ndë kohë të natësë më mësojënë veshnjet’ e mia.
8 Kishiem ndër sy Zotinë përherë, se ashtë prei së diathtash mia, qi të mos tundem.
9 Përandai u gëzue zemëra eme, edhe u gazmue gjuha eme, por edhe mishi em ka me u praitunë mbë shpëresë.
10 Se s’ke me lanë shpirtinë t’em ndë vorr, as s’ke me lanë të dreitinë tand të shofi prishëje.
11 Më diftove udhën’ e jetësë, faqeja jote ashtë plot me gëzim: gazmend ashtë kurdo ndë të diathtët tande.
1 Himn i Davidit.
Ruajmë, o Perëndi,
se te ti kërkova strehë.
2 I thashë Zotit: «Ti je Zoti im,
veç teje nuk kam të mirë tjetër».
3 Me të shenjtët e kësaj toke dhe me të madhërishmit,
kënaqet shpirti im.
4 Por atyre që shkojnë pas perëndish të tjera
iu shtofshin mundimet.
Flijimet e tyre të stërpikura me gjak
nuk do t'i kushtoj
dhe buzët e mia emrat e tyre
nuk do t'i shqiptojnë.
5 O Zot, trashëgimia ime dhe kupa ime,
fati im është në dorën tënde.
6 Më ranë për pjesë toka të mira,
e mrekullueshme është trashëgimia ime.
7 Do ta bekoj Zotin që më këshillon;
edhe natën zemra më mëson.
8 Zotin e mbaj gjithnjë para sysh,
ai është në të djathtën time,
nuk do të tronditem kurrë.
9 Ndaj gëzohet zemra ime,
qenia ime ngazëllen
e trupi im pushon i qetë.
10 Shpirtin tim nuk do ta lësh në skëterrë,
dhe besnikët e tu nuk do t'i lësh të shkojnë në gropë.
11 Udhën e jetës do të ma bësh të njohur;
prania jote është plot gëzim.
Të jesh në të djathtën tënde
është kënaqësi përjetë.