Psallm’ e Asarit.
1 Sa i mirë ashtë Perëndia ndë Israel, te zemërë-këthiellëtitë.
2 Por mue për pak m’u tuntnë kambëtë; për pakëzë më rrëshqitnë hapatë.
3 Se pata zmir të marrëtë, tue pamë mbarësin’ e të këqivet.
4 Se s’kanë mundime ndë vdekët t’atyneve, por fuqia e atyneve asht’ e fortë.
5 Nukë janë ndër mundime njerëzish, as vishkullohenë bashkë me njerës.
6 Përandai i qarkon madhështia porsi qafore, i mbulon pa-udhënia porsi petk.
7 U kanë dalunë sytë prei dhiamit, kaluenë dashunimet’ e zemrësë.
8 Shkojënë ndër mend, e flasinë keq për pa-udhëni, flasinë me madhështi.
9 Venë gojën’ e vet ndë qiell, edhe gjuha e atyneve shkon dhenë.
10 Përandai ka me u këthyem këtu populli i ati, edhe do të gjindenë shumë ujëna ndër ata.
11 Edhe thonë: Qysh ngjef Perëndia? Edhe ka mend i Nalti?
12 Shif këta të pa-besëtë te shkojënë mbarë përherë, u shtohetë gjaja.
13 Vallë kot qirova zemrënë t’eme, edhe lava duert’ e mia pa faj.
14 Sepse u vishkullueshë gjithë ditënë, edhe mundimi em ishte për gjithë nadie.
15 Ndë thansha: Kam me folunë kështu, qe te shaj brezin’ e bijvet tu.
16 U mendueshë me kupëtuem këtë, por m’u duk e randë ndër sy.
17 Deri sa hyna ndë shenjtënoren’ e Perëndisë, atëherë kupëtova të mbrapmet’ e atyne.
18 Por ti vune ata ndë vende rrëshqiza, i hodhe ndë rrëpina.
19 Qysh u banë përnjiherë të shkretë! U shuenë, u vdornë për pa-udhënin’ e vet.
20 Porsi andërrën’ e ati qi sqohetë, o Zot, kur të ngrihesh, ke me prishunë shëmbëllesën’ e atyneve.
21 Kështu digjei zemëra eme, edhe mundoheshinë veshnjet’ e mia.
22 Edhe un’ ishiem pa mend, edhe nukë ngjifshiem, ishiem shtasë përpara teje.
23 Por unë jam përherë bashkë me tyi, ti më zune prei dorësë diathtë.
24 Me anë të këshillësë s’ate ke me më hiekun’ udhënë, edhe mbasandai ke me më marrë ndë lavdi.
25 Ke kam ndë qiell? Edhe mbë dhet s’due tietërë veç teje.
26 S’më mbeti mish e zemërë, Perëndia ashtë fuqia e zemrësë s’eme, edhe piesa eme për gjithë jetënë.
27 Sepse qe te kanë me u vdierrë ata qi largohenë prei teje, ti rrenove gjith’ ataqi dalinë jashtë udhësë s’ate tue kurvënuem.
28 Por për mue, të ngjitunitë mbas Perëndisë asht’ e mira eme, vuna shpëresënë t’eme mbë Zotinë Perëndinë, për me diftuem gjithë punët’ e tua.
1 Psalm i Asafit.
Sa i mirë është Perëndia për Izraelin,
për ata që e kanë zemrën të pastër!
2 E mua gati m'u morën këmbët,
për pak m'u ngatërruan hapat.
3 Lakmi i pata për mburravecët,
kur pashë mirëqenien e të paudhëve.
4 Nuk kanë dhimbje deri në vdekje ,
barkun e kanë tërë dhjamë.
5 Nuk vuajnë si vdekatarët e tjerë,
nuk mundohen si njerëzit e tjerë.
6 Krenaria stolis qafat e tyre,
dhuna i mbulon si petk.
7 U pëlcasin sytë prej dhjamit,
prej zemrave u burojnë dëshirime.
8 Përqeshin e flasin me ligësi,
nga lart kërcënojnë me shtypje.
9 E hapin gojën edhe kundër qiellit,
gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj populli im kthehet drejt tyre
dhe pinë prej ujërave të tyre të shumtë.
11 «E si e ditka Perëndia», thonë,
«Nga e marrka vesh i Tejlarti?».
12 Ja, këta janë të paudhët!
Përherë të qetë, por grumbullojnë pasuri.
13 Më kot e kam mbajtur zemrën të pastër,
më kot i kam larë duart në pafajësi!
14 Tërë ditën kam pësuar fshikullima
e jam munduar deri në mëngjes.
15 Po të kisha thënë: «Do të flas si ata»,
do të kisha tradhtuar brezninë e bijve të tu.
16 U përpoqa ta kuptoj këtë,
por m'u errën sytë.
17 Vetëm kur hyra në shenjtëroren e Perëndisë,
vetëm atëherë e kuptova fundin e tyre.
18 Ja, i ke vendosur në vend të rrëshqitshëm,
i plandose në rrënim.
19 Si u shkatërruan kështu përnjëherë!
U sosën e morën fund me tmerr!
20 Si ëndrrën e atij që zgjohet, o Zot,
ashtu do ta përçmosh në agim pamjen e tyre.
21 Kur më hidhërohej zemra,
e veshkat më thernin,
22 isha i marrë e nuk kuptoja,
para teje isha si kafshë.
23 Por ja, unë jam gjithmonë me ty,
ti më mban dorën e djathtë.
24 Ti më udhëheq me këshillat e tua,
e pastaj do të më marrësh me lavdi.
25 Kë tjetër kam unë në qiell?
Veç teje, mbi tokë, s'dua tjetër.
26 Më janë ligështuar trupi e zemra,
por shkëmbi i zemrës sime dhe trashëgimia ime
është Perëndia në amshim.
27 Ja, ata që janë larg teje do të shfarosen,
ti i zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.
28 Por për mua është mirë të qëndroj pranë Perëndisë,
të kërkoj strehë te Zoti, Zoti im,
për t'i shpallur të gjitha veprat e tij.