Mbë të parinë kankatuer. Psallm’ e Davidit.
1 Tue pritunë prita Zotinë, edhe u ul tek unë, e ndëgjoi klithmënë t’eme.
2 Edhe me nxuer prei gropësë mundimit, prei baltësë ndytë, edhe qindroi kambët’ e mia mbi gurë, ndreqi hapat’ e mia.
3 Edhe vuni ndë gojët t’eme kankë të re, lavdurim për Perëndinë t’onë; shumë vetë kanë me pamë, edhe kanë me u frikuem, edhe kanë me shpëryem mbë Zotinë.
4 Lum ai njeri qi ka vumë shpëresën’ e vet mbë Zotinë, edhe nukë vështron madhështorëtë, edhe ata qi përvarenë mbë rrena.
5 Shumë janë mërekullit’ e tua, qi bane ti, o Zot Perëndia em, edhe askush s’mundetë me vumë me rrieshtë mendimet’ e tuqi ke për ne; ndë doishiem me i rrëfyem, e me folunë për ato , kapërcejënë qishdo numërë.
6 Kurban e dhunëti nukë deshe, më nxore veshëtë, kurban të gjithë diegun’ edhe dhunëti për faj s’kërkove.
7 Atëherë thashë: Qe te po vij, ndë ballë të librit ashtë shkruem për mue:
8 më k’anda me bamë dashuniminë tand, o Perëndia em, edhe ligja jotë ashtë ndë miedis të zemrësë s’eme.
9 Leçita dreitëni ndë përmbëledhëje të madhe, qe te nukë ndala buzët’ e mia, o Zot, ti e di.
10 Nukë mpëshefa dreitëninë tande ndë zemërët t’eme, rrëfeva të vërtetënë tande edhe shpëtesënë tande, nukë mpëshefa përdëlliminë tand edhe të vërtetënë tande prei përmëledhëjesë madhe.
11 Ti, o Zot, mos mërgo përdëllimet’ e tu prei meje, përdëllimi yt edhe e vërteta jote më ndimofshinë kur-do.
12 Se më qarkuenë të këqia të pa-ngjefuna, më mbërrinë pa-udhëniat’ e mia, edhe s’mundem me i pamë, u shumuenë ma tepërë se qimet e kresë s’eme, edhe zemëra eme po më le.
13 Pëlqe, o Zot, të më shpëtojsh; o Zot, nxito me më ndimuem.
14 U turpënofshin’ e u marrofshinë bashkë ata qi kërkojënë shpirtinë t’em të ma marrinë; u këthefshinë për së prapi, e u turpënofshin’ ata qi duenë të keqenë t’eme.
15 U bierrshinë për shpagim të turpënisë vet, ata qi më thonë: Të lumtë, të lumtë!
16 U gëzofshin’ e u gazmofshinë për tyi, gjith’ ata qi të kërkojënë, ata qi duenë shpëtiminë tand, le të thonë kurdo: U madhënoftë Zoti.
17 Por unë jam i vobek edhe i nevojëshim, Zoti më ka kujdes, ndifma eme edhe liruesi em ti je , o Perëndia em, mos u vono.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Me durim e prita Zotin,
ai u përkul drejt meje
e përgjërimin ma dëgjoi.
3 Prej gropës së mundimit më nxori,
prej batakut të baltës,
këmbët m'i vuri mbi shkëmb
e hapat m'i forcoi.
4 Një këngë të re më vuri në gojë,
një himn për Perëndinë tonë.
Shumë do ta shohin e do të dridhen
dhe në Zotin do të besojnë.
5 Lum njeriu që ka besim te Zoti,
që nuk kthehet drejt atyre që mburren
e drejt atyre që jepen pas gënjeshtrës.
6 Të shumta janë veprat e tua të mrekullueshme,
o Zot, Perëndia im,
të shumta shestimet e tua për ne.
Nuk ka të ngjashëm me ty!
Do t'i shpallja e do t'i tregoja,
por janë të panumërueshme.
7 Ti nuk dëshiron fli e kushtime,
për këtë m'i ke hapur mirë veshët,
nuk kërkove as fli shkrumbimi a mëkati.
8 Atëherë thashë: «Ja tek kam ardhur.
Në rrotullën e librit është shkruar për mua.
9 Të kryej vullnetin tënd, o Perëndia im, dëshiroj,
ligji yt është brenda qenies sime».
10 Drejtësinë tënde shpalla në kuvendin e madh,
ja, buzët nuk i mbylla
dhe ti, o Zot, e di.
11 Drejtësinë tënde nuk e fsheha brenda zemrës sime,
për besnikërinë e për shpëtimin tënd fola,
mirësinë tënde nuk e mbajta fshehur,
e as besnikërinë tënde në kuvendin e madh.
12 E ti, o Zot, mos m'i moho përdëllimet e tua,
mirësia dhe besnikëria jote më mbrojtshin përherë.
13 Të këqija të panumërta më kanë rrethuar,
paudhësitë më kanë vënë poshtë
e nuk më lënë të shoh.
Janë bërë më të shumta se flokët e kokës
e zemra po më lëshon.
14 Denjo, o Zot, të më shpëtosh!
Shpejto, o Zot, të më ndihmosh!
15 U turpërofshin e u çnderofshin
të gjithë ata që jetën duan të ma marrin,
u zmbrapsshin e u poshtërofshin
ata që më duan të keqen.
16 U tmerrofshin të turpëruar
ata që për mua thonë: «Mirë t'i bëhet!».
17 Të gjithë ata që të kërkojnë
gëzofshin e ngazëllefshin me ty,
ata që duan shpëtimin prej teje
thënçin përherë: «I madh është Zoti!».
18 Unë jam i mjerë e nevojtar,
por për mua kujdeset Zoti.
Ti je ndihma dhe shpëtimtari im,
o Perëndia im, mos vono.