1 Kush rri ndënë mbulesën’ e të Naltit, ka me pasunë të ndenjunitë ndënë hien’ e Fuqi-madhit.
2 Kam me i thanë Zotit: Tije pshtetëja eme, edhe kasteli em, Perëndia em, mb’ate kam me shpëryem.
3 Se ai ka me të shpëtuem prei kurthit gjahtorëvet, edhe prei murtajet qi u bie njerëzëvet.
4 Ka me të mbuluem me pendët e veta, edhe ka me shpëryem ndënë fletët e ati; e vërteta e ati do të jetë qark teje armë edhe mburonjë.
5 S’ke me u frikuem prei frikësë natesë, as ditënë prei shigjetësë qi hidhetë,
6 as prei murtajësë qi ecën nd’errësinë, as prei prishëjesë qi shkreton ndë mies-ditë.
7 Nji mijë kanë me ranë së manjëtash tua, edhe dhetë mijë së diathtash tua, por te ti s’kanë me u afruem.
8 Veç me syt e tu ke me shikuem, edhe ke me pamë shpagimin’ e fajtorëvet,
9 se ti vune Zotinë për shpëresënë t’eme, të Naltinë për pshtetëjenë tande.
10 S’ka me të gjaitunë ndonji e keqe, edhe vishkullë s’ka me u afruem ndë tendët tande.
11 Se ka me urdhënuem engjujt’ e vet për tyi, me të rueitunë ndë gjith’ udhët’ e tua.
12 Kanë me të ngritunë mbi duer, qi të mos përpieksh kambënë tande mbë gur.
13 Ke me shkelunë mbi leon e mbi aspidhë, ke me shkelunë mbi këlysh leoni e mbi drangue.
14 Se vuni shpëresënë mbë mue, përandai kam me e shpëtuem; kam me e naltuem, se ngjofti emëninë t’em.
15 Ka me thirrunë mbë mue, edhe kam me e ndigjuem; kam me i qenunë përanë ndë shtrëngim, kam me e shpëtuem, edhe kam me e lavdue.
16 Kam me e ngimë me ditt të gjata, edhe kam me i diftuem shpëtiminë t’em.
1 Kush banon nën strehën e të Tejlartit,
qëndron nën hijen e të gjithëpushtetshmit.
2 Do t'i them Zotit: «Ti je streha ime e fortesa ime,
je Perëndia im, te ti kam besim».
3 Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit
dhe nga plaga vdekjeprurëse.
4 Me pendët e tij do të të mbulojë,
nën krahët e tij strehë do të gjesh,
shqyt e mburojë është besnikëria e tij.
5 Nuk do ta kesh frikë tmerrin e natës
e as shigjetën që vringëllon ditën,
6 as murtajën që endet nëpër terr
e as shfarosjen që shkreton në zheg.
7 Le të bien mijëra përreth teje,
apo dhjetëra mijëra në të djathtën tënde,
ty nuk do të të prekë asgjë.
8 Vetëm hap sytë
e shih ndëshkimin e të paudhëve.
9 Zoti është streha jote,
i Tejlarti banesa jote,
10 nuk të prek asnjë e keqe
dhe tendës sate sëmundje nuk do t'i afrohet.
11 Ai do të urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë përgjatë të gjitha udhëve.
12 Në duart e tyre do të të mbajnë,
që këmba jote të mos ndeshë në gur.
13 Mbi këlyshë luanësh e mbi nepërka do të shkelësh,
do të shtypësh luanë e gjarpërinj.
14 «Do ta çliroj, sepse më deshi,
do ta mbroj, se njohu emrin tim.
15 Do të më thërrasë e unë do t'i përgjigjem,
në vështirësi me të do të jem,
do ta shpëtoj e nder do t'i jap.
16 Do ta kënaq me jetë të gjatë
dhe shpëtimin tim do t'i dëftej».