Urata e Moiseut, njeriut Perëndisë.
1 O Zot, ti na u bane pshtetëje bres mbas brezi.
2 Para se të lejën maletë, edhe të gatueish dhen’ e botënë, edhe çë prei jetësë së jetësë, ti je Perëndia.
3 Këthen edhe e ban njerinë pluhunë, edhe thue: Këthehi, o të bijt’ e njerëzëvet.
4 Se nji mijë viet ndë syt të tujanë porsi dita e dieshime qi shkoi, edhe porsi nji të rueitunë nate.
5 I ban t’i rrëmbejë ujëtë, janë porsi andërrë, porsi bar ndë nadie qi përtërihetë.
6 Ndë mëngjes lulëzon e përtërihetë; ndë mbramiet këputet’ e thahetë.
7 Se po vdiremi prei mënisë s’ate, edhe po përzihemi prei zemërimit t’yt.
8 Vune pa-udhënitë t’ona përpara teje, edhe të pshefate t’ona ndë dritë të faqesë s’ate.
9 Se gjithë dittë t’ona shkojënë ndë zemërimt tand, shkoimë vietë t’anë porsi mendim qi shkon ndër mend.
10 Ditt’ e jetësë t’onë janë prei vetiut shtatedhetë viet, edhe ndë qofshinë tetëdhetë viet për punë të shëndetit, por ma e shumapiesë e atyneve ashtë mundim e të dhimptunë, sepse shkon shpeit, edhe na fluturoimë.
11 Kush ngjef fuqin’ e mënisë s’ate, edhe të zemërimit t’yt, mbas frikësë s’ate.
12 Mëson-na me ngjehunë kështu dittë t’ona, qi të ngjisim zemërënë ndë dituni.
13 Këthehu, o Zot: deri kurë? Edhe bahu i përdëllyeshim mbë shërbëtorët e tu.
14 Ngij-na me përdëlliminë tand ndë mëngjest, edhe kemi me u gëzuem e me u gazmuem për gjithë ditt t’ona.
15 Gëzo-na për ato ditt qi na mundove, edhe për ata viet qi pam të këqia.
16 U shpërfaqtë puna jote mbë shërbëtorët e tu, edhe lavdia jote mbë të bijt e atyneve.
17 Edhe qoftë ndriçim i Zotit Perëndisë t’onë mbi ne, edhe ndreq punën’ e duervet t’ona ndër ne, edhe punën’ e duervet t’ona ndreq-e.
1 Lutje e Moisiut, njeriut të Perëndisë.
O Zot, ti ke qenë streha jonë
brez pas brezi.
2 Para se të lindnin malet,
para se të krijoje tokën e botën,
prej amshimit në amshim, ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur,
e thua: «Kthehuni, o bijtë e njeriut!».
4 Se një mijë vjet në sytë e tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi orët e rojës së natës.
5 Në gjumë, si përmbytja i përlan,
si bari që mugullon në mëngjes janë.
6 Në mëngjes lulëzon e mugullon,
në mbrëmje vyshket e thahet.
7 Prej zemërimit tënd morëm fund,
prej furisë sate u tmerruam.
8 Paudhësitë tona i ke vënë para vetes,
të fshehtat tona në dritën e fytyrës sate.
9 Tërë ditët tona fashiten prej mërisë sate,
vitet tona marrin fund si një ofshamë.
10 Vitet e jetës sonë janë shtatëdhjetë,
ja, tetëdhjetë për më të fortët;
vitet më të mira janë mundim e dhimbje,
teren shpejt e ne kalojmë.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd?
Si droja ndaj teje ashtu është furia jote.
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona,
që të fitojmë një zemër plot urti.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur?
Ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
14 Na ngij në mëngjes me mirësinë tënde,
që të ngazëllejmë e të gëzojmë në të gjitha ditët tona.
15 Bëna të gëzojmë për aq ditë sa na mundove,
për aq vite sa kaluam në fatkeqësi.
16 Le të shfaqet vepra jote te shërbëtorët e tu,
te bijtë e tyre madhështia jote.
17 Ardhtë mbi ne mirësia e Zotit, Perëndisë tonë,
bëje të shkojë mbarë veprën e duarve tona,
përparoftë vepra e duarve tona!