Mbë të parinë kankatuer mbi Muth-llabben Psallm’ e Davidit.
1 Kam me lavduruem me gjithë zemrënë t’eme, o Zot, kam me treguem gjithë mërekullit e tua.
2 Kam me gëzuem e me u gazmuem për tyi, kam me psallunë për emninë tand, o i Naltë.
3 Kur të këthehenë mbrapa anëmiqt’ e mi, kanë me ranë, edhe kanë me u bierrë përpara sysh tu.
4 Se ti bane gjyqinë t’em edhe të dreitënë t’eme, ndenje mbë shkamp tue gjukuem me dreitëni.
5 Qirtove kombetë, prishe të pa-besinë, shove emënin’ e atyneve ndë jetët të jetësë.
6 O anëmik, të shkretuemetë pushuenë për kur-do, edhe rrenove qytetetë; të përmendunit’ e atyneve hupi bashkë me ata.
7 Por Zoti mbet për gjithë jetënë, bani gati shkambin’ e vet për gjyq.
8 Edhe ai ka me gjukuem botënë me dreitëni, ka me gjukuem popujtë me të dreitë.
9 Edhe Zoti ka me qenunë mpështetëje te i nevojëshimi, mpështetëje ndë kohë të shtrëngimit.
10 Edhe ata qi ngjofin emninë tand kanë me shpëryem mbë tyi, se s’hoqe dorë prei atyneve qi të kërkojën’, o Zot.
11 Psallni Zotit, qi rri ndë Sionë, tregoni punët’ e ati ndër popuj.
12 Se, kur të kërkojë gjaknatë, i kuiton: s’harron klithmën’ e atyneve qi heqinë keq.
13 Përdëlle-më, o Zot, shif shtrëngiminë t’em, qi vien prei atyneve qi më kanë mëni, ti qi më ngre nalt prei dyervet vdekësë,
14 qi të tregoj gjithë lavdurimet’ e tu ndër dyert së bijësë Sionësë: unë kam me u gëzuem për shpëtiminë tand.
15 Kombetë ranë nd’atë gropë qi banë: kamb’ e atyneve u zu nd’atë kurth, qi mpëshefnë.
16 Zoti ngjifetë për gjyqinë qi ban: i pa-besi zihetë ndë lak për punët të duervet veta. Higgaion. Selah.
17 Të pa-besëtë kanë me u këthyem ndë ferr: edhe gjithë kombetë qi harrojënë Perëndinë.
18 Se i vobegu s’ka me u harruem kurrë, shpëresa e të nevojëshimëvet s’ka me hupunë kurrë.
19 Ngreu, o Zot, le të mos dali ma i fortë njeri, le të gjukohenë kombetë përpara teje.
20 Ven’, o Zot, ligjë-dhanës mbi ata, le ta ngjofinë kombetë, se janë njerës. Selah.
1 Mjeshtrit të korit, për zëra të lartë . Psalm i Davidit.
Alef
2 Të përlëvdoj me gjithë zemër, o Zot,
dhe tërë veprat e tua të mrekullueshme rrëfej.
3 Me ty gëzohem e ngazëllohem
dhe emrit tënd i këndoj, o i Tejlartë!
Bet
4 Kur tërhiqen pas,
armiqtë e mi pengohen
e zhduken nga prania jote.
5 Se ti i dhe të drejtë çështjes sime,
i ulur në fron si gjykatës i drejtë.
Gimel
6 Kombet i qortove,
të paudhët i shkatërrove
dhe emrin e tyre përgjithmonë e fshive.
7 Armiqtë morën fund, u rrënuan përjetë;
qyteteve u vure plojën,
askush nuk i kujton.
He
8 Por Zoti qëndron përjetë,
e ka gatitur fronin për gjykim.
9 Botën do ta gjykojë me drejtësi
e popujt me paanësi.
Vau
10 Zoti është strehë për të shtypurit,
strehë në kohë të vështira.
11 Ata që e njohin emrin tënd
kanë besim te ti,
se ti, o Zot,
nuk i braktis ata që të kërkojnë.
Zain
12 Këndojini Zotit që banon në Sion,
shpalluni popujve veprat e tij.
13 Se ai që ndëshkon gjakatarët u kujtua
dhe klithmën e skamnorëve nuk e harroi.
Het
14 Mëshiromë, o Zot,
që prej portave të vdekjes më shpëton.
Shiko si më poshtëruan ata që më urrejnë,
15 që tërë lavditë e tua të shpall
dhe te portat e Sionit
të ngazëllej për shpëtimin tënd.
Tet
16 Kombet ranë në gropën që hapën vetë,
laku që vetë e vunë ua zuri këmbën.
17 Zoti e dëfteu veten dhe bëri drejtësi,
e zuri të paudhin në grackën që vetë kishte ngritur. higajon selah
Jod
18 Në skëterrë rënçin të paudhët,
mbarë ato kombe që harrojnë Perëndinë.
Kaf
19 Se nevojtari nuk do të harrohet kurrë,
dhe shpresa e fatkeqëve nuk do të humbë asnjëherë.
20 Ngrihu, o Zot,
që të mos dalë më i fortë njeriu,
që kombet të gjykohen prej teje.
21 Tmerroji, o Zot!
Kombet ta dinë mirë
se janë vetëm njerëz. selah