Mashhil i Ethan Ezrahitit.
1 Kam me kënduem gjithë jetënë për përdëllimet e Zotit, kam me diftuem me gojënë t’eme të vërtetënë tande bres mbas brezi.
2 Se thashë, ka me u bamë përdëllim për gjithë jetënë, ke me forcuem të vërtetënë tande ndër qillt.
3 Bana dhiate bashkë me të sgjedhunitë t’em, iu përgjërueshë Davidit shërbëtorit t’em, 4 kur-do kam me forcuem farënë tande, edhe kam me ndërtuem shkambinë tand bres mbas brezi. Selah.
5 Edhe qilltë kanë me lavduruem mërekullit’ e tua, o Zot, edhe të vërtetënë tande ndë përmbëledhëje shenjtënash.
6 Se kush mundetë me u bamë nji me Zotinë ndë qiell? Edhe cilli ndër të bijt e të fortëvet mundetë me i shëmbëllyem Zotit?
7 Perëndiaashtë fort i drashunë ndë këshillet të shenjtënavet, edhe i frikshim ndër gjith’ ata qi janë rreth ati.
8 O Zot Perëndia i fuqivet, kush të shëmbëllen tyi? Je i fortë, o Zot, edhe e vërteta jote ashtë rreth teje.
9 Ti urdhënon fuqin’ e detit, edhe ti sbut të ngritunit’ e valëvet ati.
10 Ti dërrmove Rahabënë, porsi të plagosunë, përdave anëmiqt’ e tu me krahin’ e fuqisë s’ate.
11 Qilltë janë të tutë, edhe dheu asht’ yti, ti themelove botën’ edhe të mbushunit’ e asai.
12 Ti krijove anën’ e borës’ edhe anën’ e mies-ditësë, Thabori edhe Hermoni kanë me u gëzuem për eminënë tand.
13 Krahi yt asht’ i fortë, dora jote asht’ e fuqishime, e diathta jote asht’ e naltë.
14 Dreitëni edhe gjyq ashtë themeli i shkambit t’yt, përdëllimi edhe e vërteta prijnë përpara syvet tu.
15 Lum ai popull qi ngjef brohori; o Zot, kanë me ecunë ndë dritë të faqesë s’ate.
16 Gjithë ditënë kanë me u gëzuem mb’emënit tand, edhe kanë me u naltuem mbë dreitënit tande.
17 Se ti je mburrimi i fuqisë atyne, edhe ndë pëlqimt tand ka me u naltuem brini ynë.
18 Se ndifma jonë asht’ e Zotit, edhe mbëreti ynë asht’ i shenjtit Israel.
19 Ateherë i fole të dreitit t’yt me të pamë, edhe i the: Vuna ndifmë mbë nji të fortë, naltova nji të sgjedhunë prei popullit.
20 Gjeta Davidinë shërbëtorinë t’em, e leva me voj t’em të shenjtënuem.
21 Dora eme ka me e forcuem, edhe krahi em ka me i dhanë fuqi.
22 Anëmik s’ka me dalë ma i fortë se ai, as bir pa-udhënie s’ka me i bamë keq.
23 Edhe kam me premë anëmiqt’ e ati përpara syvet ati, edhe kam me thyem ata qi e kanë mëni.
24 Por dreitënia eme edhe përdëllimi em kanë me qenunë bashkë me ate, edhe mb’emënit t’em ka me u naltuem brini i ati.
25 Edhe kam me vumë dorën’ e ati mbë dhet, edhe të diathtën’ e ati mbë lumënat.
26 Ai ka me thirrunë tek unë: Ti je Ati em, Perëndia em, edhe shkrepi i shpëtimit t’em.
27 Edhe unë kam me e bamë paralindës, të naltë mbë mbëretënit e dheut.
28 Kur-do kam me rueitunë përdëlliminë t’em për ate, edhe dhiata eme ka me qenun’ e besueme bashkë me ate.
29 Edhe do të baj farën’ e ati me mbetunë jetë mbas jete, edhe shkambi i ati porsi ditt’ e qiellit.
30 Ndë hiekshinë dorë të bijt’ e ati prei ligjësë s’eme, edhe ndë mos ecëshinë ndë gjyqet e mi,
31 ndë ndyfshin’ urdhënimet’ e mi, edhe ndë mos rueiçinë porosiat’ e mia,
32 ateherë kam me vështruem me shkop paudhënit’ e atyneve, edhe me vishkulla të shtrembëtat’ e atyneve.
33 Por s’kam me hiekunë përdëlliminë t’em prei ati, as kam me dalë rrenës ndë të vërtetët t’eme.
34 S’kam me prishunë dhiatenë t’eme, as kam me këthyem qish duel prei buzëvet mia.
35 Nji herë bana be mbë shenjtëninë t’eme, se s’kam me dalë rrenës te Davidi.
36 Fara e ati ka me mbetunë për gjithë jetënë, edhe shkambi i ati porsi dielli, përpara meje,
37 edhe porsi hana ka me qindruem për gjithë jetënë, edhe porsi deshmitar i besuem ndë qiell. Selah.
38 Por ti hodhe tej, edhe more mëni, edhe u zemërove kundrë të lyemit t’yt.
39 Prishe dhiaten’ e shërbëtorit t’yt, ndyne kunorën’ e ati tue hedhunë për dhe.
40 Rrënove gjithë gjerdhet’ e ati, prishe muret’ e ati.
41 Rrëmbejën’ ate gjithë ata qi shkojën’ udhësë; u ba shpërnderim ndër fëqinjt e vet.
42 Naltove të diathtën’ e anëmikut ati, gëzove gjith’ anëmiqt’ e ati:
43 shtrembënove presën’ e shpates’ ati, edhe nuk’ i ndife ndë luftë,
44 shove shkëlqimin’ e ati, edhe hodhe përdhe shkambin’ e ati.
45 Shkurtove ditt’ e dielmënisë ati, u mbulove me turp. Selah.
46 Deri kurë, o Zot? Ke me këthyem faqenë mbënjanë përherë? Ka me u diegunë zemërimi yt porsi ziarrm?
47 Kuito, sa e shkurtën ashtë koha eme, mos i ke krijuem kot gjithë të bijt’ e njerëzëvet?
48 Cilli njeri ka me rruem, e s’ka me pamë vdekë? Cilli ka me shpëtuem shpirtin e vet prei dorësë vorrit? Selah.
49 Ku janë përdëllimet’ e tu të moçimitë, o Zot, qi bane be Davidit ndë të vërtetët tande?
50 Kuito, o zot, shpërnderimin’ e shërbëtorëvet tu, qi bar ndë gjijt t’em prei shumë popujsh,
51 me të cillinë shpërnderuen’ anëmiqt e tu, o Zot, me të cillinë shpërnderuenë gjurmat’ e të lyemit t’yt.
52 I bekuem qoftë Zoti për gjithë jetënë. Amen, edhe amen.
1 Himn i Etan Ezrahitit.
2 Mirësive të tua, o Zot,
do t'u këndoj në amshim,
besnikërinë tënde do ta shpall
brez pas brezi me gojën time.
3 Se thashë: «Mirësia jote mbetet në amshim,
në qiej i ka rrënjët besnikëria jote».
4 E ti the: «Kam bërë një besëlidhje me të zgjedhurin tim,
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim.
5 Pasardhësit e tu do t'i ruaj në amshim,
fronin tënd do ta forcoj brez pas brezi». selah
6 Qiejt rrëfejnë mrekullitë e tua, o Zot,
kuvendi i të shenjtëve të tu, besnikërinë tënde.
7 Kush ndër re krahasohet me Zotin?
Ndër bijtë e perëndive, kush është si Zoti?
8 I tmerrshëm është Perëndia në kuvendin e të shenjtëve,
i madh e i frikshëm për ata që e rrethojnë.
9 Kush është si ti, o Zot, Perëndi i ushtrive?
I fuqishëm je, o Zot,
me besnikërinë tënde rrethuar.
10 Ti e sundon tërbimin e detit,
rrëmbimin e dallgëve të tij, ti e fashit.
11 Ti e dërrmove Rahabën dhe e plandose,
armiqtë i shpërndave me krahun tënd të fuqishëm.
12 Yti është qielli, jotja edhe toka,
ti e themelove botën dhe gjithçka në të.
13 Veriun e jugun ti i krijove,
Tabori dhe Hermoni brohorasin për emrin tënd.
14 Krahu yt është plot fuqi,
e fortë është dora jote,
e djathta jote lart është ngritur.
15 Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd,
mirësia dhe besnikëria të rrinë kundruall.
16 Lum ai popull, që di të brohorasë për ty,
në dritën e pranisë sate do të ecë, o Zot.
17 Në emrin tënd do të ngazëllojnë tërë ditën,
në drejtësinë tënde do të lartësohen.
18 Se ti je krenaria e fuqisë së tyre,
me hirin tënd bëhemi edhe më të fortë.
19 Mbrojtja jonë vjen prej Zotit,
mbreti ynë prej të shenjtit të Izraelit.
20 Në vegim fole dikur me besnikët e tu:
«I dhashë ndihmë një trimoshi», the,
«Lartësova një të zgjedhur prej popullit.
21 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim,
me vajin tim të shenjtë e vajosa.
22 Dora ime do të jetë përherë me të
e krahu im do t'i japë forcë.
23 Armiku nuk do ta mposhtë,
biri i paudhësisë nuk do t'i bëjë keq.
24 Para syve të tij do t'i thyej armiqtë e tij,
ata që e urrejnë do t'i godas.
25 Besnikëria e mirësia ime do të jenë me të,
në emrin tim do të bëhet gjithnjë e më i fortë.
26 Dorën e tij do ta shtrij mbi det,
të djathtën e tij mbi lumenj.
27 Ai do të më thërrasë: “Ati im je ti,
Perëndia im, shkëmbi i shpëtimit tim”,
28 e unë do ta bëj të parëlindurin tim,
më të madhin ndër mbretërit e tokës.
29 Mirësia ime do të jetë me të përgjithmonë,
besëlidhja me të do të mbetet e pathyeshme.
30 Pasardhësit e tij do t'i ruaj në amshim,
fronin e tij për sa kohë të jenë qiejt.
31 Nëse bijtë e tij e lënë ligjin tim
e sipas vendimeve të mia nuk ecin,
32 nëse i shkelin rregullat e mia
e urdhërimet e mia nuk i mbajnë,
33 me thupër do t'i ndëshkoj shkeljet e tyre,
paudhësinë e tyre me fshikullima,
34 por nuk do të heq dorë nga mirësia për të
e besnikërinë time për të nuk do ta shkel.
35 Besëlidhjen time nuk do ta thyej,
premtimin që bëra nuk do ta ndryshoj.
36 Jam betuar një herë për shenjtërinë time,
se Davidin kurrë nuk do ta zhgënjej.
37 Pasardhësit e tij do të mbeten në amshim,
sa dielli do të zgjatë froni i tij para meje.
38 Do të qëndrojë në amshim si hëna,
një dëshmi e besueshme ndër re». selah
39 Por ti na hodhe tej e na përçmove,
me të vajosurin tënd u zemërove.
40 Besëlidhjen me shërbëtorin tënd e prishe,
kurorën e tij në baltë e përdhose.
41 Të gjitha muret ia rrënove,
fortesat në gërmadha ia ktheve.
42 E plaçkitin gjithë sa kalojnë asaj udhe,
është bërë gazi i fqinjëve të vet.
43 Lartësove të djathtën e kundërshtarëve të tij,
të gjithë armiqtë e tij i bëre të gëzojnë.
44 Tehun e shpatës së tij e çmprehe,
në betejë nuk e përkrahe.
45 I dhe fund madhështisë së tij,
fronin e tij përtokë e hodhe.
46 Ditët e rinisë ia shkurtove,
me turp e mbulove. selah
47 Deri kur, o Zot?
A do të fshihesh përgjithmonë?
A do të djegë si flaka zemërimi yt?
48 Kujtohu sa e shkurtër është jeta ime!
A thua më kot i krijove gjithë bijtë e njerëzve?
49 Kush do të jetojë pa e parë vdekjen?
Kush do t'ia shpëtojë shpirtin prej skëterrës? selah
50 Ku janë mirësitë e tua të dikurshme, o Zot,
që ia premtove Davidit në besnikërinë tënde?
51 Kujto, o Zot, poshtërimin e shërbëtorëve të tu,
fyerjen e shumë popujve, që më rëndon në gji,
52 poshtërimin që bëjnë armiqtë e tu, o Zot,
çnderimin që i bëjnë hapave të të vajosurit tënd.
53 Bekuar qoftë Zoti në amshim!
Amen! Amen!