Psallmë kankë për të bijt e Koreut, mbë të parinë kankatuer mbi Mahalath-leannoth, Mashhil i Heman Ezrahitit.
1 O Zot Perëndia i shpëtimit t’em, dit’ e nate thirra përpara teje;
2 le të vijë përpara teje të falunitë t’em, ul veshinë tand mbë klithmët t’eme.
3 Se u mbush me të këqia shpirti em, edhe jeta eme po afrohetë ndë vorrt.
4 U ngjeha bashkë me ata qi sdrypinë ndë gropë, u bashë porsi njeri pa fuqi;
5 lanë ndër të vdekunit, porsi të vramitë qi kanë ndë vorr, të cillëtë ti nukë kuiton ma, edhe u këputnë prei dorësë s’ate.
6 Më vunë ndë gropë fort të poshtëme, ndë erresinë e ndë thellësina.
7 Zemërimi yt qindroi mbi mue, edhe solle mbi mue valët e tua. Selah.
8 Mërgove prei meje të ngjofunit’ e mi, më bane ndynësinë ndër ata, u mbylla, e s’mundem me dalë.
9 Synit t’em iu pre fuqia prei shtrëngimit: thirra mbë tyi, o Zot, gjithë ditënë shtrina duert’ e mia mbë tyi.
10 Mos ke me bamë mërekulli mbë të vdekunit? Apor të vdekunitë kanë me u ngjallunë, edhe kanë me të lavduruem? Selah.
11 Mos kanë me treguem përdëlliminë tand ndë vorrt,edhe të dreitënë tande ndë prishëjet?
12 Mos kanë me u ngjofunë mërekullit’ e tua ndë errësinë, edhe dreitënia jote ndë vend të harrimit?
13 Por unë thirra mbë tyi, o Zot, edhe ndë mëngjes të falunitë t’em ka me të mbërrimë.
14 Përse heth tej shpirtinë t’em, o Zot, këthen mbënjanë faqenë tande prei meje?
15 Jam i vobek edhe ndë mundime vdeke çë prei dielmënisë s’eme, po heq prei frikavet tua, edhe po vras mendëjenë.
16 Zemërimet’ e tu shkuenë mbi mue, edhe frikat’ e tua më rrënuenë,
17 më qerthulluenë porsi ujë gjithë ditënë, më qarkuenë bashkë.
18 Mërgove prei meje të dashuninë edhe mikunë, të ngjofunit’ e mi ndë errësinë.
1 Këngë. Psalm i bijve të Korahut. Mjeshtrit të korit. Me melodi të trishtueshme. Himn i Heman Ezrahitit.
2 O Zot, Perëndia i shpëtimit tim,
ty të thërras ditë e natë.
3 Lutja ime mbërrittë te ti,
vëri vesh kujës sime.
4 Më është mbushur shpirti me të këqija,
jeta ime është pranë skëterrës.
5 Më radhitin me ata që kallen në varr,
jam bërë si njeri pa forcë.
6 Endem mes të vdekurve,
si të vrarët që dergjen varreve,
si ata që ti nuk i kujton më,
që janë shkëputur nga dora jote.
7 Më ke plandosur në gropën më të thellë,
në skutat më të errëta të thellësive.
8 Mbi mua rëndon zemërimi yt,
mbi mua përplasen gjithë dallgët e tua. selah
9 Largove prej meje të njohurit e mi,
më bëre të neveritshëm për ta.
Jam mbyllur brenda e më nuk dal,
10 sytë më janë venitur prej mjerimit.
Ty të kam thirrur përditë, o Zot,
duart drejt teje i kam shtrirë.
11 Pse, për të vdekurit do t'i bësh mrekullitë?
Mos do të ngrihen hijet e të vdekurve të të përlëvdojnë? selah
12 Mos ka për të folur kush në varr për mirësinë tënde,
apo për besnikërinë tënde në vendin e shkatërrimit?
13 Mos kanë për t'u njohur në errësirë mrekullitë e tua,
apo drejtësia jote në vendin e harresës?
14 Por unë të thërras ty, o Zot, për ndihmë,
lutja ime mbërrin para teje që në mëngjes.
15 Përse më hedh tej, o Zot?
Përse e fsheh fytyrën prej meje?
16 I mjerë jam unë e në prag të vdekjes që në rini,
vuaj prej tmerreve të tua plot dëshpërim.
17 Më mbulojnë zemërimet e tua,
tmerret e tua më rrënojnë.
18 Më rrethojnë si uji tërë ditën,
vërshojnë mbi mua nga të gjitha anët.
19 Largove prej meje miq e shokë,
vetëm errësira më bën shoqëri.