Mbë të parinë kankatuer, mbi Gittith: Psallm’ e Asafit.
1 Këndoni me gëzim për Perëndinë, fuqinë t’onë, brohorini për Perëndinë’ e Iakobit.
2 Merrni kankë, edhe bini tympanësë, qitharë të pëlqyeshime bashkë me psallter.
3 Bini pipësë ndë hanë të re, ndë ditë të shënueme të festësë s’anë.
4 Se asht urdhënë mbë Israelinë, edhe ligj’ e Perëndisë Iakobit.
5 Vuni këte për deshmin te Iosefi, kur duel ai prei dheut Misirit, atie ku ndigjova nji gjuhë, qi nuk’ e ngjifshiem.
6 Largova krahin’ e ati prei barrësë, duert’ e ati u hoqnë prei kofinit.
7 thirre ndë shtrëngim, edhe të shpëtova, t’u përgjegja prei të pshefunit vendit bumbullimësë, të shprovova nd’ujënat të Meribahut. Selah.
8 Ndigjo, o populli em, edhe kam me bamë deshmi kundrë teje,
9 o Israel, ndë më ndigjofsh, mos jetë te ti perëndi i huej, edhe mos lusish perëndi të huej.
10 Unë jam Zoti Perëndia yt, qi të nxora prei dheut Misirit, sgjano gojënë tande, edhe kam me ta mbushunë.
11 Por populli em nukë ndigjoi zaninë t’em, edhe Israeli s’më mbaiti vesh.
12 Përandai i dhashë ata ndër dëshërimet të zemërës’ atyne, edhe ecnë ndër këshillet të veta.
13 Ndë më kishte ndigjuem populli em, edhe Israeli ndë kishte ecunë mb’udhët të mia,
14 përnjiherë do të kishiem vumë poshtë anëmiqt’ e atyneve, edhe do të kishiem vumë dorënë t’eme mbi ata qi i shtrëngojinë.
15 Ata qi kanë mëni Zotinë do të ishinë gënjyem tek ai, edhe do të kishinë kohë kurdo,
16 edhe do t’ i kishte ushqyem me ballin’ e grunit, edhe kishiem me të ngimë me mialtë guri.
1 Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i Asafit.
2 Ngazëlleni në Perëndinë, forcën tonë,
brohoritni për Perëndinë e Jakobit.
3 Merrjani këngës e bjerini dajres,
lirës gazmore e harpës bashkë me të.
4 Bjerini bririt për hënën e re,
për hënën e plotë, ditën e të kremtes sonë.
5 Se ky është rregull për Izraelin,
vendim i Perëndisë së Jakobit.
6 Kjo dëshmi iu dha Jozefit,
kur doli prej tokës së Egjiptit.
Dëgjova një zë që nuk e njihja:
7 «Ia hoqa barrën prej shpatullave,
duart prej shportës ia lirova.
8 Më thirre në fatkeqësi e të çlirova,
t'u përgjigja i fshehur mes gjëmimit,
tek ujërat e Meribës në provë të vura. selah
9 Dëgjomë, o populli im, e do të të qortoj.
Ah, sikur të më dëgjoje, o Izrael!
10 Nuk do të ketë te ti perëndi tjetër,
para asnjë perëndie të huaj nuk do të përkulesh.
11 Unë jam Zoti, Perëndia yt,
unë të nxora prej tokës së Egjiptit,
hape gojën e do të ta mbush.
12 Por populli im nuk ma dëgjoi zërin,
Izraeli nuk më vuri vesh.
13 Atëherë i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre
të ecnin sipas shestimeve të tyre.
14 Ah, sikur të më dëgjonte populli im!
Ah, sikur të ecte Izraeli udhëve të mia!
15 Atëherë do t'i poshtëroja menjëherë armiqtë e tij,
dorën do ta ktheja kundër kundërshtarëve të tij.
16 Ata që e urrejnë Zotin do t'i nënshtroheshin,
ky do të ishte fati i tyre në amshim.
17 E unë do ta ushqeja me grurin më të mirë,
do ta ngopja me mjaltë prej shkëmbi».