Mbë të parinë kankatuer, mbi Shoshanim-edhuth. Psallm’ e Asafit.
1 Mba vesh, ti qi kullot Israelinë, ti qi i heq udhënë Iosefit porsi tufeje, ti qi rri mbi Qerubim, shfaqu.
2 Ndër sy të Efraimit, e të Beniaminit, e të Manasseut, ngre fuqinë tande, edhe eja me na shpëtuem.
3 Këthe-na, o Perëndi, edhe ndrit faqenë tande, edhe kemi me shpëtuem.
4 O Zot Perëndia i fuqivet, deri kurë ke me u zemëruem kundrë të falunit popullit t’yt?
5 Ushqen ata me bukë lotsh, edhe u ep me pimë ujë lotsh me masë të madhe .
6 Na bane ndër fëqinjt t’onë të ngranë me fjalë, edhe anëmiqtë t’anë përqeshinë njani tietërinë.
7 Këthe-na, o Perëndia i fuqivet, edhe ndrit faqenë tande, edhe kemi me shpëtuem.
8 Prune veshtë prei Misirit, përzune kombe, edhe e mbolle.
9 I bane gati vend përpara, edhe e banë të zajë rranjë, edhe mbushi dhenë.
10 U mbuluenë maletë prei hies’ ati, edhe degat’ e ati ishinë porsi dullenjat’ e Perëndisë.
11 Shtrini hardhiat’ e veta deri ndë det, edhe bimat’ e veta deri ndë lumt.
12 Përse shthure gjerdhet’ e ati, edhe gjith’ ata qi shkojën udhësë e vielinë?
13 Thiu i pyllit e shkreton, edhe bisha e fushës’ e kullot.
14 O Perëndia i fuqivet, këthehu pra, shtierë sytë prei qiellit, edhe shif, edhe vështro këtë veshtë,
15 edhe ate veshtinë, qi mbuell e diathta jote, edhe ate bimënë qi forcove për vetëhet tande.
16 U dogj ndë ziarrm, edhe u shkul, hupnë prei qirtimit faqesë s’ate.
17 Qoftë dora jote mbi burrin’ e së diathtësë s’ate, edhe mbi të birin’ e njeriut qi e forcove për vetëhenë tande.
18 Edhe na s’kemi me u mërguem prei teje; ep-na frymë të gjallë, edhe kemi me thirrë mb’emënit tand.
19 O Zot Perëndia i fuqivet, këthe-na, ndrit faqene tande, edhe kemi me shpëtuem.
1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Zambakët». Dëshmi. Psalm i Asafit.
2 Ti, o bari i Izraelit, mba vesh,
ti që si grigjës i prin Jozefit,
ti që ulesh mbi kerubët, shkëlqe.
3 Para Efraimit, Benjaminit e Manaseut
ngrije peshë fuqinë tënde
e eja të na ndihmosh.
4 O Perëndi, na kthe sërish,
bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,
që të shpëtojmë.
5 O Zot, Perëndi i ushtrive,
deri kur do të jesh i zemëruar
ndaj lutjes së popullit tënd?
6 I ke ushqyer me bukë lotësh,
u ke dhënë të pinë kaq shumë lot.
7 Na ke bërë të jemi shkak grindjesh për fqinjët,
armiqtë tanë tallen me ne.
8 O Perëndi i ushtrive, na kthe sërish,
bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,
që të shpëtojmë.
9 Një hardhi prej Egjiptit shkule,
dëbove kombe dhe e mbolle.
10 Tokën për të gati e bëre,
rrënjë hodhi e dheun mbushi.
11 Hija e saj mbuloi malet,
degët e saj cedrat e Perëndisë.
12 Filizat e saj i shtriu deri në det,
pinjollët e saj deri në lumë.
13 Gardhin përse ia shthure,
që të vjelë prej saj çdo kalimtar?
14 E shkretoi derri i egër,
aty kullotin egërsirat e fushës.
15 Kthehu, o Perëndi i ushtrive,
hidh sytë prej qiellit,
vështroje e kujdesu për këtë hardhi,
16 për atë që mbolli dora jote e djathtë,
për pinjollin, që e rrite të fortë për veten tënde.
17 E kanë djegur me zjarr, e kanë prerë;
marrshin fund prej kërcënimit të fytyrës sate.
18 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate,
mbi birin e njeriut, që e rrite të fortë për veten.
19 E ne nuk do të largohemi më prej teje,
jepna jetë, që të thërrasim emrin tënd.
20 O Zot, Perëndi i ushtrive, na kthe sërish,
bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,
që të shpëtojmë.