Psallmë për Solomoninë.
1 O Perëndi, ep-i gjyqinë tand mbëretit, edhe dreitëninë tande të birit mbëretit,
2 për me gjukuem popullinë tand me dreitëni, edhe të vobegët’ e tu me gjyq.
3 Maletë kanë me i prumë paqtim popullit, edhe kodratë dreitëni.
4 Ka me gjukuem të vobegët’ e popullit, edhe ka me shpëtuem të bijt’ e të nevojëshimëvet, edhe ka me dërrmuem shtrëngimtarinë.
5 Kanë me të drashunë breza mbas brezash, deri sa të jetë dielli edhe hana,
6 Ka me sdrypunë porsi shi mbi bar të korrë, porsi pikatë qi pikojënë mbi dhet.
7 I dreiti ka me lulëzuem ndë ditt t’ati, edhe ka me qenunë shumë paqtim, deri sa të mos jetë ma hanë.
8 Edhe ka me zotënuem çë prei detit deri ndë det, edhe çë prei lumit deri ndë anët të dheut.
9 Ata qi rrinë ndë shkretina kanë me ranë ndë gjunjë përpara ati, edhe anëmiqt’ e ati kanë me lëpimë dhe.
10 Mbëretënit e Tharshishë, edhe të ujdhesavet kanë me prunë dhunëtia, mbëretënit e Arabisë edhe të Shebasë kanë me prumë dhunëtia.
11 Edhe gjithë mbëretënitë kanë me lutun’ atë, gjithë kombetë kanë me i shërbyem.
12 Se ka me shpëtuem të vobegunë, kur gërthet, edhe të nevojëshimin’ edhe atë qi s’ka kush i ndif.
13 Ka me kursyem të vobegun’ edhe të nevojëshiminë, edhe ka me shpëtuem shpirtënat’ e të vobegëvet.
14 Ka me shpërblyem shpirtënat’ e atyneve prei gënjeshtrës’ e prei pa-udhënisë, edhe gjaku i atyneve ka me qenunë shumë i ndershim ndë sy të ati.
15 Edhe ka me rruem, edhe ka me i u dhanë prei arit Arabisë, edhe kanë me u falunë për atë kurdo, gjithë ditënë kanë me e bekuem.
16 Ndë qoftë nji dorësë gruni ndë dhet mbi majat të malevet, pem’ e ati ka me u tundunë përmbi Libaninë, edheata prei qytetit kanë me lulëzuem porsi bar’ i dheut.
17 Emëni i ati ka me qenunë për gjithë jetënë, emëni i ati ka me mbetunë deri sa të jetë dielli, edhe farat’ e dheut kanë me u bekuem tek ai, gjithë kombetë kanë me lumënuem atë.
18 Qoftë bekuem Zoti Perëndia, Perëndia i Israelit, i cilli vetëmë ban mërekulli.
19 Edhe qoftë bekuem i lavdueshimi emëni i ati ndë jetë të jetësë, edhe u mbushtë gjithë dheu me lavdin’ e ati. Amen, edhe Amen.
20 U mbaruen’ uratat’ e Davidit të birit Iesseut.
1 I Solomonit.
O Perëndi, dhuroja mbretit gjykimet e tua
e drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 që popullin tënd ta gjykojë me drejtësi
e skamnorëve të tu t'u japë të drejtën.
3 Malet le t'i sjellin paqe popullit
e kodrat drejtësi.
4 Mbreti le t'u japë drejtësi skamnorëve të popullit,
bijtë e nevojtarëve le t'i shpëtojë
e shtypësin ta dërrmojë.
5 Të paçin frikë brez pas brezi,
sa të ketë diell e sa të ketë hënë.
6 Le të zbresë si shiu mbi luadh të kositur,
si rrebeshi që ujit tokën.
7 Në ditët e tij le të lulëzojë i drejti
e paqe të madhe le të ketë,
derisa të mos jetë më hëna.
8 Le të sundojë nga deti në det,
nga lumi deri në skajet e tokës.
9 Përpara tij le të përkulen banorët e shkretëtirës
dhe armiqtë e tij le të lëpijnë pluhurin.
10 Mbretërit e Tarshishit e ishujt le t'i sjellin tagrin,
mbretërit e Shebës e të Sebës, dhurata.
11 Para tij le të përkulen gjithë mbretërit,
gjithë kombet atij t'i shërbejnë.
12 Se ai do ta shpëtojë nevojtarin që thërret
e skamnorin që s'e ndihmon askush.
13 Do t'i dhimbset i dobëti e nevojtari,
nevojtarëve do t'ua shpëtojë jetën.
14 Do t'i shpëtojë nga shtypja e dhuna,
gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.
15 Rroftë mbreti e prej arit të Shebës marrtë!
U lutshin për të pa pushim,
gjithë ditën e bekofshin!
16 Toka dhëntë drithë me shumicë,
majave të maleve u valëvitshin kallinjtë,
prodhimi i tyre qoftë i begatë si Libani,
prej qytetit lulëzofshin si bari i fushës .
17 Emri i tij mbettë përjetë!
Emri i tij qëndroftë sa të jetë dielli!
Në të u bekofshin njerëzit,
gjithë kombet e quajtshin të lum.
18 Bekuar qoftë Zoti Perëndi, Perëndia i Izraelit,
i vetmi që bën mrekulli!
19 Bekuar qoftë përjetë edhe emri i tij i lavdishëm
e me lavdinë e tij u mbushtë tërë toka!
Amen! Amen!
20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Jeseut.