Mbë të parinë kankatuer. Kankë psallme.
1 Brohorini për Perëndinë, gjithë dheu. Psallni lavdin’ e emënit ati,
2 bani të lavdueshim kankën e ati.
3 Thoni Perëndisë: Sa të frikëshime janë punët’ e tua! Për madhënin’ e fuqisë s’ate bajënë sikurse të ndëgjojën’ anëmiqt’ e tu.
4 Gjithë dheu ka me të lutunë, e me psallunë për tyi, kanë me psallunë për emëninë tand. Selah.
5 Eni e shifni punët’ e Perëndisë: asht’ i frikëshim mbë punët te të bijt’ e njerëzëvet.
6 Bani detinë dhe të thatë, shkuenë luminë mbë kambë, atie u gëzuenë për atë.
7 Me anë të fuqisë së vet zotënon për gjithë jetënë; syt’ e ati shikojënë kombetë, krye-ngritunitë mos naltofshinë vetëvetëhenë. Selah.
8 Bekoni Perëndinë t’onë, o popuj, edhe bani të ndëgjohetë zani i lavdurimit ati,
9 i cilli ruen shpirtinë tanë ndë jetët, edhe nukë len me u tundunë kambëtë t’ona.
10 Sepse ti na shprovove, o Perëndi, na shprovove, sikurse shprovohet’ argjandi.
11 Na shtive ndë rrietët, na vunë barrë të randë mbë kraha.
12 Sdrype njerëz mbi krenët t’anë, shkuem ndëpër ziarrm e ndëpër ujë, edhe na nxore ndë të praitunë.
13 Kam me hymë ndë shtëpit tande me kurbane gjithë-diegunë, kam me të dhanë uratat’ e mia,
14 të cillat’ i nxuernë buzët’ e mia, edhe goja eme foli ndë shtrëngim t’em.
15 Kam me të prumë kurbane gjithë-diegunë deshësh të maim, bashkë me qem, kam me prumë qe bashkë me sqepë. Selah.
16 Eni e ndëgjoni, gjithë ju qi keni frikë Perëndinë, edhe kam me treguem sa i bani shpirtit t’em.
17 Bërtita tek ai me gojët t’eme, edhe ai u naltue me gjuhët t’eme.
18 Ndë shifshiem të shtrembëtë ndë zemërë t’eme, Zoti s’kishte me më gjegjunë,
19 përandai Perëndia më ndëgjoi, mbaiti vesh zanit lutëjesë s’eme.
20 Qoftë bekuem Perëndia, qi s’largoi të falunitë t’em, edhe përdëllimin’ e vet prei meje.
1 Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm.
Brohoritni për Perëndinë
gjithë ju banorët e tokës!
2 Këndojini emrit të tij të lavdishëm,
bëjeni të madhërishëm përlëvdimin e tij!
3 Thuajini Perëndisë: «Të mrekullueshme janë veprat e tua!
Aq e madhërishme është fuqia jote,
sa armiqtë të bëjnë lajka.
4 Gjithë banorët e tokës përkulen para teje
e të këndojnë himne,
i këndojnë himne emrit tënd». selah
5 Ejani e shihni ç'ka bërë Perëndia,
sa i mrekullueshëm është
kur vepron për njerëzit.
6 Detin e shndërroi në tokë të thatë,
lumin e kaluan në këmbë,
prandaj le të gëzojmë në të.
7 Ai sundon në amshim me fuqinë e tij,
sytë e tij vëzhgojnë kombet,
kryeneçët të mos krenohen. selah
8 Bekoni, o popuj, Perëndinë tonë
dhe le të dëgjohet zëri i përlëvdimit.
9 Ai na jep jetë,
e nuk lejon të na rrëshqasin këmbët.
10 Ti na vure në provë, o Perëndi,
na sprovove si argjendin në zjarr.
11 Na bëre të biem në kurth,
barrë të rëndë na ngarkove.
12 I le njerëzit të na hipin në qafë,
përmes zjarrit dhe ujit kaluam,
por ti na nxore në vend të begatë.
13 Me fli shkrumbimi do të hyj në shtëpinë tënde,
betimet e bëra do t'i mbaj,
14 betimet që shqiptuan buzët e mia,
që goja ime tha kur isha ngushtë.
15 Do të të kushtoj fli të majme shkrumbimi,
bashkë me aromën e deshve që digjen,
qe e cjep do të të flijoj. selah
16 Ejani e dëgjoni të gjithë ju që Perëndinë druani,
do t'ju tregoj ç'bëri për mua.
17 Atij i thirra me gojën time,
me gjuhën time e madhërova.
18 Po të kisha ligësi në zemrën time,
Zoti nuk do të më dëgjonte.
19 Por Perëndia më dëgjoi
dhe e mbajti vesh lutjen time.
20 Bekuar qoftë Perëndia,
që nuk e hodhi poshtë lutjen time
e as nga mirësia e tij nuk hoqi dorë.