Mbë të parinë kankatuer, mbi Al-tashheth, Miktam i Davidit, kur iku prei sysh Saulit ndë shpellë.
1 Përdëlle-më, o Perëndi, përdëlle-më, se shpirti em vu shpëresënë mbë tyi, edhe kam me shpëryem mbë hien’ e fletëvet tua, deri sa të shkojënë të vështiratë.
2 Kam me i thirrunë Perëndisë naltë, Perëndisë qi më ban mirë.
3 Ka me dërguem prei qiellit, edhe ka me më shpëtuem; ka me shpërnderum atë qi rri me gojë hapëtë të më përpijë. Selah. Perëndia ka me dërguem përdëllimin’ e vet edhe të vërtetën’e vet.
4 Shpirti em ashtë ndërmiet leonësh, dirgjem ndërmiet të bijvet njerëzëvet qi ndizenë flakë, dhambët e atyne janë shtiza e shigjeta, edhe gjuha e atyne ashtë shpat’ e hollë.
5 Naltohu mbi qillt, o Perëndi, lavdia jote qoftë mbi gjithë dhenë.
6 Bane gati kurth për kambët e mia, shpirti em u kurrus poshtë; mihnë gropë përpara meje, por ranë nd’atë. Selah.
7 Zemëra eme ashtë gati, o Perëndi, zemëra eme ashtë gati, kam me kënduem e me psallunë.
8 Çohu lavdia eme, çohu, psallter e qitharë, kam me u çuem ndë nadie.
9 Kam me të lavduruem ndër popuj, o Zot, kam me të psallunë ndër kombe.
10 Se përdëllimi yt u madhue deri më qillt, edhe e vërteta jote deri mbë ret.
11 Naltohu përmbi qillt, o Perëndi, lavdia jote qoftë mbë gjithë dhenë.
1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit, kur mori arratinë prej Saulit e u fsheh në shpellë.
2 Mëshiromë, o Perëndi, mëshiromë,
se te ti gjen strehë shpirti im,
nën hijen e krahëve të tu gjej strehë,
derisa të kalojë kërcënimi.
3 Do t'i thërras Perëndisë, të Tejlartit,
Perëndisë, që bën mirësi për mua.
4 Prej qiellit do ta dërgojë ndihmën
e do të më shpëtojë,
atë që më përndjek do ta turpërojë. selah
Perëndia do të dërgojë mirësinë
dhe besnikërinë e tij.
5 Shpirti im banon mes luanësh,
gati të përpijnë bijtë e njeriut.
Dhëmbët e tyre janë si heshta e shigjeta,
gjuha e tyre si shpata e mprehtë.
6 Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,
le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë!
7 U vunë lakun këmbëve të mia
e shpirti m'u drobit,
hapën një gropë para meje,
por ranë vetë brenda. selah
8 Zemra ime është e fortë, o Perëndi,
e fortë është zemra ime.
Do të këndoj e himne do të thur.
9 Zgjohu, o lavdia ime!
Zgjohu ti, o harpë dhe lirë,
se dua të zgjoj agimin.
10 Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot,
do të këndoj për ty mes kombeve.
11 Se mirësia jote lartohet deri në qiell,
besnikëria jote deri ndër re.
12 Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,
lavdia jote mbuloftë tokën mbarë!